Kushdo që e shpjegon situatën e tensionuar botërore si një konflikt i ri midis Lindjes dhe Perëndimit, me siguri që i shikon me habi ngjarjet e fundit në Bosnjë-Hercegovinë. Edhe njerëzit që shëtisnin në mbrëmje në Banjalukë u habitën me 8 tetor, kur panë “Pallatin e Republikës Srpska” të ndriçuar në ngjyrat e Izraelit, me një Yll të madh të Davidit në mes.
Presidenti i RS Milorad Dodik, i cili sapo ishte kthyer nga Ankaraja, demonstroi solidaritet me Izraelin një ditë pas sulmit terrorist nga Hamasi. “Populli serb dhe populli izraelit janë të lidhur ngushtë nga një histori e përbashkët vuajtjesh”, tha ai, një aludim për Luftën e Dytë Botërore, kur serbët dhe hebrenjtë iu nënshtruan gjenocidit nga regjimi ustash.
Politika e jashtme kundër Sarajevës
Nga ana tjetër, në Sarajevë, ku pas luftës së viteve nëntëdhjetë, mbështetësit më të fuqishëm të Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shiheshin si çlirimtarë, mbizotëronte solidariteti me Gazën e rrethuar. “Ne e dimë se çfarë do të thotë kur nuk ka ujë, kur nuk ka asgjë për të ngrënë, kur vriten fëmijët,” tha kryebashkiakja Benjamina Kariq në një tubim propalestinez, duke tërhequr një paralele me rrethimin serb të qytetit të saj nga viti 1992 deri në 1995.
Ajo që shëtitësit e Banjalukës panë në Pallatin e tyre të RS ishte një projeksion – si fjalë për fjalë ashtu edhe figurativisht. Që nga sulmi terrorist nga Hamasi dhe reagimi izraelit, deklaratat e politikanëve plot ndjeshmëri ndaj izraelitëve apo palestinezëve dhe interesave kombëtare të grupit të tyre etnik janë të përziera. Polemikat që rrethojnë Lindjen e Mesme i japin Dodikut – i cili normalisht është fort në anën e mbështetësit të Hamasit, Vladimir Putin – një mundësi për të akuzuar strukturat e urryera të qeverisë në kryeqytetin Sarajevë për antisemitizëm. Për më tepër, kjo bën të mundur forcimin e aleancës me kroatët e HDZ, të cilët janë gjithashtu kritikë ndaj Sarajevës.
Përpjekjet për qetësimin e situtatës
Ata që janë më të prekurit po përpiqen të qetësojnë situatën. Jakob Finci, udhëheqësi i komunitetit të vogël hebre në Sarajevë, shmang deklaratat polarizuese, por në të njëjtën kohë paralajmëron për rritjen e antisemitizmit dhe kritikon “mungesën e reagimit të qeverisë”. Në takimin me kryetarin e Presidencës, Zheljko Komshiq, përfaqësuesit e hebrenjve u angazhuan për “luftë të përbashkët kundër antisemitizmit dhe islamofobisë”.
Megjithatë, si masë paraprake, hebrenjtë anuluan koncertin e planifikuar për të mërkurën e ardhshme në kujtim të Natës së Kristaltë dhe pogromit në Gjermani në vitin 1938 për arsye sigurie. Në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2013, vetëm 281 persona në të gjithë vendin u deklaruan hebrenj. Numri i hebrenjve vlerësohet nga 1000 deri në 1100.
Komuniteti Islamik tha se “padrejtësia që palestinezët kanë vuajtur për dekada” nuk mund “të justifikojë terrorizmin, ashtu si sulmet ndaj civilëve izraelitë nuk mund të justifikojnë persekutimin e civilëve palestinezë”. Këshilli i intelektualëve boshnjakë iu referua “pesë shekujve të fatit të përbashkët të muslimanëve dhe hebrenjve në Bosnje” dhe premtoi “të ruajë nderin e hebrenjve”. “Veprimet terroriste të formacioneve ushtarake dhe paraushtarake myslimane”, siç u njoftua, “nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin”.
Interesat lokale
Deklaratat e zyrtarëve lokalë shpesh bazohen në një përpjekje për të mbajtur një distancë të barabartë nga të dyja palët. Kryetari i bashkisë së qytetit të ndarë etnikisht të Mostarit, Mario Kordiç, një kroat i moderuar, bëri thirrje për “solidaritet me të gjitha viktimat e luftës” dhe siguroi se tubimet në favor të njërës palë në luftën në Lindjen e Mesme “nuk do të inkurajohen ose mbështetur.”
Nga ana tjetër, pikëpamjet më të njëanshme mund të shpjegohen më pak nga shqetësimi për paqen ose qëndrimi ndaj Lindjes së Mesme, dhe më shumë nga interesat përkatëse në luftën brenda-boshnjake për pushtet. Dragan Çoviq, lideri i HDZ-së dhe një prej liderëve në “Federatë”, si dhe kryetarja e re e qeverisë së Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, treguan një orientim të dukshëm proizraelit.
Në të njëjtën kohë, kreu aktual i shtetit, kroati Komshiq, shprehu madje edhe mirëkuptimin e tij për Hamasin dhe i interpretoi vrasjet dhe rrëmbimet e tyre nga fillimi i tetorit si “një akt dëshpërimi që e sheh zgjidhjen në terrorizimin e civilëve”. Kur ambasadori izraelit Galit Peleg protestoi, Komshiq u përgjigj jashtëzakonisht vrazhdë dhe tha se vetëm një “idiot dashakeqës ose i manipuluar” mund ta interpretonte atë kaq gabim. Edhe pse ai është përfaqësuesi kroat në Presidencën shtetërore prej tre anëtarësh, Komshiq mbështetet kryesisht nga elektorati boshnjak.
Mbështetje e Hamasit nga radhët e SDA
Nga radhët e partisë më të fortë të boshnjakëve, por së fundmi në opozitë SDA, herë pas here vijnë edhe deklarata nxitëse. Anëtari i Kryesisë, Haris Zahiragiq, i cili edhe para përshkallëzimit të fundit u dallua me deklaratat e tij radikale, tejet antiperëndimore, tha se “rezistenca në një vend të pushtuar nën aparteid”, pra në territoret palestineze, “nuk mund të jetë terrorizëm”.
Sherif Patkoviq, një politikan i shquar lokal i partisë, me një të kaluar si udhëheqës i “brigadës myslimane” në luftën e Bosnjës, u ofrua madje si luftëtar për Hamasin, (që kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe, shën red.) “Në një moment të caktuar,” thotë ai, “do të vihej në dispozicion”./Dw