Disa ditë pasi militantët e Hamasit kanë nisur sulmet në Izrael, më 7 tetor, një mal me video e fotografi janë përhapur në rrjetet sociale, duke e bërë të vështirë për gjithë audiencën që të filtrohet e vërteta prej informacionit të rremë.
Ndonëse janë shpërndarë shumë fotografi reale të situatës, ato prapëseprapë janë përzier me pretendime të rreme dhe keqinterpretime të videove dhe zhvillimeve tjera.
Në mesin e lajmeve të rreme ka qenë ajo se një komandant i lartë izraelit është rrëmbyer, duke e cituar një raportim të transmetuesit britanik BBC, si dhe janë transmetuar audio-klipe të vjetra të presidentit rus, Vladimir Putin, me një përkthim krejt tjetër prej asaj që ka folur, në gjuhën angleze.
“Video e liderit verikorean Kim Jong-un duke e fajësuar presidentin amerikan, Joe Biden, për luftën Izrael-Hamas”
Faktet: Videoja ka qenë e vitit 2020, dhe një version që është duke qarkulluar së fundi, është me përkthim të shtrembëruar. Në pamje, në fakt, shihet Kim duke e festuar 75-vjetorin e themelimit të Partisë Popullore Koreane, dhe ai nuk e përmend konfliktin në Lindje të Mesme dhe as Bidenin.
Në videon me përkthim të shtrembëruar, Kim thotë: “Nën administratën Biden, konfliktet janë duke shpërthyer çdo vit. Këtë vit lufta ka nisur mes Izraelit dhe Palestinës”.
“Frikësohem që nëse administrata Biden nuk pushon së ekzistuari në zgjedhjet e radhës, do të mund të nisë Lufta e Tretë Botërore. Kush e di çfarë lufte do të nisë vitin tjetër. Unë e mbështes Donald Trumpin për president më 2024. Paç fat, zoti Trump”.
Kjo video e shpërndarë në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok, i ka mbledhur mbi 223.000 pëlqime.
Megjithatë, videoja është e vjetër dhe përkthimi nuk përkon aspak me deklaratat.
Incizimet dhe pamjet e takimit të njëjtë datojnë prej tetorit të vitit 2020.
Transkripti i fjalimit të plotë, të përkthyer në gjuhen angleze nga Komiteti Kombëtar i Koresë së Veriut, organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, nuk përmend asgjë për luftën Izrael-Hamas dhe as garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA.
“Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, kërcënon me intervenim në luftën Izrael-Hamas”
Faktet: Presidenti konservator mysliman nuk ka thënë diçka të tillë. Postimi I tij I fundit në rrjetet sociale për konfliktin, është keqinterpretuar.
Përdoruesit e rrjeteve sociale janë duke e shpërndarë një deklaratë, që thonë se është e tij, në të cilën lideri turk paralajmëron se shteti I tij do të marrë hapa vendimtarë për t’I dhënë fund konfliktit, nëse vazhdon shkatërrimi I Gazës së kontrolluar nga Hamasi.
“Presidenti turk Erdogan ka kërcënuar me intervenim në luftën e Izraelit në Gazë: I bëj thirrje gjithë njerëzimit që të veprojë për t’I dhënë fund brutalitetit të pashembullt në Rripin e Gazës. Nëse jo, ne do të veprojmë”, ka shkruar një përdorues në rrjetin social X, areorm e njohur më are si Twitter, në një postim të shpërndarë më shumë se 105.000 herë.
Mirëpo, Erdogan ka thënë diçka tjetër në postimin e 17 tetorit.
“Në një postim, të shkruar në gjuhën turke, presidenti e ka ftuar “gjithë njerëzimin” për të ndihmuar në ndalje të “brutalitetit të pashembullt në Gaza”
Mirëpo, ai nuk ka thënë që “nëse nuk ndalet, ne do të veprojmë” dhe as nuk ka kërcënuar për përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake të Turqisë, sipas folësve të gjuhës turke dhe ekspertëve tjerë që e kanë analizuar postimin e Erdoganit.
“Presidenti Erdogan nuk ka kërcënuar me intervenim në konflikt”, ka thënë Steven Cook, ekspert i Lindjes së Mesme në Institutin Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.
“Ai ka folur në përgjithësi që bota duhet të bëjë presion që Izraeli ta ndalë fushatën ushtarake”.
Elizabeth Shakman Hurd, profesoreshë e shkencave politike, e specializuar për çështje të Lindjes së Mesme, ka thënë se ajo nuk ka parë deklarata se Erdogan ka bërë kërcënime të këtilla diku tjetër.
“Ushtria izraelite konfirmon bombardimin e spitalit në Gazë”
Faktet: Një fotografi që është duke qarkulluar në Facebook, i është atribuuar një llogarie të lidhur me ushtrinë izraelite.
