Olta Xhaçka ishte një nga ministret më të preferuara nga kryeministri, Edi Rama prej 3 mandatesh, aq sa mund të thuhet se ndër të tjerë kolegë të saj, ishte më jetëgjata në shtrirje kohore, në kabinetet ministrore socialiste, që nga ardhja e tyre në pushtet në vitin 2013.
Fillimisht në mars të vitit 2017, ajo u emërua Ministre e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, për tu katapultuar shpejt brenda disa muajsh, në shtator të këtij viti, në krye të dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes. Post të cilin e mbajti për afro më shumë se tre vite, deri më 31 dhjetor 2020, për t’u emëruar në janar të vitit 2021 si Ministre e Punëve të Jashtme.
Këtë detyrë ajo e mbylli në shtator të vitit 2023, pas zërave se kryeministri Rama nuk e donte më në kabinetin e tij, për shkak të implikimit të familjarëve të saj në një aferë që lidhet me atë që sot njihet si investitori strategjik. Aferë që tashmë ka përfunduar në duart e SPAK, Prokuroria e Posaçme, që pavarësisht se jetën e vet e nisi si një institucion akuze që do të godiste fort në themel krimin dhe korrupsionin, duket se fenonemi që ka gërryer shoqërinë dhe kryesisht politikën që nga kohët e saj më të vjetra, nuk ngjau të ndalë hovin në Shqipëri, edhe pse në derë u kishte trokitur tashmë drejtësia e re.
Po të shihen dosjet korruptive të depozituara në SPAK, një pjesë e mirë e tyre i takojnë pikërisht periudhës së krijimit të këtij organi hetues.
Nga viti 2020 e në vazhdim, çka tregon se vesi i korrupsionit që për disa duket se del me shpirtin, nuk u bëri aspak përshtypje dhe e vazhduan vendosmërinë e tyre për të grabitur me po aq përkushtim sa edhe kur SPAK nuk ishte ende një krijesë, qoftë edhe laboratorike. Lidhje të forta nepotike brenda maxhorancës socialiste në pushtet, e cila në 10 vite të ushtrimit të saj të detyrave të ekzekutivit, ka prodhuar një korrupsion galopant, qoftë nëpërmjet ligjeve favorizuese që i vijnë për shtat orbitës së njerëzve që rrotullohen rreth saj, por edhe pushtetarëve të cilët privilegjet që u jep oborri, i kanë ndarë si në një gosti deri edhe me fëmijët apo bashkëshortët e tij.
Ky duket të jetë edhe rasti i familjes së ish-ministres Olta Xhaçka, biznesmeni Artan Gaçi duket se është pikërisht një nga këto shembuj, se si qenia e bashkëshortes ministre, por edhe lidhja e tij me maxhorancën socialiste, dikur deputet i kësaj force politike në vitet 2013-2017, mund të shërbejë si një bonus i mjaftueshëm për të hapur rrugët në biznes.
Por jo vetëm kaq, por edhe për të përfituar statuse të rëndësishme si biznesmen i përkëdhelur nga fati, që arrin jo vetëm ti varë vetes në qafë medaljonin e kushtueshëm të ‘investitorit strategjik’, nga vetë kryeministri Rama, pavarësisht se bashkëshortja e tij ishte ende në një detyrë të lartë zyrtare dhe ky ishte një konflikt i pastër interesi, por edhe të shkojë deri aty sa të provojë të shkelë edhe ligjin, duke u futur në një histori të ndërlikuar falsifikimi prone, që mund ti kushtojë shumë në vazhdim dhe të përballet sot me SPAK.
Por cila është historia e pronës që e ktheu Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, në një investitor strategjik? Çfarë do ndërtonte ai në këtë pronë dhe cilat janë shkeljet që mund ta çojnë atë drejt përballjes së paevitueshme me SPAK, që gjatë kohës, ka shumë punë të tjera në dorë me ish-ministra dhe zyrtarë të korruptuar, të maxhorancës aktuale por edhe asaj të vjetër? Si nisi kallëzimi ndaj Artan Gaçit dhe a shërbeu ky denoncim edhe për largimin e ministres së Jashtme Olta Xhaçka nga detyra në fillimin e muajit shtator 2023?
Bashkëshortët e ardhshëm të cilët ishin njohur me njëri-tjetrin në çadrat e vendosura në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë kohës që ishin në opozitë dhe protestonin kundër qeverisë Berisha, të cilët do e kurorëzonin këtë dashuri të lindur sipas tyre në kohë të vështira për demokracinë, në Kalanë e Petrelës në vitin 2014.
Në një dasmë gala, vaniteti i së cilës në kuptimin metaforik do të simbolizonte edhe vetë atë çfarë do të prodhonte në vazhdim pushteti i maxhorancës socialiste në pushtet.
Tarafe, korrupsion, dhe babëzi për të rrëmbyer çdo gjë të mundshme në qarkullim, me çdo formë dhe mundësi duke shkelur mbi çdo normë ligjore dhe morale. Një histori gati e përsëritur edhe me këtë të treguar më poshtë, ku në qendër të hetimit sot është pikërisht Artan Gaçi, biznesmeni-bashkëshort i tashmë ministres së shkarkuar nga detyra, Olta Xhaçka, të cilit, iu sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur tashmë me akronimin SPAK, 5 512 m2 truall, në zonën e lakmuar bregdetare të fshatit Gjilek në Dhërmi.
Sekuestro preventive e cila u vendos pas dyshimeve të krijuara nga SPAK, për falsifikim të akteve të marrjes në pronësi të kësaj parcele toke.
Sipërfaqe e konsiderueshme prone, nga e cila Artan Gaçi, kishte fituar edhe statusin si ‘investitor strategjik’, vetëm disa kohë më pare, ku çuditërisht, ashtu sikurse mund të ndodhë vetëm në një vend si Shqipëria, pas një korrupsioni të tillë mishngrënia e njëri-tjetrit, mund të vijë vetëm nga radhët e politikës së korruptur të cenuar në interesat e saj.
Por cila është skema që u përdor për tjetërsimin e pronës dhe kalimin e saj në duart e investitorit strategjik. I pari që trokiti në dyert e Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2021, ishte Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona, ose më saktë një pjesë të pronës mbi të cilën Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e resortit luksoz. Ai tregon se prona e tij ishte rrethuar dhe nuk lejohej të hynte në të.
