Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës dy anët e medaljes së Shqipërisë; shpenzimet e luksit për të pritur delegacionet e BE-së dhe gjendjen e mjerueshme të Rezervave të Shtetit.
Nga njëra anë krerët e shtetit presin gjithë pompozitet delegacionet që mbërritën gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, madje me lule, ushqime e dhurata dhe nga ana tjetër magazinat e Rezervave s’kanë grurë dhe karburant.
Ditën e hënë, Tirana ishte në “shtetrrethim”, pasi një pjesë e mirë e rrugëve ishin bllokuar për të pritur zyrtarët e BE-së dhe Ballkanit. Organizimi i këtij eventi iu besua Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, një drejtori që menaxhon shtëpitë e pritjes dhe pushimit të krerëve të shtetit. E njëjta drejtori që merret me rezidencat në gjithë Shqipërinë. Më saktë për rikonstruksione, mobilime apo edhe ushqimet e shtetarëve. Organizimi fillonte nga Rinasi, me mbërritjen e avionëve e deri te pritja në qendër të Tiranës. Më pas, të ftuarit shkonin në ambientet e rikonstruktuara të Piramidës.
1.1 milionë euro për të pritur delegacionet e BE-së
Por, sa u ka kushtuar shqiptarëve i gjithë ky organizim?! Emisioni “Fiks Fare” ka hulumtuar dokumente qeveritare dhe nga Agjencia e Prokurimit Publik, ku rezulton se e gjithë kostoja ka shkuar në rreth 1.1 milionë euro. Gjysma e këtyre parave u shpenzua para Samitit dhe gjysma tjetër vetëm ditën e hënë. Pra, për disa orë! Paratë erdhën nga Fondi Rezerve i Buxhetit të Shtetit, teksa ato u përdorën për infrastrukturën e dedikuar, si pritëse ashtu edhe akomoduese të liderëve. Gjithashtu, një pjesë e parave kanë shkuar për sigurinë dhe ushqimet që do u shërbehen të ftuarve.
Mësohet se, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të paktën në pesë vitet e fundit, Samiti i Procesit të Berlinit është organizimi shtetëror me shpenzimet më të larta.
Por, si u dhanë këto para?! Për çfarë janë bërë tenderat? U bënë me procedura normale apo me negocime me firmat private? Fiks Fare ka siguruar dhjetëra dokumente të procedurave të zhvilluara nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Kjo është një listë e procedurave të zhvilluara me shpejtësi dhe në emergjencë nga kjo drejtori. Megjithëse të dhënat ndodhen në Agjencinë e Prokurimit Publik, ajo që vihet re është se procedurat janë të regjistri i parashikimeve. Deri më sot, në APP nuk janë shpallur fituesit! Por, në fakt, të gjitha mallrat apo shërbimet e kërkuara u realizuan, teksa procedurat janë bërë me negocime të drejtpërdrejta me firmat private. Pra, s’është bërë asnjë garë!
“Lule, dhurata, ushqime …”, tenderët e luksit për zyrtarët e BE-së
Fiks Fare vijoi hulumtimin, ku zbuloi plot 17 procedura tenderuese të kryera brenda një kohe të shkurtër. 1.3 milionë lekë u dhanë për “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për stafin mbështetës”. 800 mijë lekë u dhanë për ushqimin për delegacionët dhe liderët, 100 mijë lekë për kabina tualeti me qira për 1 ditë. Lista e tenderëve vijon me 191 mijë lekë për gota dhe pjatanca me qira, 333 mijë për lule natyrale apo edhe 620 mijë lekë për një stacion printimi.
Por, shteti jonë i varfër që s’ka grurë në Rezervat e Shtetit mendoi edhe për dhurata për këtë delegacion. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare bëri tender 5 milionë lekë për ‘dhurata për liderat dhe gazetarët”. Dhuratat ishin kravata, shaje, verë, raki, çanta te personalizuara dhe libra.
Ndërkohë, 1.7 milionë lekë u dhanë për 3 regji televizive për transmetime satelitore, 2 përkthyes morën 160 mijë lekë. Lista vijon me një shpenzim prej 880 mijë lekësh për vendosjen e 1 tapeti, montim dhe çmontim. Por, liderët e BE-së duhet të kishin edhe automjete VIP, ku Drejtoria mori 31 mjete me qira për një vlerë prej 3.6 milionë lekësh. 1.7 milionë lekë u shpenzuan për kancelari, dosje apo stilolapsa. 3 milionë lekë u përdorën për arredimin e ambienteve. Pedana, tavolina VIP, prodhim foltore ne formën e piramidës, filtra uv për xhamat e piramidës, veshje pasqyrë për kuba led, prodhim tavolinash per vip rooms etj.
Flamujt me shtiza kushtuan 666 lekë. Rreth 4 milionë lekë u përdorën për banera të përmasave të ndryshme, adeziv brandim, sinjalistike, çadra të loguara për regjistrime. Ndërkohë, 540 mijë lekë kushtuan 32 karikues të personalizuar. Lista përfundon me një shpenzim prej 2.9 milionë lekë për “shërbim foni, stage, ndriçimi, ekran led, tv, sistem perkthimi, kabina përkthimi, kufje përkthim dhe lidhje elektrike”.
