Presioni për të lënë Shqipërinë, për t’i shpëtuar varfërisë ka sjellë emigrimin e më shumë se 2 mijë të miturve shqiptarë, që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Rrugët që përdorin këta të mitur janë të ndryshme, duke përfshirë largimin drejt Britanisë së Madhe me gomone kundrejt një pagese prej 4,000 paund për person. Autoritetet vendase duket se nuk i kushtojnë vëmendje këtij fenomeni me mungesë statistikash dhe politikash efektive për frenimin e tij. Familjet shpesh fshehin largimin e fëmijëve për të evituar përgjegjësinë penale.
Grumbulli i njerëzve mpakej me çdo grup, që në terrin e natës ngjitej në gomone. Sa mbushej njëra, nisej; pastaj mbushej gomonia e dytë, nisej dhe ajo; pastaj, e treta. Pastaj shtatë orë në det deri në Angli. Rruga nga Kaléja, porti francez në ngushticën e La Manshit, deri në brigjet e Anglisë shkonte 4000 paund, diçka rreth pesë milionë lekë të vjetra.
Një gomone e tillë nuk duhet të mbante më shumë se dyzet veta. Në orën dy të mëngjesit të 15 gushtit të vitit të kaluar në atë gomone, Entoni (ky nuk është emri i tij i vërtetë) thotë se ishin ngjeshur nja gjashtëdhjetë vetë.
Tragetet, të cilëve iu kalonin afër, ngrinin dallgë.
“Edhe pse kishim mushama, ishim bërë qull dhe na mpiheshin duart.”
Kishte dy fëmijë, një dhe dy vjeç, me prindërit, si familje. “Njërin e mbajta unë në krahë. Të gjithë i mbanim fëmijët gjatë rrugës.”
Po të kishin fat, do të hasnin patrullat detare, britanike, që do t’i merrnin në fregatat e tyre dhe do t’i sillnin vetë pastaj në breg; kurse gomonia do t’i hidhte në ujë në breg të plazhit.
Pjesa më e madhe e atyre që ishin në gomone, përfshirë Entonin dhe një shok të tijin, ishin 15-16-vjeçarë, të mitur. Sido që të mbërrinin, menjëherë do të kërkonin azil.
Është e vështirë të kalosh një vend si aeroporti apo një udhëtim të rregullt si i mitur, pa pasur të paktën dokumente autorizimi nga prindërit, por gjatë gjithë historisë së emigrimit të paligjshëm nga Shqipëria një pjesë e mirë e atyre që kanë lënë vendin drejt Perëndimit kanë qenë të mitur të pashoqëruar.
Rastet janë me mijëra, thotë Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA/ECPAT Albania), një Organizatë Joqeveritare në Tiranë. “Kur vjen fjala tek fëmijët e pashoqëruar nuk ka një statistikë zyrtare, por të paktën çfarë shikojmë është që shifrat e këtyre fëmijëve lëvizin nga 2000 deri tek 5000 dhe 10 mijë. Flasim për të gjithë Europën”, – sqaron Hazizaj.
2120 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian, sipas Eurostat-it, Departamentit për Statistika të BE-së. Vjet, 34 për qind e 11,600 shtetasve shqiptarë, që kërkuan azil në zonën e BE-së, ishin fëmijë. Shqipëria zë vendin e pestë për të mitur azilantë, menjëherë pas vendeve me popullsi shumë më të madhe dhe me probleme më të mëdha sigurie se ajo, si Afganistani, Siria apo Iraku. Të dhënat e fundit nga Home Office, Ministria e Brendshme britanike, deri në tre-mujorin e parë të vitit 2023 ishin raportuar 275 raste të miturish nga Shqipëria, që përdoreshin për qëllime skllavërie. E gjithë kjo të bën të mendosh për kostot që ka emigracioni për këtë kategori.
“Fëmijët përdoren si faktorë të varfërisë”, – thotë Gëzim Tushi, sociolog në Tiranë.
Largimi nga Shqipëria përmban një seri shkeljesh të detyrës ligjore të prindërve, që nga braktisja e detyrës prindërore e deri tek braktisja e arsimimit të detyrueshëm.