“Ditët e fundit rrethimi im është prishur pjesërisht dhe brenda sipërfaqes së rrethuar është krijuar një rrethim i ri. Lidhur mbi mënyrën e fitimit të pronësisë si dhe titullit të pronësisë së shtetasit Foto Mëhilli, pretendimi im është se akti i marrjes së tokës në pronësi me nr.9677 që bën fjalë për një sipërfaqe prej 5 512 m2 të familjes Mëhilli, është falsifikuar. Nga krahasimi i dokumentacionit të listës së përfituesve të tokës bujqësore në fshatin Gjilek, Dhërmi, shtetasi Foto Mëhilli ka përfituar tokë në pronësi me sipërfaqe totale prej 1200 m2, e cila për më tepër ka vendodhje tjetër me atë që ai pretendon sot. Për këtë arsye kam depozituar ndër të tjera edhe dokumentin plan rilevimi, datë hartimi muaji shkurt 2019, ndërsa resorti luksoz, nisi të marrë formë, prokuoria e Vlorës, u mjaftua vetëm me marrjen në pyetje të Mihallaq Bonjakut dhe sekuestrimin e disa dokumentave në institucione, pa mundur të zbulojë përgjegjësit e falsifikimit të kësaj prone”, ka deklaruar Mihallaq Bonjaku në maj të vitit 2021.
Por kur Mihallaq Bonjaku, duket se i kishte humbur shpresat për të marrë drejtësi, Fredi Beleri kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që ndodhet pas hekurave teksa pret verdiktin e drejtësisë së re, për akuzën e korrupsionit zgjedhor, kallëzoi në SPAK nga brenda qelisë, biznesmenin Artan Gaëi, bashkëshorten e tij Olta Xhacka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës Jorgo Goro.
Nga aktet e administruara rezulton se Prokuroria e Posaëme ka regjistruar me datë 6 shtator 2023, (mbi bazën e kallëzimit të Fredi Belerit) procedimin penal nr.189 viti 2023për vepran penale ‘shpërdorim I detyrës’ dhe ‘falsifikimit të dokumentave’. Prokuroria e Posacme ka regjistruar me datë 19 shtator 2023 procedimin penal 203 mbi bazën e akteve të përcjella nga prokuroria e Vlorës.
Ky procedim i cili është trajtuar më herët nga prokuroria e Vlorës, është regjistruar më datë 21 maj 2021 mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Mihallaq Bonjaku.
“Më datë 19 shtator 2023, prokurori i çështjes ka vendosur bashkimin e dy procedimeve, pasi ka dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtin fakt penal, por edhe të dyshimit se vepra penale është kryer nga persona të ndryshëm në bashkëpunim mes tyre”, thuhet në dosjen hetimore.
Pra siç rezulton më lart, Prokuroria e Vlorës, e kaloi çështjen në SPAK, vetëm pas kallëzimit që Fredi Beleri bëri në këtë institucion për të njëjtën çështje. Fredi Beleri ka ngritur pretendimet e tij, se prona në të cilën ish deputeti Artan Gaçi do ndërtonte hotelin luksoz në fshatin Gjilek në Dhërmi, është përfituar përmes një AMTP-je (Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi), të falsifikuar. Por çfarë përmban kallëzimi i Fredi Belerit, që ëoi SPAK në hapjen e një hetimi ndaj Artan Gaçit dhe thirrjen e tij fillimisht në këtë godinë më 6 Tetor 2023, por edhe të kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro?
Kallëzimi me 10 pika i Fredi Belerit
Ai konstaton se nga banorët e fshatit Gjilek në Himarë, trashëgimtar i të ndjerit Foto Mëhilli, është bërë pronar i një sipëfaqe toke të llojit arë, përmes një AMTP-je të falsifikuar, tokë me sipërfaqe prej 5 512 m2, të cilën më pas ia ka shitur biznesmenit Artan Gaçi.
Biznesmeni, i cili pikërisht këtë truall me sipërfaqe të konsiderueshme, në buzë të detit Jon, do ta dorëzonte më pas në Këshillin e Ministrave, për të fituar statusin e investitorit strategjik, me qëllimin për të ndërtuar aty një resort luksoz nëpërmjet kompanisë së tij ‘AG.TË’.
“Bashkia Himarë dhe konkretisht Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro kanë përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP Vlorë një AMTP në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli me vendndodhje në fshatin Gjilek Bashkia Himarë.
Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mëhilli figuron e ndarë një parcele në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me siperfaqe 5512 m2 e ndare si tokë truall. Kjo tokë nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht ndarja e sipërfaqeve toke truall”, thuhet në kallëzimin penal nga Fredi Beleri.
Sipas Fredi Belerit dhe asaj çfarë ai kishte mundur të zbulonte, kjo tokë që më pas kaloi në pronësi të biznesmenit Artan Gaçi, nga shtetasi Stavri Mëhilli, nuk kishte qenë kurrë truall, por kishte qenë në fondin bujqësor të fshatit Gjilek.
Ndërkohë që ligji sipas tij e përcakton shumë qartë se çfarë është tokë truall dhe çfarë jo, ku në këtë rast është e qartë se toka bujqësore në pronësi të fshatit Gjilek është ndarë si tokë truall, për t’i shërbyer më pas biznesmenit Artan Gaci, për qëllimet e veta. Pra, sipas Fredi Belerit, kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, nuk duhet të ëonte për regjistrim një AMTP të tillë, që ishte nxjerrë qëllimisht jashtë fondit bujqësor të fshatit, arsye për të cilën ai ka kërkuar edhe ndjekjen penale të kryebashkiakut Goro, që është ende në detyrë,
“Kryetari i Bashkisë Himarë në asnjë lloj mënyre nuk mund të dërgonte për regjistrim një sipërfaqe toke jashtë fondit të tokës bujqësore dhe për më tepër që nr kadastral i parcelës i përcaktuar në AMTP, për sipërfaqen 5512 m2, konkretisht me nr 36/36/1 nuk përputhen me asnjë nga nr kadastrale të hartës kadastrale, në bazë të të cilës është bëreë ndarja e tokës bujqësore dhe që pasqyron ngastrat dhe fondin e tokës bujqësore të kooperativës së fshatit Gjilek-Dhërmi në kohë, hartë që Bashkia Himarë e posedon. Dërgimi i kësaj AMTP per regjistrim me procedure te veçantë sipas përcaktimeve të bëra ne shkresën përcjellëse dërguar ne ZVRPP Vlore është haptazi ne kundërshtim me ligjin”, thuhet më tej në kallëzimin penal të Fredi Belerit.
