Vrasja e Xhulio Prelës, punonjësit të Policisë së Shtetit me detyrë efektiv në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, i është faturuar 23-vjeçarit të vdekur, Briland Martinaj.
Në këtë konkluzion kanë dalë tre gjyqtarët e Lezhës, Eva Hysko, Alda Sadiku dhe Olti Skrame, të cilët fiks një vit pas vrasjes së Briland Martinajt në masakrën e mbikalimit të Fushë-Krujës, kanë etiketuar 23-vjeçarin si autorin e vrasjes së policit Prela, në fshatin Gajush të Lezhës.
Gjykata e Lezhës, në 13 korrik 2023, deklaroi të pafajshëm Redion Hysën, të akuzuarin kryesor të prokurorisë si autor i vrasjes së Xhulio Prelës dhe kanosjes me armë të Gjok Malaj.
Në të njëjtin vendim, dy nga 3 gjyqtarët e çështjes, vendosin të dënojnë me 3 vjet e 6 muaj burgim shokun e Briland Martinaj, Nikoll Shërrniku, (Çeri), i cili në proces gjyqësor akuzohej për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Në këtë çështje ndryshe nga si kishte orientuar hetimin prokurori Erion Shehaj, duke etiketuar si autor dhe kërkuar një dënimin me 20 vite burgim për Redion Hysën, gjykata në vendimin e saj ka vendosur ta deklarojë të pafajshëm.
Tashmë prokuroria e Lezhës ka apeluar vendimin duke kërkuar në Apelin Tiranë, dënimin me 20 vjet heqje lirie të Redion Hysës.
Ndërkohë, sipas tre gjyqtarëve, megjithëse dy armët e krimit tip “TT” dhe një kallashnikov janë gjetur në depozitën e ujit të banesës së Redion Hysa, prokuroria nuk ka kryer hetime të mjaftueshme për të provuar autorësinë e krimit të Hysës në dy ngjarjet kriminale të ndodhura në mesnatën e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë me 3 plumba punonjësi i policisë Xhulio Prela dhe në ngjarjen e 29 dhjetorit 2020, ku u kanos me armë Gjok Malaj.
Për gjykatën provohet se:
“…personi Briland Martinaj, i cili ka qënë në automjetin “Opel Frontera” me targë AA470BO, ka qënë personi që ka qëlluar në drejtim të viktimës Xhuljano Prela. Provat e administruara në këtë gjykim, konkretisht pamjet filmike të administruara, vijnë në përputhje me njëra-tjetrën, lidhur me kohën intenerarin dhe faktin se automjeti me targa AA470BO, nga ku ka rezultuar një person i seksit mashkull, ka qënë i vetmi automjet përgjatë rrugës ku ka ka ndodhur ngjarja.Ky mjet evidentohet më tej të jetë larguar në drejtim të aksit Rrilë-Ishull Lezhë, rreth orës 02:18 pasi ka ndodhur ngjarja kriminale në orën 02:07…”.
Por megjithëse tre gjyqtarët e Lezhës, ia faturojnë ngjarjen e vrasjes së policit Prela, Briland Martinaj, prokuroria në vitin 2021 ka proceduar me pushimin e akuzës për 23-vjeçarin.
Në kohën kur është kryer mbyllja e dosjes për Martinaj, ai ende nuk kishte mbetur vetë i vrarë në një atentat tjetër, të 17 korrikut 2022 në mbikalimi i Fushë-Krujës.
“…nga këqyrja e pamjeve filmike në aksion Gajush-Fushë Milot, për periudhën 02:03 deri në 02:20 minuta të mesnatës së 5 dhjetorit, brenda kohës që ka ndodhur ngjarja në këtë segment rrugor, kanë lëvizur vetëm dy automjete. Ai i policit të FNSH-së Xhuljano Prela dhe makina foristradë me targë AA 470 BO, që përdorej nga Briland Martinaj…”, thuhet në vendimin e gjykatës së Lezhës.
Një ditë pas vrasjes në datën 6 dhjetor 2020, Briland Martinaj është larguar në Kosovë dhe prej këtij përmes aeroportit të Prishtinës, është larguar në Stamboll, Turqi.
Mundësia e futjes së dy armëve në depozitë
Sipas vendimit të gjykatës, prokuroria ka bazuar akuzën e saj kundër Redion Hysa, duke u mbështetur vetëm tek zbulimi i armëve në depozitën e ujit që ndodhet në tarrancën e shtëpisë së Hysës.