Por për përmasat e këtij fenomeni pak flitet, dhe po të pyesësh institucionet në Shqipëri, pak dihet. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila duhet të qëmtojë dhe shqiptarët në botë, nuk disponon informacion dhe të delegon tek Ministria e Brendshme. Për këtë të fundit përgjigjen e ka Policia e Shtetit. Policia e Shtetit thotë se që nga viti 2013, “nuk mban më statistika (për të miturit që gjenden në Europë).”
Nuk dihet, gjithashtu se sa nga mbi 30,000 të miturit që Ministria e Arsimit raporton se kanë braktisur shkollën që nga 2006-a kanë emigruar. Ky institucion nuk e ka të zbërthyer këtë numër në fëmijë që braktisin vetëm shkollën, apo që braktisin edhe vendin.
Por një e dhënë tjetër e Policisë të Shtetit, se në katër vitet e fundit janë kallëzuar nga familjarët 287 raste largimi apo humbjeje kontakti me të miturit, por që në të gjitha ato raste fëmijët ose janë gjetur ose kontaktet janë rivendosur, të bën të mendosh se arsyet janë tjetërkund.
Prirja, në shumë vende perëndimore, e përcaktuar nga ligji apo jo, që të miturit që emigrojnë ilegalisht, të mos riatdhesohen, por të futen në programe integrimi në vendet ku janë, ka nxitur shumë adoleshentë shqiptarë që ta marrin atë rrugë vetë, në një kohë kur presioni, për të lënë Shqipërinë për t’i shpëtuar varfërisë, vazhdon të jetë i lartë.
Pjesa më e madhe e atyre që gjenden në vendet e BE-së, rreth një e treta, synojnë Italinë, vendin fqinj me emigrim të madh, historik, shqiptar. Në vitin 2021 numri i të miturve të pashoqëruar nga Shqipëria atje ishte 1186, në vitin 2022, 1347. Pjesa dërrmuese e tyre ishin djem.
Shifrat në atë vend nuk janë aq të larta sa në kohërat kur shqiptarëve iu duhej një vizë e marrë me vështirësi për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian, gjë që favorizonte emigrimin e paligjshëm masiv.
“Ato kohë, – thotë Madjana Nuredini, juriste e specializuar në të drejtën e punës dhe emigrimit në Padova, – të miturit shqiptarë ishin më të shumtë edhe se ata që vinin nga vendet e varfra të Afrikës.” Por edhe vitet e fundit, sipas Ministrisë Italiane të Emigracionit, shifrat vazhdojnë të jenë me mijëra; edhe tani, sipas Nuredinit, në Itali “Shqipëria është në vend të katërt, pas Ukrainës, Egjiptit dhe Tunizisë”.
Në masë të madhe një presion i tillë migrues shpjegohet me teknikat e reja për të nxjerrë leje qëndrimi në vende si Italia. Tashmë azili politik nuk funksionon më nga Shqipëria, pasi shqiptarët udhëtojnë në BE pa viza dhe Shqipëria konsiderohet vend i sigurt. Por, para gjashtë vjetësh Italia nxori një ligj, që ndalonte riatdhesimin e të miturve, që kanë emigruar atje në mënyrë të paligjshme dhe e detyronte shtetin t’i legalizonte dhe t’i integronte.
“Tani përdoren fëmijët për t’i marrë lejet e qëndrimit (në Itali), permesso-t, – thotë Nuredini. – Mosha e mitur i ndihmon të pajisjen më shpejt me leje qëndrimi. Pastaj, shpesh ndihmojnë prindërit t’i marrin.”
Në verën e vitit 2021, në moshën 16 vjeçare dhe me një vit gjimnaz të mbaruar, Erlisi (nuk është emri i tij, inicialet e tij janë E. C.) mori tragetin për në Itali dhe u nis me të ëmën. Por, kur mbërriti në Drejtorinë e Policisë në zonën e Milanos, u paraqit i vetëm, u pranua si i mitur i pashoqëruar dhe u çua në një azil. Në azil qëndroi deri 17 vjeç e gjysmë.
“Nuk punoja, vetëm kam bërë shkollën për të mësuar gjuhën. Jetoja në azil me një burrë shqiptar (si kujdestar) dhe me familjen bisedoja me anë të miqve që kisha.”