Këtu duket se fillon edhe implikimi i Artan Gacit në këtë aferë, pasi me tu regjistruar sipërfaqja e tokës prej 5 512 m2 në emër të shtetasit Stavri Mëhilli, kjo familje ia kalon tokën në pronësi biznesmenit Gaci, ndërkohë që Fredi Beleri pretendon në kallëzimin e tij se firma autentike në AMTP-në e vitit 1994, që ka shërbyer për ndarjen e tokave në fshat, dhe pikërisht për këtë pronë bujqësore, është e falsifikuar.
Një tjetër shkelje që Fredi Beleri evidentoi në AMTP-në që u përdor si dokument për përvetësimin e pronës së fshatit Gjilek, fillimisht nga trashëgimtari i familjes Mëhilli ishte edhe fakti që në këtë AMTP ishte ndërruar zëri kadastral.
“Nga përmbajtja e AMTP në emër të Foto Mëhilli duket qartë se nr kadastral ose nr i ngastrës 36/36/1 nuk ka ekzistuar në vitin 1994 moment në të cilin është ndarë tapia. Dukshëm AMTP është përputhur me hartën aktuale të ASHK Vlorë dhe për rrjedhim është e falsifikuar”, thuhet në kallëzimin penal të Fredi Belerit.
Sipas Fredi Belerit, përgjegjësia e Jorgo Goros, si kryetar i Bashkisë së Himarës, qëndron më tej në faktin se ai mori të mirëqenë deklaratën e përfituesit Stavri Mëhilli, pa marrë parasysh numrin e kadastrës dhe të vendosjes së ngastrës së tokës që përkonte me një numër kadastral në rrethin e Vlorës.
”Kryetari i Bashkisë Himarë Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar plan vendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie”, thuhet më tej në kallëzimin penal të Belerit.
Por për Fredi Beleri të gjitha veprimet dhe mosveprimet e kryetarit të Bashkisë Jorgo Goro, janë bërë me qëllimin e caktuar për të favorizuar biznesmenin Artan Gaëi, që është njëkohësisht edhe bashkëshorti i ministres atëkohë të Mbrojtjes, Olta Xhaëka, e cila më pas mbajti edhe detyrën e Ministres së Jashtme, deri në muajin shtator të vitit 2023, kur edhe u largua nga ky post nga kryeministri Rama. Znj. Xhacka, që sipas Belerit, nuk deklaroi konfliktin e interesit që kishte me detyrën, si përfituese e drejtpërdrejtë e këtij investimi strategjik, në një tokë që më pas do të rezultonte me letra të falsifikuara.
“Të gjitha veprimet e kundraligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë pasi është blerë është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaci, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme. Edhe shtetasja Olta Xhaëka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në kallëzimin penal të Belerit.
Hetimet
Hetimet e SPAK, zbuluan detaje të rënda të përfshirjes së zyrtarëve shtetërore në tjetërsimin e sipërfaqes së tokës në një nga zonat më të lakmuara në bregdetin e jugut dhe vendosi sekuestrimin e saj. Sipas gjetjeve të kryera nga SPAK, rezultoi se pasuria e shitur nga shtetasi Stavri Mëhilli, kryer ndaj personit Artan Gaçi, ishte kryer nëpërmjet një akti të rremë AMTP-je. Që të provonte pretendimet e ngritura nga Mihallaq Bonjaku e më vonë nga Fredi Beleri, SPAK me urgjencë sekuestrpo pronat pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.
“Në këtë drejtori janë këqyrur dhe një seri dokumentesh të fotokopjuara, lidhur me pasqyrimet e gjendjes juridike/transaksionet, etj, që kanë lidhje me pasurinë nga buron AMTP-ja lëshuar në emër të shtetasit Foto Mëhilli. Rezulton se 12 gusht 2020 Këshilli i Qarkut Vlorë, ka dërguar pranë ASHK-së praktikat e krijuara nga drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës.
Akti në fjalë përmban listën emërore të shtetasve për të cilën është dërguar një kopje e formularit nr.6, i cili gjendet sipas inventarit fizik në DAMT (Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës), për fshatin Gjilek, me numër rendor nga 1 deri në 248.
Në numrin rendor 142 ndodhet emri i Foto Pavllo Mëhilli, dhe rubrika shënime, ka shënimin “pa vulë”. Bashkangjitur shkresës ndodhur kopje e formularit nr.6 (ky formular përmban cdo të dhënë për pronën). Nga përmbajtja e kësaj kopje e formularit nr.6 nuk rezulton të jetë pasqyruar ndonjë pasuri tjetër përvec asaj të përshkruar më sipër, përfshirë këtu pasurinë nr.36/36/1 të llojit truall me sipërfaqe 5512 m2 ndodhur në vendin e quajtur Perivolo, Gjilek, Dhërmi, referuar kopjen e AMTP-së vënë në dispozicion nga kallëzuesi”, thuhet në dosjen hetimore.
“Në Shënjestër” ka mundur të sigurojë ekskluzivisht vendimin e gjykatës së Posaçme që ka miratuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pronës. Është pikërisht ky dokument, ku gjatë hetimit, janë sekuestruar dokumentet edhe pranë Këshillit të Qarkut.
Rezultatet e kqyrjes tregojnë faktin se deklarimet e palës shitëse bërë në kontratën e shitjes së pasurisë së paluajtshme me përfaqësues me prokurorë të trashëgimtarëve të Foto Mëhilli, shtetasi Stavri Mëhilli janë me përmbajtje të rreme.
Nga të dhënat e siguruara më tej, SPAK konfimoi po kështu se AMTP-ja e përdorur nga shtetasi Stavri Mëhilli, trashëgimtar i Foto Mëhillit, kishte një numër kadastral që nuk i përkiste aspak, fshatit Gjilek në Dhërmi, në juridiksionin e Bashkisë Himarë, por një zonë kadastrale në qytetin e Vlorës.
