Punëtorët e pastrimit në Tiranë, Kavajë dhe Elbasan shprehën shqetësime mbi kushtet e punës në në një tryezë të thirrur nga organizata “Drejtësi Sociale” ditën e mërkurë.
Ato renditën një sërë problematikash, duke nisur nga pagat e ulëta për nivelin e vështirësisë që ka puna, mungesa e ditëve të pushimit, oraret e zgjatura si edhe mungesa e veshjeve të dedikuara.
Gjatë diskutimit u nënvizua se punëtorët e pastrimit në Bashkinë Tiranë gjenden në situatën më problematike sa i përket kushteve të punës.
“Tre problematikat kryesore që kanë parë janë: mungesa e kopjes së kontratës së firmosur, mosnjohja e pushimeve javore dhe vjetore dhe mosnjohja e lejeve mjekësore”, u shpreh Sidorela Vatnikaj nga “Drejtësi Sociale” e cila ka kryer një sërë pyetësorësh me punëtorët.
“Jemi duke folur për një sektor tepër të vështirë, ku punonjësit vijnë nga shtresat më të margjinalizuara, në masë nga komuniteti rom dhe egjiptian, me probleme të theksuara sociale dhe ekonomike“, shtoi ajo.
Është raportuar dhe më herët për kushtet e vështira të punëtorëve të pastrimit në Elbasan. Punëtorët nuk gëzonin as një ditë pushim në javë në kundërshtim me Kodin e Punës, deri në përfundim të vitit 2022, kur arritën ta përftojnë këtë të drejtë.
Rreth 50 punëtorë në qytetin e Elbasanit punojnë në këtë sektor me paga nën minimalen dhe mungesë sigurie. Po ashtu ka pasur dhe raste të fshehjes së aksidenteve në punë.
Në 13 tetor të vitit 2022, një punëtor u përplas nga një makinë duke pësuar dëmtime. Kompania “Alko – Impex General Construcion” sh.p.k e cila prej vitit 2021 ka një kontratë me Bashkinë e Elbasanit për pastrimin e qytetit, nuk e njoftoi Inspektoratin Shtetëror të Punës për aksidentin, në kundërshtim me ligjin. Ky aksident zbuloi shkeljet e të drejtave të punëtorëve në këtë sektor.
Po ashtu dhe lejet mjekësore, që vijojnë të jenë ndër problemet më shqetësuese në sektor.
“Kjo është dhe më shqetësuesja në rast marrje të një raporti, kompania nuk ua njeh punonjësve dhe i detyron të paraqiten në punë”, u shpreh Vatnikaj.
Një prej punëtoreve u shpreh se në momentin që ka nisur punë, kontrata i është lexuar e ka firmosur dhe nuk ka marrë një kopje.
“Në kontratë thoshte 5 ditë pune, 2 ditë pushim, po ne punojmë 7 ditë në javë dhe po të mungojmë apo të kërkojmë ditët që na takojnë na heqin nga puna”, u shpreh njëra prej punëtoreve të pranishme. Për shkak të frikës ato kërkuan ruajtjen e anonimatit gjatë diskutimit. Një tjetër punëtore nga Tirana u shpreh se kanë probleme me veshjet.
“Vetëm këtë jelekun kemi, asgjë tjetër, si në shi e në ftoht këtë kemi”, u shpreh ajo.
Sa i përket lejeve mjekësore që u evidentuan si problematikë dhe nga Drejtësia Sociale, edhe punëtoret e theksuan si problem madhor.
“Po kur jemi sëmurë, na jep mjeku raport nuk do t’ja dijë kompania, kemi shkuar në punë, ne kaq duam të na njihen ditët e pushimit dhe sëmundjet, festat e rast fatkeqësie”, tha një tjetër punëtore.
Punëtorët u dakordësuan se nga njëra kompani në tjetrën ka ndryshime të vogla sa i përket respektimit të Kodit të Punës, por në përgjithësi sektori mbetet nga më problematikët në respektimin e tij.
Përfaqësues nga Inspektorati i Punës u shprehën se gjatë inspektimit që ato kryejnë kanë hasur vështirësi në evidentimin e problematikave, pasi punonjësit nuk i deklarojnë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi Inspektorati i Punës u shpreh se “ne si institucion kemi bërë maksimumin, ka akoma për t’u bërë por kemi punuar, por u takon dhe punëtoreve të organizohen se vetëm se bëjmë dot”.
Duke shtuar më tej se kjo nuk ishte një tentativë për të deleguar përgjegjësinë, por ndërkohë kryefjala e institucioneve ishte “punëtorët duhet të ndërgjegjësohen”, duke kaluar kështu përgjegjësinë e ndryshimit tek vet punëtorët.
Kjo u evidentua si problematikë edhe nga të pranishmit. Aktivisti Edison Lika u shpreh se “ka një tendencë që kur e ka kompetencën tjetri jemi të komod për të thënë që shiko se ti mund të bësh më mirë, te ti është çelësi i ndryshimit”.
“Në këtë rast kjo më shumë ndodh me punëtorët, por nuk duhet të harrojmë se ata janë më të margjinalizuarit, edhe e kanë shumë më të vështirë. Problemi qëndron se në këtë vend raporti i besimit është një nga raportet më delikate që ne kemi”, u shpreh Lika duke sjell në vëmendje shqetësimin e ngritur nga Inspektorati i Punës që punëtoret nuk ua shprehin të gjitha shqetësimet gjatë pyetësorëve.
Organizimi sindikal është një e drejtë ligjore për punëtoret, por të gjitha punëtoret e pranishme pranuan frikën që ekziston mes tyre si dhe të gjitha mjetet që përdorin kompanitë për të frikësuar ato, si heqja nga puna.
Kushtet e punës kanë mbetur të njëjta në këtë sektor. Inspektimet e kryera nga institucionet si dhe të dhënat e organizatave paraqesin një situatë të pandryshuar ndër vite.
Sipas një raporti studimor të realizuar nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome në vitin 2020 vihet re se ka shkelje në punë, të njëjta sikurse tani.
Në marrëdhënien e punëtorëve me kompaninë vihet re se 98% e punonjësve të anketuar nuk kanë marrë një kopje të kontratës së punës. Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve dëshmojnë kushtet e këqija të punës, probleme që u shfaqën edhe në tryezën e fundit.
92% e të pyeturve kanë deklaruar se të drejtat e tyre në punë nuk janë respektuar, sipas raportit të 2020.
Teksa sa i përket përgjegjësisë që iu vesh punëtoreve nga institucionet, të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë dijeni për organizimet për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Nga të dhënat sasiore rezulton se 69.2% nuk e dinë se çfarë është sindikata ndërsa 80.8% nuk e dinë se çfarë është e drejta për tu organizuar në sindikatë”,-thuhet në raport.
Edhe Sidorela Vatnikaj nga Drejtësi Sociale pranon se shpresat për organizim sindikal në këtë sektor janë të zbehta.
“Duke marrë parasysh presionet e vazhdueshme nga kompania dhe penalitetet e marra në rast të protestës nga punonjësit”, thekson ajo.
Së fundmi mbi rolin e institucioneve, juristi Gentian Sejrani theksoi rëndësinë e rolit të Avokatit të Popullit, duke kërkuar që ky institucion të jap rekomandime për rritjen e pagave në këtë sektor mbi pagën minimale.
Palët ranë dakord për ura bashkëpunimi, dhe një prej rasteve të raportuara në tryezë u mor në shqyrtim nga Inspektorati i Punës.
/Citizens Channel