Këto dy armë njëra automatike dhe tjetra pistoletë “TT”, kanë dalë se janë përdorur në vrasjen e policit Prela dhe në kanosjen me armë ndaj një punonjësi karburanti Gjok Malaj. Dy dyja ngjarje kanë vetëm vetëm 24 ditë nga njëra-tjetra dhe kanë ndodhur në muajin Dhjetor 2020.
“…pozicioni dhe vendi ku janë gjetur armët, në tarracën e banesës të të pandehurit Redion Hysa, në depozitën e ujit, nuk krijon bindjen te gjykata se këto armë kanë qenë në posedim vetëm të të pandehurit Redion Hysa. Pra, nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së këtyre armëve nga persona të tjërë…”, thuhet në vendim.
Këto dyshime gjykata i ngreh pasi 4 ditë para se policia e Lezhës të zbulonte armët tek banesa e Redion Hysa, ata kishin ushtruar një kontroll të imtësishëm dhe nuk kishin arritur të gjenin armatimin.
Indicia për të krijuar një kontroll të dytë në shtëpinë e Redion Hysa, ka ardhur vetëm pas ngjarjes së 29 dhjetorit 2020, ku u godit me 28 plumba kallashnikovi, Gjokë Malaj, shofer i një kamioni.
Pikërisht në mesnatës e 29 dhjetorit 2020 rreth orës 01:12 përmes numrit 0676763XXX, ka mbëritur një sms në telefonin e shefit të komisariatit të policisë Kurbin, Erdit Rrëçeku.
Në këtë mesash thuhej se: ”…zoti shef krimesh, u ba jë muaj që më kërcënojnë për punë kamerash Denis Hysa, Ed Hysa, Gen Kuqi, Vin Kuqi nga Miloti. Unë jam shofer kamioni, nuk jam pronar karburanti e sonte ma kanë ba makinën bira bira veq me mrem. M’kan gjujt sonte këta në Gajush…”.
Shefi i komisariatit ka dorëzuar përmbajtjen e këtij mesazhi tek anëtarët e grupit hetimor. Mbi bazën e këtij mesazhi, policia ka kontrolluar banesat e personave të përmendur, duke arritur të gjejë automatikun dhe pistoletën tek shtëpia e Redion Hysa.
Redion Hysa, i ka mohuar autorësinë e posedimit të dy armëve dhe njëherësh autorësinë e vrasjes së Xhulio Prelës dhe kanosjes së Gjok Malaj.
Gjatë seancave gjyqësore është thirur si dëshmitar Gjok Prela, i cili ka deklaruar para gjykatës se pas ngjarjes nuk i ka dërguar asnjë mesazh shefit të policisë Kurbin. Malaj më tej ka thënë se nuk e njihte fare Redion Hysën.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se numri nga është dërguar sms drejt shefit të komisariatit, i përket shtetasit Hermes Alinj një person nga Elbasani i arrestuar në 2014 për vjedhjen e kapakëve të pusetave.
Ende dhe sot Hermes Alinj nuk është gjetur nga policia dhe prokuroria për tu pyetur lidhur me rrethanat për dërgimin e këtij mesazhi drejt shefit të komisariatit policisë Kurbin.
“…fakti i gjetjes së armëve në një ambient jashtë banesës së të pandehurit, në një depozitë uji, për gjykatën ka krijuar dyshimin se sms-ja është dërguar qëllimisht, për të orientuar hetimin drejt banesës së të pandehurit Redion Hysa, me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale e personave të vërtetë të ngjarjes…”, thuhet në vendim.
Gjatë gjyqit babai i Xhulio Prelës, Martin Prela, ka deklaruar se konkluzionet e prokurorisë së Lezhës, janë rrjedhojë e një hetimi të mangët dhe për të dhënë një dënim sa për të “kënaqur” viktimën dhe opinionin publik.
Sipas tij, hetimet nuk janë të plotë pasi ende policia nuk ka gjetur makinën me të cilën lëvizte Briland Martinaj.
“…ka një akuzë alogjike për shtetasin Nikoll Shërniku, i cili akuzohet se është personi që i ka dhënë në përdorim mjetin shtetasit Briland Martinaj, për të cilin është kërkuar pushimi i hetimeve…”, ka deklaruar babai.
Në përfundim të gjykimit babai i Xhulio Prelës ka kërkuar që çështja ti kalonte për hetime të mëtejshme prokurorisë SPAK, pasi në këtë rast personat kanë vepruar si grup kriminal.
/Ora News/