“Duke krahasuar të dhënat me rezultatet e të dhënave të dokumenteve që ndodhen ne Këshillin e Qarkut Vlorë, ato i përkasin një praktike tjetër e cila nuk ka asnjë lidhje me korrespodencën që Stavri Mëhilli ka mbajtur me këtë institucion dhe as me ndonjë konfirmim të përcjellë nga DAMT-ja pranë Këshillit të Qarkut Vlorë. Të dy numrat e protokollit në fjalë rezultojnë se kanë lidhje me një informacion të dërguar pranë prokurorisë Vlorë, për një pasuri krejtësisht të ndryshme në numër kadastral dhe vendndodhje me atë për të cilën referon kontrata, në të cilën ka nënshkruar si përfaqësues i trashgimtarëve të pronarit, Stavri Mëhilli”, thuhet në dosjen hetimore.
Këto duket se nuk ishin të vetmet shkelje që SPAK gjeti, ajo edhe më e rënda, lidhet me vetë rolin e kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, në këtë skandal, ku nga hetimet rezulton se Goro ka shënuar se AMTP-ja në emër të Stavri Mëhillit, është konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë. Gjë që në fakt rezulton se nuk është e vërtetë, pasi kjo zyrë nuk i ka kthyer asnjë përgjigje Bashkisë Himarë.
“Nga kqyrja ka rezultuar edhe një fakt tjetër, i cili provon paraqitjen e të dhënave të rreme të pasqyruara në shkresën nr 731 prot datë 18 mars 2019 dërguar nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro në adresë të ZRPP-së Vlorë. Në këtë shkresë rezulton se titullari i njësisë vendore, ka përcjellë pranë ZRVPP një seri aktesh mes të cilave edhe ‘konfirmim’ nga Këshilli i Qarkut Vlorë”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga kqyrja e pasqyruar si më sipër bërë pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, evidentohet fakti që kërkesa për konfirmim të formularit nr.6 (kërkesa për konfirmim në lidhje me pasurinë e pretenduar nga Foto Mëhilli) ka mbërritur në Këshillin e Qarkut vetëm me datë 15 prill 2019, pra rreth një muaj pasi vetë kryetari i Bashkisë, në shkresën e tij të datës 18 mars 2019, citon ta ketë bërë pjesë të akteve të cilat janë përcjellë ZVRPP me qëllim regjistrimin e pasurisë së pretenduar nga Stavri Mëhilli.
Për më të tepër nga kqyrja në këtë regjistër ka rezultuar se Këshilli i Qarkut Vlorë, nga ana e tij nuk ka kthyer asnjë përgjigje ne adresë të Bashkisë pas administrimit të kërkesës nga kjo e fundit. Kjo shkelje e paprecedentë e ligjit, nga ana e kryebashkiakut Jorgji Goro, u konfirmua edhe nga investigimi që Byroja Kombëtare e Hetimit, i bëri këtyre dokumenteve në muajin shtator të vitit 2023, nga ku doli se shtetasi Foto Pavlo Mëhilli, kishte në fshatin Gjilek në Dhërmi, vetëm një sipërfaqe ullishte prej 1200 m 2, që nuk përkonte me sipërfaqen e tokës prej 5512 m2 që trashgimtari i tij Stavri Mëhilli, i kishte shitur biznesmenit Artan Gaëi. Hetuesit e BKH-së me 18 shtator 2023, zbarkuan edhe në Bashkinë Himarë dhe bënë kqyrjen e regjistrit të Korespodencave të institucionit për vitin 2019.
“Rezulton se Bashkia ka pasur të dokumentuar në regjistrat e saj pronësinë e Foto Pavllo Mëhillit vetëm mbi sipërfaqen e tokës bujqësore të ndodhur Langadhaqe me sipërfaqe 1200 m2 të llojit ullishte dhe asnjë sipërfaqe veç kësaj. Në këto kushte për Bashkinë Himarë ka qenë tërësisht e mundur për tu verifikuar vërtetësia ose jo e AMTP dhe formularit nr.6 të paraqitur nga Stavri Mëhilli dhe pa ju drejtuar paraprakisht Këshillit të Qarkut Vlorë, për sa kohë rezulton se ky institucion (Bashkia) rezulton e qartë se dispononte dokumentacionin për ndarjen e pronës të Foto Pavllo Mëhillit. Siç rezulton në mospërputhje dhe kundërshtim me dokumentacionin që vetë Bashkia administronte pranë saj, Bashkia Himarë nëpërmjet kryetarit të Bashkisë ka përcjellë dokumentacion i cili përmban të dhëna të pavërteta lidhur me sipërfaqen e tokës truall të referuar në AMTP e Foto Pavllo Mëhillit.
Bazuar mbi këto fakte që nuk linin dyshime mbi një falsifikim të mundshëm të AMTP-së që më pas u përdor për aktin e shitjes së pronës, Prokuroria e Posaçme, mori në pyetje edhe shtetasin Stavri Mëhilli, që kishte bërë shitjen e truallit prej 5512 m2 te biznesmeni Artan Gaçi”, thuhet në dosjen hetimore.
“Prona ka qenë e babait tim shtetasit Foto Mëhilli, i cili ka pasur në pronësi një AMTP. Babai ka vdekur në vitin 2015 dhe më ka lënë në shtëpi këtë AMPT origjinale. Fillimisht unë kam bërë kërkesë për konfirmim të kësaj AMPT-je në Këshillin e Qarkut Vlorë, në Drejtorinë e Administrimit të Tokës që gjendet në varësi të këtij institucioni.
Kërkesën e kam paraqitur me shkrim, në vitin 2019 dhe mesa më kujtohet ajo është protokolluar. Mua më ka kthyer përgjigje Këshilli i Qarkut Vlorë, ku bashkëlidhur më ka ardhur edhe konfirmimi i formularit nr.6, në emër të babait tim. Unë kisha në pronësi sipas AMTP-së dy parcela, një në vendin ‘Llangallaqe’ dhe një në ‘Perivolo’, sipërfaqe 5512 m2. Konfirmimi më ka ardhur me zarf në shtëpi nga Këshilli i Qarkut Vlorë, brenda të cilit ishte konfirmimi i formularit nr.6.