“Rezervat e shtetit s’kanë grurë”, por kanë sutjena e mbathje!
Fiks Fare faktoi se një shumë prej 1.1 milionë euro ishte përdorur për të pritur delegacionin e BE-së, për Samitin e Procesit të Berlinit. Për ushqime, akomodime apo edhe dhurata. Në dukje, Shqipëria u duk e pasur në sytë e ndërkombëtarëve!
Por, nëse larg qoftë ndodh një fatkeqësi, a mund t’i ndihmojmë shtresat në nevojë apo të prekura me ushqimet bazë? Me ato të shportës? Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori zbuluar Rezervat e Shtetit. Ato Rezerva të cilat duhet të ishin plot me ushqime. Ky që po shikoni është raporti i KLSH-së, i titulluar “rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”. Në të jepen detaje të rënda, sesi këto Magazina nuk kanë asnjë kilogramë grurë! Një produkt që prodhon “bukën e gojës”, aq më tepër që këtë vit, çmimi për kilogramë u përgjysmua. Gjatë verës, bujqit u ankuan se gruri iu mbeti stok dhe i bënë thirrje qeverisë që të ndërhynte. Kjo e fundit, jo që nuk ndërhyri, por i la edhe Rezervat e Shtetit bosh!
Ja se çfarë shkruhet në këtë raport të KLSh-së; Mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve është një detyrim ligjor i shtetit, i cili sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në situatat e emergjencës civile, Rezervat i sigurojnë dhe garantojnë jetën dhe shëndetin qytetarit. Rezerva krijohet për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte). Shtrirja gjeografike në terren dhe mungesa e vëmendjes, ka sjellë për pasojë dëmtimin e kësaj infrastrukture”.
Pra, shteti duhet të sigurojë jetën dhe shëndetin në raste emergjence. Por, a realizohet? “Drejtoria nuk ka kryer një analizë të detajuar bazuar në nevojat e identifikuara për sasisë dhe llojit të mallrave rezervë materiale e shtetit. Nga të dhënat e paraqitura rezulton se gjendja dhe limiti minimal për mallrat rezervë materiale sipas grupeve ndarë në lloje dhe sasi, për periudhën 2019-2022, vijon si më poshtë: Artikulli “Mjete të rënda për çdo lloj transporti” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “grurë”, gjendja është zero. “Mjete të vogla lundrimi”, gjendja është zero. “Automjete të tonazhit të ulët nën 10 ton” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “Karburante”, gjendja është zero” vijon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas tij, “gjatë periudhës së auditimit deri në fund të vitit 2022, nga 22 artikuj, 20 prej tyre janë me diferenca, mungesa jo vetëm te gjendja orientuese e mallrave (sasisë) por edhe nën vlerat e limiteve minimale”.
Pra, artikujt grurë dhe karburant, gjendja është 0! Ndërkohë, çuditërisht, Drejtoria e Rezervave të Shtetit bën ankande për mallra të tjerë. Disa ditë më parë wshtw publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik. Rezervat e Fierit kërkojnë të shesin “mallra të ndryshëm industrial, vaskë, mbajtëse gjoksi sutjena të ndryshme, mbathje burrash të ndryshme, rroba banjo dhe letra bixhozi”. Në këtë njoftim jepet edhe një listë e këtyre artikujve, të cilat në total kanë një vlerë 164 mijë lekë.
Pra, rezervat e shtetit nuk kanë në gjendje karburant dhe grurë, por kanë sutjena, mbathje dhe letra bixhozi!
Tenderët e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare
– 1.350.000 lekë, “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për stafin mbështetës”.
– 100.000 lekë, “kabina tualeti (shërbim pastrimi) me qira për 1 ditë”.
– 800.000 lekë, “shërbim gatim ushqimi dhe kateringu për delegacionet dhe liderat”.
– 191.667 lekë, “materiale ndihmëse ushqimore me qira (gota me qira, pjatanca me qira etj)”.
– 333.333 lekë, “kompozime me lule natyrale”.
– 620.100 lekë, “stacion printimi”.
– 5.000.000 lekë, “dhurata për liderat dhe gazetarët (kravata, shaje, spila, verë, raki, çanta të personalizuara, libra)”.
– 1.750.000 lekë, “3 regji televizive dhe transmetime satelitore në të gjithë vendet e liderave pjesëmarrës, kamera, operatorë, teknik audio boom”.
– 160.000 lekë, “2 përkthyes (anglisht-shqip)”.
– 880.000 lekë, “tapet + montim, çmontim”.
– 3.697.960 lekë, “automjete vip 4+1 – 31 cope me qira”.
– 1.750.000 lekë, “kancelari (dosje, bllok, agjenda, stilolapsa të personalizuara)”.
– 3.000.000 lekë, “arredim i ambienteve (pedana, tavolina VIP, prodhim foltore ne formën e piramidës”.
– 666.667 lekë, “flamuj me shtiza, flamuj ansambli”.
– 3.916.666 lekë, “banera të përmasave të ndryshme”.
– 540.000 lekë, “32 karikues të personalizuar”.
– 2.903.000 lekë, “shërbim foni, stage, ndriçimi, ekran led, tv, sistem përkthimi.”/Top Channel