Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një adresimi televiziv më 7 tetor tha se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më herët gjatë ditës.
“Ne jemi në luftë”, tha Netanyahu. “Nuk është ‘operacion’, por luftë”.
Shërbimi kombëtar i shpëtimit në Izrael tha se të paktën 70 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e dhunës.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 198 persona janë vrarë në Gaza dhe mbi 1.600 të tjerë janë plagosur gjatë dhunës.
Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.
Luftëtarët e Hamasit po ashtu kanë kaluar kufirin e fortifikuar dhe kanë hyrë në Izrael, duke u përleshur me forcat e mbrojtjes së Izraelit në të paktën shtatë lokacione në jug të Izraelit.
Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.
“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.
Dhjetëra avionë luftarakë izraelitë raprotohet se kanë kryer operacione mbi Gaza, përderisa zyrtarët izraelitë deklaruan se kanë shënjestruar caqe ushtarake dhe qendrat e komandës së Hamasit.
Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festivali fetar bebrej.
Gjatë një adresimi televiziv, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, tha se Hamasi ka bërë “një gabim të madh” dhe u zotua se “shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”.
Netanyahu ka urdhëruar “mobilizimin e gjerë të rezervistëve”.
“Armiku do të paguajë me një çmim të paprecedent”, tha ai.
Miliona izraelitë janë strehuar pas lëshimit të alarmeve në qytetet në mbarë shtetin.
Bota dënon sulmin e Hamasit ndaj Izraelit
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe shtetet e tjera kanë lëshuar deklarata duke afirmuar të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kanë bërë thirrje për armëpushim.
SHBA-ja tha se e dënon sulmin nga “terroristët e Hamasit”, duke shtuar: “Ne qëndrojmë me Qeverinë dhe popullin e Izraelit”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Pentagoni do të punojë për t’u siguruar që Izraeli “ka atë që i duhet për të mbrojtur veten”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është informuar “për sulmet e tmerrshme terroriste të Hamasit në Izrael”, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Biden është në kontakt të ngushtë me partnerët e tij izraelitë lidhur me situatën.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka biseduar me presidentin dhe kryeministrin Izraelit.
“Franca qëndron në solidaritet me Izraelin dhe izraelitët, e përkushtuar për sigurinë dhe të drejtën e tyre për të mbrojtur veten”, tha Macron.
Edhe Shqipëria e Kosova kanë shprehur solidaritetin me Izraelin.
Një këshilltar i liderit suprem të Iranit tha se shteti i tij mbështet “operacionin krenar”, raportoi agjencia e lajmeve ISNA. Gjatë një sesioni plenar më 7 tetor, ligjvënësit iranianë mbrohoritën “Poshtë Izraeli” dhe “Poshtë Amerika”.
Në Liban, grupi militant Hezbollah lavdëroi Hamasin dhe tha se sulmi ndaj Izraelit ka “mbështetje hyjnore”.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia u kanë bërë thirrje të dyja palët të tregojnë përmbajtje. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm dhe paqe”.
Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 gjatë luftës gjashtëditore.
Katër luftërat midis Izraelit dhe Gazës
Operacioni i vitit 2008 – Më 27 dhjetor të vitit 2008, Izraeli nisi një fushatë të sulmeve ajrore kundër militantëve në Gaza. Operacioni u quajt “Plumbi”. Ky operacion synonte që të ndalte sulmet me raketa të palestinezëve në territorin e Izraelit. Më pas, Izraeli dislokoi edhe forca tokësore. Deri kur u shpall armëpushimi më 18 janar, 1.400 palestinezë dhe 13 izraelitë u vranë.
2012: “Shtylla e Mbrojtjes” – Më 14 nëntor të vitit 2012, Izraeli nisi operacionin e quajtur “Shtylla e Mbrojtjes”. Izraeli kreu sulme me raketa dhe vrau komandantin kryesor të Hamasit, Ahmed Jaabari. Në konfliktin që zgjati tetë ditë u vranë 177 palestinezë dhe gjashtë izraelitë. Militantët në Gaza lëshuan mbi 1.000 raketa në territorin e Izraelit, por qindra prej tyre u penguan nga sistemi i mbrojtjes ajrore i quajtur “Kupola e Hekurt”.
2014: “Skaji Mbrojtës” – Më 8 korrik të vitit 2014, Izraeli nisi operacioni “Saji Mbrojtës”. Sërish, ky operacion synonte të ndalte raketat palestineze dhe shkatërrimin e tuneleve që përdoreshin nga militantët për t’u infiltruar në Izrael. Izraeli sulmoi këtë enklavë nga ajri dhe deti. Konflikti shatëjavor la të vrarë 2.251 palestinezë dhe 74 izraelitë, përfshirë 68 ushtarë.
Maj, 2021: Lufta 11-ditore – Izraeli iu kundërpërgjigj breshërive të raketave të lëshuara nga Hamasi me një fushatë 11-ditore të sulmeve ajrore dhe të artilerisë. Në këtë konflikt u vranë të paktën 248 persona në Gaza, përfshirë 66 fëmijë. Në anën izraelite u vranë 13 persona, përfshirë një ushtar. Hamasi kishte kryer sulm me raketa pas përleshjeve mes forcave të sigurisë së Izraelit dhe palestinezëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem. Si pasojë e përleshjeve, qindra palestinezë ishin plagosur.
Maj, 2023: Përleshjet me Xhihadin Islamik – Pesë ditë luftime midis Izraelit dhe grupit tjetër militant në Gaza të quajtur Xhihadi Islamik, lanë të vrarë 33 persona në Gaza dhe dy në Izrael – një punëtor palestinez nga Gaza dhe një izraelit të moshuar. Përmes sulmeve ajrore, Izraeli vrau të paktën gjashtë figura të larta të Xhihadit Islamik, që konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të paktën gjashtë fëmijë dhe shumë civilë po ashtu u vranë në Gaza, para se Egjipti të negocionte një marrëveshje armëpushimi.
/rel/