Më pas unë bëra një deklaratë noteriale të kufitarëve, parcela në vendin e quajtur ‘Perivolo’ ka vetëm një kufitar, shtetasin Andrea Duni”, ka deklaruar Stavri Mëhilli. Pasi kreu këto veprime, Stavri Mëhilli, tha përpara hetuesve, se ai iu drejtua Bashkisë Himarë, por ai pohoi përpara hetuesve se nuk e kishte deklaratën origjinale të vitit 1994, që vërtetonte se familja e tij ishte trashëgimtare e sipërfaqes prej 5 512 m2.
“Pasi bëra gati dosjen tek noteri, unë bëra kërkesë në Bashkinë Himarë për regjistrimin e pronës. Unë deklaroj se nuk e disponoj AMTP-në origjinale me nr.9677 datë 7 Shkurt 1994, fshati Gjilek, për pasurinë me sipërfaqe 6712 m2, pasi nuk e kam gjetur në banesë këtë dokument. Por nga hetimi i mëtejshëm rezultoi se ndryshe nga sa thoshte Bashkia Himarë në vitin 2019, se zona në fshatin Gjilek ishte e pamenaxhuar dhe kishin vështirësi në lidhje me hartën treguese të regjistrimit të pronave, e vërteta rezultoi ndryshe”, ka deklaruar më tej Stavri Mëhilli.
Pasi SPAK zbuloi se Bashkia në fjalë ishte tërësisht në dijeni të gjendjes faktike të pronës së shtetasit tashmë të ndjerë, Foto Pavlo Mëhilli, që kishte si trashëgimtar të tij Stavri Mëhillin.
“Në vijim shkresa përcjellëse nr.731 datë 18 mars 2019 e Bashkisë Himarë, nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, drejtuar ZVRPP Vlorë, bën me dije se zona Kadastrale 1739 Gjilek është zonë e pa menaxhuar dhe se ata (Bashkia) nuk disponojnë hartë treguese të regjistrimit. Si rezultat nuk mund të shprehej për juridiksionin dhe vendodhjen e pronave dhhe se kufinjtë e pronës janë treguar sipas thënieve të poseduesit Stavro Foto Mëhilli.
Shkresa e Jorgo Goros nuk i përgjigjet rrethanave të faktit, pasi nga dokumentacioni i këqyrur dhe i marrë, në kuadër të hetimit rezulton se Bashkia Himarë ka qenë plotësisht ne dijeni të gjendjes juridike të pasurisë së ndarë në favor të Foto Pavlo Mëhilli.
Nga të dhënat rezulton se Stavri Mëhillit, iu deshën vetëm 5 ditë për të regjistruar pronën prej 5512 m2 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Pasi më herët mori konfirmimin, kjo falë Bashkisë Himarë se kjo pronë ishte e tija”, thuhet në dosjen hetimore.
“Mbi bazën e këtij dokumentacioni të përcjellë nga ana e Bashkisë, Himarë, ASHK-ja ka pajisur trashgimtarët e Foto Pavllo Mëhilli me dokumentin vërtetim nga dokumenti hipotekor për pasurinë me sipërfaqe 5512 m2”, thuhet në dosjen hetimore.
Detaji që bie në sy është se prona në fjalë është regjistruar brenda 5 ditëve, nga momenti kur Stavri Mëhilli aplikoi.
“Nga hetimet rezulton se pranë ASHK-së Vlorë me datë 17 shkurt 2020, në bazë të kërkesës së Stavri Mëhillit, është regjistruar pasuria me sipërfaqe 5512 m2 ne emër të Foto Pavllo Mëhilli (trashëgimtarët). Nga kjo praktikë rezulton se Stavri Mehilli ka aplikuar më datë 12 shkurt 2020 për shërbimet lëshim vërtetimi pronësie dhe vetëm 5 ditë më pas, më 17 shkurt 2020 është pajisur me certifikatën përkatëse të pronësisë. SPAK thekson se e gjitha procedura është përmbyllur vetëm nëpërmjet praktikës së Bashkisë”, thuhet në dosjen hetimore.
E gjithë procedura e regjistrimit të pronës me sipërfaqe 5512 m2, rezulton se ka nisur dhe është përfunduar vetëm nëpërmjet praktikës së përcjellë nga Bashkia Himarë, e cila është shoqëruar nga shkresa e nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro. Asnjë dokument tjetër nuk rezulton të ketë shërbyer për qëllime të regjistrimit të pasurisë në fjalë, vec atyre të përcjella nga Bashkia Himarë.
Vetëm 10 ditë pasi bëri të vetën pronën, rezulton se Stavri Mëhilli, të ketë kryer shitjen te kompania ndërtuese në emër të biznesmenit Artan Gaëi. Me një vlerë prej 120 milionë lekësh të vjetër, për një sipërfaqe prej 5512 m2, në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, pra, toka u shit për vetëm 21 mijë lekë të vjetra m2.
“Rezulton se kjo pasuri është transkriptuar më pas në nenin hipotekor nr.83 datë 26 shkurt 2020 ZK.1739 nëpërmjet kontratës së shitjes se pasurisë së paluajtshme, por një moment që theksohet nga SPAK është se blerësi i kësaj prone, e pagoi këstin e parë për llogari të Stavri Mëhillit përpara se ky i fundit ta regjistronte atë në kadastër”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.
Pra, sic thamë më lart, prona u regjistrua më datë 17 shkurt 2020, ndërsa Artan Gaçi e ka likuiduar këstin e parë me 25 korrik 2019, pra disa muaj përpara se Mëhilli të dispononte certifikatën e pronësisë.
“Nga dokumentet rezulton se pala shitëse janë trashëgimtarët e Foto Mëhilli, ndërsa pala blerëse është shoqëria AG.TË shpk me administrator Artan Gaçi. Sipas kontratës rezulton se prona është shitur pas rivlerësimit me një vlerë 12.677.600 lekë, nga të cilat kësti i parë në vlerën e 3.000.000 lekë është likuiduar me datë 25 korrik 2019, nëpërmjet një transaksioni bankar. Dhe kësti i dytë në vlerën 9.677.600 lekë, është likuiduar në datë 25 Shkurt 2020. aktualisht prona figuron e regjistruar në pronësi të shoqërisë AG.TCC shpk”, thuhet në dosjen hetimore.
