Reperi Vinz, emri i vërtetë i të cilit është Ervin Selita, ka fituar lirinë në gjykatën e apelit dukë e konvertuar dënimin në shërbim prove.
Vinz u vu në prangat e policisë më 2 shkurt 2022.
Reperi me origjinë nga Burreli ka qenë në një hotel me të dashurën e tij, por nuk janë lejuar që të hyjnë. Konflikti ka nisur në recepsionin e hotelit pasi punonjësja që ndodhej aty ka kërkuar kartën e identitetit të Selitës dhe të të dashurës së tij. Këmbëngulja e reperit që të fuste të dashurën në hotel pa dhënë ID-në vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat dhe recepsionistja ka njoftuar pronarin, Zeni Xhindi.
Ky i fundit ka mbërritur në ambientet e biznesit të tij, por sërish gjërat nuk janë qetësuar. Sherri mes biznesmenit e reperit ka agravuar dhe ky i fundit ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka tentuar që ta vrasë Xhindin.
Gjykata e shkallës së parë e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg, vetëm për armëbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, duke i rënë kështu akuza e vrasjës së mbetur në tentative. Ky vendim është apeluar nga reperi me origjinë nga Burreli, dhe në përfundim ai u dënua me 3 vite shërbim prove.
Kujtojmë se Vinz është shumë i njohur edhe nga autoritetet britanike si pjese e grupit Hellbanianz, grup ku kryesisht aktivitetin e tyre e kanë në trafikun e drogës.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Apelit:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Më datë 02.02.2022 rreth orës 02:00 nga salla operative Tiranë është marrë njoftim se në lagjen e quajtur “Vilat Gjermane”, në fillim të rrugës “Tre Vëllezërit Kondi”, Tiranë kishte një konflikt mes disa shtetasve, konflikt i shoqëruar edhe me përdorimin e armëve të zjarrit.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.S, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 274 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 302, datë 08.02.2023 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit E.A.S. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K. Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit E. A. S. për kryerjen e veprës penale “Prishja e qetësisë publike” të parashikuar nga neni 274/1 i K.Penal, dhe, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, e dënon të pandehurin E. A. S. me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit E. A. S. i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin E. A. S. fillon nga dita e arrestit, më datë 05.02.2022 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, prova materiale sekuestruar sipas procesverbalit datë 02.02.2022 për efekt të procedimit penal Nr. 919 të vitit 2022, të asgjësohen.
Shpenzimet proçeduriale hetimore dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 (pesëmdhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Çështja në apel u shqyrtua vetëm mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri E.S., që kërkoi:
Ndryshimin e vendimti Nr. 302, datë 08.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në paragrafin 5 të dispozitivit të vendimit dhe konkretisht:
- pezullimin e ekzekutimit të dënimit, për pjesën e mbetur prej 1 vit e 9 muaj (21 muaj) burgim për të pandehurin E.S, sipas dispozitave të nenit 59 të K. Penal, si dhe urdhërimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në përfundim të gjykimit, më datë 17.07.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Dritan Hasani dhe anëtar Znj. Emona Muçi dhe Z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit Nr. 302, datë 08.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me këtë ndryshim;
-Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit E. S., në provë për një periudhë prej 3 (tre) vjet;
-Urdhërohet i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershem i të pandehurit E. S., nëse nuk mbahet për shkaqe të tjera të ligjshme.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.