Kishte frikë të kontaktonte familjen drejtpërdrejt.
“Kisha frikë, a do e merrja apo jo permesso-n. Në Itali ka racizëm.”
Erlisit nuk i ndodhi si Jurgen Dervishit nga Divjaka, i cili tregon se si e gjeti mënyrën për të ikur në Itali në vitin 2013, pa bërë ende 16 vjeç. Dervishi u vendos në Arluno, një qytezë në perëndim të Milanos, ku jetonte familja e dajës së tij me leje qëndrimi. Pagoi një avokat 1500 euro për të rregulluar letrat, dhe gjeti punë si murator me një brigadë ndërtimi, pronari i së cilës ishte shqiptar.
“Nuk bëra asnjë vit shkollë. Doja vetëm një punë”.
Pasi mori rezidencën, ‘tërhoqi’ të ëmën në Arluno.
Është fenomen, me të cilin autoritetet, si në Shqipëri, si jashtë saj, duket se nuk dinë të përballen. Asnjëri nga personat me të cilët folëm nuk dukej i shqetësuar prej braktisjes së viteve të detyrueshme të shkollës.
Për emigracionin e pashoqëruar të të miturve, për shembull, Kodi Penal mund të bëjë përgjegjës familjet për braktisje të fëmijëve kudo ku ka ndodhur kjo, në Shqipëri apo jashtë saj. Megjithatë institucionet shqiptare duket se reagojnë në mënyrë të fjetur. Prokuroria shqiptare mund të procedojë prindërit në rastin e largimit të fëmijëve si braktisje e rolit të tyre, por ato merren kryesisht me raste të rralla ku është marrë një vendim në një gjykatë perëndimore për këtë.
Dhe në Shqipëri, thotë Altin Hazizaj i CRCA-së, “familjet nuk raportojnë humbjen e fëmijëve, sepse kanë përgjegjësi penale”.
Gjatë kërkimit tonë për këtë shkrim, mjaft familjarë na kanë thënë se të miturit që largohen të pashoqëruar nga vendi deklarohen si jetimë në Perëndim, në mënyrë që prindërit të mos ndiqen penalisht as në Shqipëri, as jashtë saj.
Dhe në Perëndim, sipas Hazizajt, “bëjnë sikur bëjnë diçka, por në fakt nuk bëjnë asgjë. “[Tani] krijohet përshtypja që askujt nuk i intereson se çfarë ndodh me ta.”
Për të vajtur në Angli, mund të gjesh shumë mënyra. Mund ta bësh si një 16-vjeçar nga Veriu, i cili vjet në shkurt u nis për në Vjenë me autobus, me pasaportë shqiptare dhe me autorizim nga prindërit. Në Vjenë mori avionin për në Londër me pasaportën e një 19-vjeçari bullgar dhe, sa zbriti aty, kërkoi strehim si fëmijë i braktisur.
Secili gjen rrugën e vet. I vëllai i tij në Shqipëri tregon se gjashtëmbëdhjetëvjeçari u adoptua nga një çift britanik, i cili e di atë për jetim.
Gjatë rrugës gomonia ku gjendej Entoni, për të cilin folëm në fillim të shkrimit, që ishte nisur nga Franca për në Angli, hasi në një anije të rojeve kufitare, britanike.
“Na morën në mes të detit, – na tha në një telefonatë në WhatsApp, – pastaj na çuan në kamp. Mua më mbajtën vetëm dy ditë, por një shokun tim e mbajtën tre muaj.”
Tregon se nuk është aspak e vështirë të gjesh rrjetet për të mbërritur në Britani.
“Me njerëzit, që më orientuan për te gomonia, kam pasur kontakte edhe në Shqipëri, jemi nga e njëjta krahinë. Janë çuna të mirë dhe më ofruan që atje për të shkuar dhe për të “punuar në shtëpi bari”, një shtëpi ku kultivohej kanabis, në Middleton, një qytezë në verilindje të Mançesterit.
Të njëjtën punë “bëjnë edhe disa adoleshentë që janë pjesë e të njëjtit grup”.
/ Ina Allkanjari dhe Dallandyshe Xhaferri / INA MEDIA