Pra tashmë edhe për prokurorinë ishte e qartë se trashëgimtari i familjes Mëhilli, kishte vetëm një pronë prej 1200 m 2 në fshatin Gjilek, dhe ndërkohë kishte shitur te kompania ndërtuese e bashkëshortit të Olta Xhaçkës, një truall prej 5512 m2, që nuk ishte në pronësi të tij.
“Pra sikurse në AMTP autentike (pa ndërhyrjet dhe shtesat që rezultojnë të falsifikuara) në emër të familjes së shtetasit Foto Pavlo Mëhilli rezulton të jetë ndarë sipas ligjit 7501 vetëm një ngastër tokë e llojit ullishte me sipërfaqe 1200 m2 dhe nuk rezulton asnjë e dhënë për sipërfaqen tjetër 5512 m2 e cila rezulton me përmbajtje të AMTP-së që vetë përfaqësuesi i trashëgimtarëve të shtetasit Foto Pavlo Mëhilli ka paraqitur pranë Bashkisë Himarë dhe pranë ASHK për regjistrimin e pronës dhe njëherësh akti bazë që ka shërbyer për regjistrimin e kësaj sipërfaqe dhe me pas shitjen e saj tek pronari aktual”, thuhet në dosjen hetimore.
Nisur nga falsifikimet që zbuloi, SPAK e ka bllokuar tashmë këtë pronë, që është thuajse gjysma e sipërfaqes ku bashkëshorti i ish-ministres po ndërton resortin luksoz. Por hetimi nuk iu ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve që ngrihen në këtë rast? A mundej dot i vetëm Stavri Mëhilli të falsifikonte dokumentat e kësaj prone? Përse Jorgo Goro bëri kërkesë të vecantë për regjistrim? A ka zyrtarë të tjerë të përfshirë dhe a vepruan ata për llogari të ëiftit Gaçi-Xhaçka?
Investitori strategjik
Zbulimet e SPAK, janë vetëm një pjesë e aferës që ndihet tashmë në ajër dhe për të cilën po hetohet edhe investitori strategjik, Artan Gaçi, që duke shfrytëzuar lidhjet e tij politike si ish-deputet, por edhe të bashkëshortes, disa herë ministre në maxhorancën aktuale, por edhe deputete e Kuvendit për disa mandate me radhë, në ngjyrat rozë të socialistëve, mundi të shtjerë në dorë në Dhërmi sipërfaqen e tokës prej 5 512 m2, që sot provohet se është pronë e falsifikuar.
Mbi të cilën ka nisur ndërtimin e resortit luksoz, në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit të jugut, dhe jo vetëm kaq, por edhe të luajë fijet dhe të fitojë për një periudhë 30 vjeçare, një sipërfaqe të konsiderueshme të bregdetit në këtë zonë, duke u fshehur këtë herë në emrin e kunatës amerikane të bashkëshortes së tij, Olta Xhaçka.
Ishte rrjeti investigativ BIRN, që do të zbulonte për herë të parë, konfliktin e interesit të ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, mandati i së cilës tashmë është në rrezik, qe ka bërë që në derën e saj të trokasë Prokuroria e Posaçme. Gjithçka nis më 29 mars 2021, kur Komiteti i Investimeve Strategjike, që e kryeson kryeministri dhe në përbërje ka disa ministra, i dha statusin investitor strategjik Artan Gaçit ish-deputet i PS dhe bashkëshort i Xhaçkës, or vetëm disa muaj më pas, në korrik, ky komitet e ndryshoi vendimin dhe ia kaloi statusin një kompanie në dukje amerikane, që sipas një marrëveshje me kompaninë e Gaçit do të menaxhonte investimin.
Në muajin mars të vitit 2022 Këshilli i Ministrave shpalli vendimin për dhënien në përdorim në një zone bregdetare në Dhërmi, për një periudhë 30 vjeçare për kompanisë ‘AGTCC Hotel Management”. Pronare e kompanisë që në pamje të parë dukej se ishte amerikane, rezulton të jetë shtetasja amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton (Tauni Lin Grzyç Saton), që përveç shqiptimit disi të komplikuar të gjeneraliteteve, tërhoqi edhe vëmendjen e gazetarëve, për të hetuar se kush ishte ajo.
Zbulimi ishte suprizues, Sutton, ishte në fakt partnerja e Andi Xhaçkës, ky i fundit, vëllai i ministres së Jashtme atëkohë, Olta Xhaçka.
Kaq mjaftoi të dilte në dritë fakti, se bashkëshortët Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, po përpiqeshin nëpërmjet këtij makinacioni tashmë të njohur si ‘prestanome’, të fshihnin konfliktin e interesit, në këtë rast të vetë ministres së Jashtme, Xhaçka, që tashmë e sheh veten në telashe me drejtësinë. Ky nepotizëm i cili u duk sikur i shpëtoi lojës kukafshehti, u konfirmua edhe nga të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Siç rezulton nga këto të dhëna, kompania ‘AGTCC Hotel Management’ është në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton. (Tauni Lin Grzyç Saton), 31-vjeçares së lindur në shtetin e Masaçusets në SHBA, por me banim në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë.
E reja që duket se gjeti në Shqipëri jo vetëm dashurinë e saj të jetës, por edhe i ndriti fati në biznes, duke krijuar një kompani hotelerie, që shpejt do fitonte eksluzivitete, të cilat dikush tjetër do i kishte vështirë qoftë edhe t’i ëndërronte.
Kompania e Sutton e fitoi të drejtën e përdorimit të tokës në bregdet nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë ‘AG.TCC’ Sh.p.k në pronësi 100 % të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres Xhaçka. Kompania e Gaçit ka marrë statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”. Komiteti i Investimeve Strategjike i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij.
Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike të datës 29 mars 2021, kompania në pronësi të Artan Gaçit thuhet se vlera e investimit do të jetë mbi 5.5 milionë euro. Projekti parashikohet të zhvillohet në një sipërfaqe prej 10 592 m2, me vendndodhje në fshatin Gjilek, Himarë.