Një postim i tillë nuk ekziston në asnjë llogari të ushtrisë izraelite në rrjetet sociale, dhe zëdhënësi i saj në gjuhën arabe e ka konfirmuar se ky institucion nuk i ka lëshuar deklaratat që janë shpërndarë.
Pas shpërthimit vdekjeprurës të 17 tetorit në spitalin al-Ahli në Gazë, përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë shpërndarë një fotografi të një deklarate, duke thënë se është e një anëtari të ushtrisë izraelite, i cili ka folur në gjuhën arabe.
Në atë postim, me simbole të ushtrisë izraelite, sugjerohet se kombi i hebrenjve e ka bombarduar spitalin, sepse kjo qendër në qytetin e Gazës ka qenë pa staf dhe pa rezerva të ilaçeve.
Më vonë, ushtria izraelite ka thënë se nuk ka bërë asnjëherë postime të tilla dhe ka thënë se e ka treguar “qartë se ushtria nuk e ka sulmuar spitalin”.
Për më shumë, zyra për media e ushtrisë izraelite nuk e përdor logon e ushtrisë në rrjetet sociale, për dallim prej llogarisë së rreme.
“Një video e emirit të Katarit, i cili kërcënon me ndalje të furnizimit me gaz natyror nëse Izraeli nuk i ndal sulmet në Gaza”
Faktet: Emiri i Katarit, sheiku Tamim bin Hamad Al Thani, nuk i ka bërë deklaratat që janë duke qarkulluar. Videoja është e gjashtë vjetëve më parë. Një zëdhënës për Qeverinë në Katar, ka konfirmuar, po ashtu se as emiri, dhe as ndonjë zyrtar tjetër qeveritar nuk kanë kërcënuar me ndalim të eksporteve, pas nisjes së konfliktit.
Shumë përdorues të rrjeteve sociale janë parë duke e shpërndarë deklaratën e udhëheqësit të Katarit, duke pretenduar se në gjuhën arabe, ai është duke thënë se ka gatishmëri për t’i ndalur furnizimet për ta arritur dhënien fund të luftës Izrael-Hamas.
Në fakt, videoja që është duke qarkulluar, është marrë nga një forum i Dohas, i vitit 2017.
Marc Owen Jones, profesor për studime të Lindjes së Mesme në Universitetin Hamad bin Khalifa në Doha, ka konfirmuar se emiri flet pak për palestinezët në video, por nuk bën kërcënime që lidhen me konfliktin aktual.
Në atë video të vitit 2017, ai vetëm i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa për ta adresuar krizën e refugjatëve në rajon.
“Përkthimi i saktë është: Çështjen e Palestinës do ta nis duke thënë se është temë për njerëzit që janë larguar prej tokave të tyre dhe janë zhvendosur prej kombit të tyre”, ka thënë Jones përmes një emaili.
Qeveria e Katarit e ka konfirmuar se videoja është e vitit 2017 dhe është duke u keqinterpretuar.
“Ky është një tjetër rast i dezinformimit kundër Katarit – një deklaratë e tillë nuk është bërë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë”, ka shkruar zyra për media e Katarit.
“Katari nuk do t’i kthejë furnizimet me gaz të lëngshëm natyror në çështje politike apo mundësi për investime ekonomike”.
Katari është një prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit natyror. Ky shtet është i treti për nga numri i rezervave më të mëdha të gazit natyror në botë dhe ka qenë eksportuesi i dytë më i madh i gazit të lëngshëm natyror më 2021, sipas Administratës amerikane për Informacione mbi Energjinë.
Për më shumë, ky shtet është thënë se ka punuar me vite që përmes burimeve të veta të ndërtojë lidhje me kombet tjera dhe jo të mbajë distancë me to, sipas ekspertëve.
“Në një material të BBC-së konfirmohet se Ukraina i ka dërguar armë Hamasit”
Faktet: Kjo video është e fabrikuar, kanë thënë punëtorë të BBC-së dhe Bellingcat, faqes hulumtuese, e cila është cituar si burim i informacionit.
Në videon e shpërndarë, e cila është krijuar në formatin dhe stilin e BBC-së, është cituar një raport i faqes Bellingcat që supozon se Ukraina i ka ofruar armë Hamasit.
“Bellingcat: Dështimi i ofensivës ushtarake ukrainase dhe lidhjet me sulmet e Hamasit”, është përmendur në video, e cila ka mbledhur më shumë se 2.500 komente dhe 110.000 shikime në platformën për mesazhe, Telegram.
“Palestinezët kanë mbledhur armë, municione, dronë dhe armë tjera”.
Mirëpo, as BBC-ja dhe as Bellingcat, nuk kanë raportuar dëshmi për të mbështetur pretendimin se Ukraina i ka dhënë armë Hamasit.