Subjekti ka lidhur kontratë me brand ndërkombëtar, me gjasë duke nënkuptuar kompaninë e kunatës amerikane të bashkëshortes së tij.
Sipas të dhënave të siguruara nga buletinët informativë të bizneseve në Shqipëri, Sutton e regjistroi kompaninë ‘AGTTC Hotel Management’ në QKB, më datë 25 qershor 202. Vetëm tri muaj, pasi më 29 mars 2021, projekti ‘Dreamades Luxury Suites’ i kompanisë ‘AG.TCC’ të Artan Gaçit, mundi të përfitonte statusin e investitorit strategjik.
Të shpallur fitues në bazë të vendimit të KIS (Komitetit të Investimeve Strategjike) dhe vetëm një vit pasi Stavri Mëhilli, nga fshati Gjilek i Himarës, t’i shiste biznesmenit Artan Gaçi, nëpërmjet një AMTP-je tashmë të vërtetuar nga SPAK si të falsifikuar, sipërfaqen e tokës prej 5512 m2.
Por deri këtu askush nuk do kishte dyshime se pas këtyre shitjeve dhe transaksioneve fshihej Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij, ministrja e kohës Olta Xhaçka, nëse një emër i përbashkët nuk do të lidhte emrin e amerikanes Tawni Sutton (Tauni Saton), biznesmenit me lidhje me pushtetin dhe bashkëshortes së tij ministre.
Ky emër i përbashkët, do të ishte Iris Erebara, e cila figuronte të ishte juristja që kishte regjistruar në QKB, si kompaninë e Artan Gaçit ashtu edhe të znj. Sutton. Këtë fakt e konfirmon Prokurora e Posaçme, që është pikërisht ky dokument që shihni në këto momente.
Kompania ‘AGTTC Hotel Management’ në pronësi të Sutton është regjistruar në QKB më 25 qershor 2021. Veprimet e regjistrimit janë bërë me prokurorë nga juristja Iris Erebara, e cila është gjithashtu juriste e kompanisë ‘AG.TCC’ Sh.p.k në pronësi të Artan Gaçit.
Artan Gaçi, e justifikoi praninë e juristes së tij edhe në regjistrimin e kompanisë së Sutton, me shpjegimin se ai kishte gjetur një amerikane me përvojë në menaxhimin e investimit dhe të plazhit, kjo me qëllim sipas të tij për të shmangur konfliktin.
Pra sipas bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, kompania e tij do të blinte tokën dhe do të ndërtonte aty resortin, dhe kompania që më pas do të zbulohej se ishte në emër të nuses së vëllait të bashkëshortes së tij ministre, do të merrte në përdorim menaxhimin e ranishtes përpara resortit. Ndërkohë që ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, por i shtyrë dy herë për miratim nga Kuvendi, e ndalon këtë konflikt të pastër interesi.
Por siç thamë, menjëherë pasi i dha kompanisë së Artan Gaçit, statusin e investitorit strategjik, pasi ky i fundit do ndërtonte resortin turistik ‘Dreamades Luxury Suites’ në fshatin Gjilek në Dhërmi, qeveria i dha këtë herë kompanisë ‘AGTTC Management Hotel’ me pronare Taëni Sutton (Tauni Saton), një sipërfaqe bregdetare përballë këtij kompeksi, për shfrytëzim për një periudhë 30 vjeçare.
“Kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.
Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29 Mars 2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë’”, thuhet në vendim.
Kjo bujari e qeverisë Rama shërbeu më tej edhe për lidhjen e marrëveshjes midis dy kompanive, asaj në emër të Artan Gaçit dhe asaj të Taëni Sutton (Tauni Saton). Pas regjistrimit në QKB, dy kompanitë kanë nënshkruar një marrëveshje për operimin e strukturave turistike në projektin ‘Dreamades Luxury Suites’, ku përfshihet dhe operimi i stacioneve të plazhit përballë hotelit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ‘AG.TTC’ Sh.p.k i ka kërkuar Komitetit të Investimeve Strategjike reflektimin e saj në vendimin e shpalljes së investimit strategjik.
Më 15 korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga kryeministri Edi Rama e miratoi kërkesën dhe i njohu kompanisë së sapokrijuar nga Sutton masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonën përkatëse të plazhit përballë kompleksit për një afat 30-vjeçar. Fitimi i një statusi të tillë, nuk do të ishte favori i vetëm që qeveria Rama do ti bënte kompanisë hoteliere të Artan Gaçit, pasi shpejt në funksion të kësaj kompanie, u vendosën edhe lehtësira të tjera, të cilat do të mundësonin kryerjen në kohë të punimeve që nuk mund të shkonin përpara pa pasur një dorë ndihmë në këtë rast nga qeveria.
Ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015 dhe i shtyrë dy herë nga Parlamenti i njeh statusin ‘investitor strategjik’ në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dy vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike përcaktohen edhe lehtësi të tjera për dy kompanitë në pronësi të familjarëve të afërt të ministres Xhaçka, të tilla si asistencë dhe procedurë e përshpejtuar për çdo akt administrativ, funksionimin e shërbimeve mbështetëse të furnizimit me ujë, lidhjen në rrjetin elektrik, kanalizimet e ujërave dhe infrastrukturë rrugore për objektin.
Por për t’u kthyer te implikimi i ministres së kohës Olta Xhaçka, cili është roli i saj dhe si mund ta shmangte ajo konfliktin e interesit në çështjen në fjalë që çoi në SPAK jo vetëm bashkëshortin e saj, por edhe e largoi nga detyra ministren, e cila kur ishte në opozitë si pjesë e lëvizjes ‘MJAFT’, luftonte pikërisht këtë nepotizëm, ku sot në pushtet ra pre, ajo dhe familja e saj.
Neni 70, pika 3 e Kushtetutës i ndalon deputetët që të kryejnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të tyre. Për shkelje të paragrafit 3, çështja mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë. Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit, Sokol Nano, djali i ish-kryeministrit Fatos Nano, i pyetur në lidhje mbi një konflikt të mundshëm interesi në rastin konkret, iu përgjigj rrjetit investigativ BIRN, se i gjithë procesi ishte ligjor dhe se agjencia që ai drejton nuk kishte konstatuar asgjë të paligjshme që të mund ta shqetësonte. Lidhur me interesimin nëse përfitimi i tokës publike nga të afërmit e ministres Xhaçka përbënte shqetësim për konflikt interesi, mund t’ju them se: I gjithë procesi është legal. AIDA ka bërë verifikimin e të gjithë dokumenteve për dhënien e statusit, por kërkimet e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit, nuk duken të kenë qenë aq të thelluara, ose AIDA ka mbyllur veshët dhe sytë përballë letrave që i janë vënë përpara.
Pasi zonja Sutton (Saton), kjo e re amerikane që la tokën e premtuar në vendin e saj dhe e gjeti atë shumë shpejt në Shqipëri, nuk rezulton të ketë pasur sipërmarrje në fushën e biznesit në vendin e saj të origjinës. Përveç faktit tashmë të ditur që ajo ka kryer studimet për biznes në një universitet privat në Tiranë. Të vetmet gjurmë kibernetike të mbetura tek e tuk nëpërmjet imazheve fotografike në motorin e kërkimit google, e tregojnë atë në momente gëzimi në krah të partnerit të saj, Andi Xhaçka, vëllait të ish-ministres dhe deputetes aktuale socialiste, Olta Xhaçka.
Lidhje dashurie e cila mesa duket ka nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që një lumturi të tillë shpreh edhe nëna e saj Heather Sutton (Hidhër Saton), e cila teksa i uron ditëlindjen partnerit të vajzës, Andi Xhaçka, i shkruan më tej atij se ëshë ‘krenare që e ka dhëndër’. Ndërsa në një tjetër imazh të publikuar në profilin e saj në Faceboook, znj. Sutton, mban gjithashtu foto të çiftit të vendosura në kornizë në shtëpinë e saj si dhe foto me të bijën dhe Xhaçkën pranë një peme Krishtlindjesh.
Artan Gaçi, nëpërmjet një interesimi të BIRN, ka pranuar se e ka përfshirë kompaninë me emër të ngjashëm të regjistruar në emrin e Tawni Sutton (Tauni Saton), për të shmangur sipas tij konfliktin e interesit.
Kompani që siç thamë u themelua vetëm tri muaj pas vendimit për shpalljen investitor strategjik, të kompanisë me administrator, Artan Gaçin.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët. Sipas ligjit, më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët. Pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori. Për këtë arsye kam folur me shumë jurist, ndërsa kompaninë e Taëni Lin Grzych-Sutton e kam përzgjedhur unë”, ka deklaruar Gaçi.
Artan Gaçi sqaroi më tej, se midis tij dhe kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ me administrator, Tawni Sutton (Tauni Saton), është bërë edhe një kontratë, nga ku është rënë dakord që njëra palë të bëjë investimin dhe tjetra menaxhimin.
Gaçi madje nuk e shikon aspak si problem që dy kompanitë kanë të njëjtën jurist, apo që ai është ai është bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, apo që Taëni Sutton (Tauni Saton), administratorja e kompanisë ‘AGTTC Management Hotel’, që fitoi në përdorim për 30 vite vijën bregdetare përballë resortit të tij është partnerja e vëllait të bashkëshortes së tij.
“Juristja ime Iris Erebara e ka asistuar kompaninë amerikane që të bëjë regjistrimin në QKB. Nuk ka asnjë abuzim këtu, thjesht po vuaj pasojat që jam burri i ministres. Nuk kam pse të vuaj këtë fakt në punët e mia të biznesit vetëm se jam bashkëshorti i ministres”, ka deklaruar Artan Gaçi.
Por pyetja që lind është, a mund ta fitonte një status të tillë biznesmeni Artan Gaçi, nëse nuk do ishte bashkëshorti i ministres në atë kohë, Olta Xhaçka dhe po e njëjta pyetje shtrohet edhe për partneren amerikane të vëllait të ish-ministres.
Ndonëse për çiftin Gaçi-Xhaçka, çështja e kamuflimit dhe shmangies së konfliktit të interesit, nuk përbën problem, vetë Komiteti i Investimeve strategjike parashikon heqjen e statusit të investitorit strategjik, në momentin kur konstaton se janë kryer shkelje. Në rastin konkret janë zbuluar dy shkelje. Konflikti i interesit, por edhe falsiteti i gjysmës së pronës mbi të cilën po realizohet ky investim.
“Në rast se përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit investues strategjik “Dreamades Luxury Suites” konstatohen të dhëna të pavërteta, të rreme apo ndryshime të të dhënave të dala rishtazi, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të këtij projekti me procedurën e veçantë, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik. Ndërkohë që në muajin shtator në bazë edhe të vendimit të mëposhtëm Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, pranoi kërkesën e SPAK, për sekuestrimin e pronës prej 5 512 m2 në fshatin Gjilek në Dhërmi, që do të shërbente për ndërtimin e restortit ‘Dreamades Luxury Suites’ në pronësi të biznesmenit Artan Gaçi.”, ka deklaruar Komiteti i Investimeve Strategjike.
Por ndërsa kjo aferë mban emrin e shumë personave, deri më tani asnjërit prej tyre nuk i është komunikuar akuzë nga SPAK, edhe pse gjetjet e Prokurorisë së Posaçme janë të rënda dhe do të duheshin të shoqëroheshin me masa shoqërimi ose ndalimi, për personat përgjegjës.
Duke filluar nga Stavri Mëhilli dhe deri te personat e tjerë sipas radhës që kanë guxuar të kryejnë falsifikime të tilla deri në përvetësimin e një sipërfaqe të tillë prone. Me gjithë këto prova, tashmë është në dorën e SPAK të tregojë edhe njëherë se përpara ligjit, integriteti i pushtetarëve është i barabartë, në rastet kur konstatohen abuzime të tilla, gjë që mbetet për tu parë, nëse kjo prokurori do e ngrejë edhe njëherë stekën, kur bëhet fjalë për ministra të qeverisë aktuale Rama, që pushtetin e kanë vënë në shërbim të familjarëve të tyre të ngushtë.
Siç mund të provohet të jetë edhe rasti i investitorit strategjik, Artan Gaçi dhe bashkëshortes së tij, ish-ministres Olta Xhaçka dhe partneres së vëllait të saj, Taëni Sutton (Tauni Saton).
/Emisioni “Në Shënjestër” – News 24/