“Nuk kemi arritur në përfundime të tilla dhe as nuk kemi bërë pretendime të tilla”, ka shkruar Bellingcat më 10 tetor, në një postim në X.
“Ne duam ta përmendim se ky është fabrikim dhe duhet të trajtohet si duhet”.
Eliot Higgins, themelues i organizatës me bazë në Amsterdam, ka thënë përmes një postimi në X se pretendimet janë përhapur shumë nga përdoruesit rusë të rrjeteve sociale.
Zëdhënës të BBC-së nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment, mirëpo Shayan Sardarizadeh, gazetar në njësitin për hulumtim të fakteve në këtë organizatë, ka thënë se videoja nuk është reale.
Edhe zyrtarët ukrainas e kanë hedhur poshtë pretendimin se armët e shtetit të tyre janë nisur për në Hamas.
Ekspertët kanë thënë se nuk ka të dhëna që Hamasi ka bërë deklarata se ka pranuar armë nga Ukraina.
“Videoja e një aktoreje të re duke xhiruar një film afër një pishine me gjak të rremë, si material për propagandë në luftën Izrael-Hamas”
Faktet: Pamjet që janë duke qarkulluar janë të filmit “Vendi bosh”, i metrazhit të shkurtër, që fokusohet në historinë e Ahmad Manasras, palestinezit që është arrestuar në moshën 13-vjeçare, më 2015, lidhur me therjen e dy izraelitëve.
Përdoruesit e rrjeteve sociale janë duke shpërndarë videon dhe mbështetësit e Hamasit dhe Izraelit e përdorin për të bërë propagandë për palën tjetër.
Në xhirime, aktori i ri shihet i shtrirë dhe i mbuluar në gjak artificial. Aktorët tjerë janë të veshur si ushtarë ose si burra hebrenj ortodoks.
“Shiheni sesi izraelitët kanë bërë video të rreme, duke thënë se luftëtarët palestinezë janë duke vrarë fëmijë”, ka thënë një përdorues i rrjeteve sociale në një postim që i ka mbledhur më shumë se 5.6000 pëlqime dhe mbi 4.400 shpërndarje, deri më 11 tetor.
Në një tjetër postim në Instagram, videoja është përshkruar ndryshe: “këta terroriste janë veshur si ushtarë hebrenj për të krijuar materiale të rreme për ushtarët izraelitë”.
Mirëpo, asnjëri pretendim nuk është i saktë. Xhirimet janë të filmit të prodhuar më 2022 nga regjisori Awni Eshtaiwe, i cili jeton në Bregun Perëndimor.
Mohamad Awawdeh, si asistent kamere në xhirime të filmit, ka publikuar pamje të xhirimeve, duke thënë se ato datojnë prej prillit të vitit 2022.
“Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëron SHBA-në të qëndrojë larg luftës Izrael-Hamas”
Faktet: Të dyja videot që kanë qarkulluar online janë të vjetra dhe në to Putini flet për luftën e Rusisë në Ukrainë e jo për konfliktin në Lindje të Mesme. Përkthimi nuk është adekuat.
Në materialet e rreme, pretendohet – përmes përthimit në gjuhën angleze – se Putini paralajmëron SHBA-në që të përmbahet nga ofrimi i ndihmës për shtetin hebre.
“Amerika dëshiron ta shkatërrojë Palestinën, ashtu sikurse ne Ukrainën”, thuhet në përthimin e një videoje.
“Jam duke e paralajmëruar Amerikën, Rusia do t’i ndihmojë Palestinës dhe Amerika nuk mund të bëjë asgjë”, është përmendur në një klip të shpërndarë, i cili është shikuar 11.600 herë.
Në një tjetër pjesë të videos së rreme, citati i Putinit është përkthyer kështu: Jam duke e paralajmëruar SHBA-në që të qëndrojë larg luftës Palestinë-Izrael”.
Videoja e parë e shpërndarë daton prej dhjetorit të vitit 2022, dhe është e një takimi të Këshillit të Rusisë për të Drejta të Njeriut, dhe në të është diskutuar për luftën në Ukrainë.
Ai, mes tjerash, është përgjigjur për përdorim potencial të armëve bërthamore.
Videoja e dytë është e shkurtit të vitit 2023, kur është shënuar 80-vjetori i fitores së forcave sovjetike ndaj nazistëve gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve më 9 tetor, se Rusia është “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga “spiralja e dhunës” në Izrael.
Mikhail Bogdanov, zëvendësministër i jashtëm rus dhe ish-ambasador në Izrael dhe Egjipt, i ka thënë medias shtetërore TASS, më 7 tetor, se Moska ka qenë në kontakt me ‘të gjitha palët [e konfliktit], përfshirë shtetet arabe”, dhe ka bërë thirrje për “ paqe dhe armëpushim të menjëhershëm”./REL