Nga Boldnews.al
Ilir Rrapaj ishte një ndër mijëra shqiptarët në Itali që kishte krijuar një sipërmarrje modeste, për të siguruar jetesën si emigrant.
Në vitin 2000, ai kishte krijuar një kompani të vogël ndërtimi “Ali Pashë Tepelena”, në Peruxhia, ku ishte punësuar vetë, dy të afërm të tij dhe një i punësuar.
Por, në vitin 2013, jeta e tij ndryshoi përgjithmonë. Disa takime, fillimisht me kryeministrin e sapo zgjedhur në atë kohë, Edi Rama e më tej me Ministrin e Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqaj, gjatë vizitave të tyre në Peruxhia, i siguruan Rrapajt një histori të denjë “Hirusheje”.
Ilir Rrapaj sot është aksioneri kryesor në kompaninë koncensionare “SaniService”, e cila do të arkëtojë rreth 100 milionë euro, nga koncensioni 10-vjeçar për Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale për nevojat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
Bashkë me të, në këtë sipërmarrje të madhe janë edhe tre kompani italiane, dy prej të cilave me një aktivitet tepër modest, referuar të dhënave të publikuara në faqet zyrtare të tyre.
Për “Hirushen” Ilir Rrapaj, duket se princërit që i ndryshuan jetën, qëndronin në krye të qeverisë shqiptare. “Puthja” e tyre ishte dorëzimi i një koncensioni të shumë debatuar dhe të akuzuar si të kotë, në një kohë kur financat shqiptare janë në situatën më të vështirë të mundshme.
Koncensioni i Sterilizimit
Në 16 Shkurt 2015, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin për dhënien me koncesion/partneritet publik privat (PPP) per ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si edhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.
Tenderi përllogaritej në vlerën e rreth 100 milionë eurove, të cilat do t’i paguhen fituesit të koncensionarit nga Buxheti i Shtetit për një periudhë 10-vjeçare. Gjithësesi, në bazë të disa ndërhyrjeve të mëvonshme, qeveria e shtoi vlerën e koncensionit në rreth 135 milionë euro.
Në tender morën pjesë 5 operatorë, 3 prej të cilëve nuk kishin paraqitur ofertë dhe për këtë arsye u skualifikuan automatikisht.
Në Prill 2015, Ministria e Shëndetësisë shpall fitues bashkimin e operatorit të regjistruar në Kosovë nga shqiptari emigrant Ilir Rrapakj “Investial” dhe tre kompanive italiane. Konkretisht; “Servizi Italia”, e regjistruar në Parma, si edhe peruxhianet “Tecnosanimed” dhe “U.jet”srl.
Kompania humbëse e ankimoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Në Shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranonte pjesërisht ankimin, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të rishikojë disa aspekte të tenderit.
Pas rishikimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë, në Dhjetor 2015, vendosi të shpallte fitues sërish të njëjtin bashkim operatorësh që kishte kualifikuar edhe në fillim.
Tashmë, kompania e shqiptarit Rrapaj dhe tre kompanitë italiane ishin bashkuar në një të vetme, duke krijuar koncensionarin “Saniservice”.
Kush janë kompanitë e koncensionit
Në Korrik 2015 krijohet “Saniservice”, me përbërjen e: “Investial” e Ilir Rrapajt me 40 përqind, me kontribut fillestar 8 mijë euro; “Servizi Italia” me 30%, me kontribut fillestar 6 mijë euro; si edhe “Tecnosimed” dhe “U.jet” me nga 15 përqind secila, me kontribut fillestar nga 3 mijë euro.
1. Kompania “Investial” është krijuar nga shtetasi shqiptar Ilir Rrapaj në Kosovë. Rrapaj, deri në atë kohë, ishte një sipërmarrës i vogël në Peruxhia të Italisë.
2. Kompania “Tecnosimed” nuk rezulton të ketë kredite të larta në fushën e sterilizimit. Në faqen e saj të internetit, kompania deklaron se aktiviteti i vetëm i saj jashtë Italisë është pjesëmarrja në koncensionin e Sterilizimit në Shqipëri.
“Tecnosimed srl, prej 2016, është ortak themelues i “SaniService” shpk në Tiranë. Saniservice është zotërues i një kontrate 10-vjeçare të Partneritetit Publik Privat me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë”, thuhet në faqen e kompanisë.
3. Kompania “U.jet” srl, gjithashtu, nuk duket se ka aktivitet të konsiderueshëm. Madje, në faqen e saj të internetit, zhvillimet më të fundit i përkasin vitit 2014. Prej asaj kohe, ‘U.jet” nuk duket se ka pasur ndonjë aktivitet për të reklamuar.
4. “Servizi Italia” duket se është kompania kryesore në koncensionarin “SaniService”, pavarësisht se rezulton ortaku i dytë për nga numri i aksioneve.
Në aktin e themelimit të kompanisë koncensionare “Saniservice”, 3 prej kompanive kanë zgjedhur që të përfaqësohen nga Umberto Staccini, administratori i “Servizi Italia”.
“Servizi Italia” në Shqipëri
Kompania italiane “Servizi Italia” është e vetmja ndër 3 anëtarët italianë të koncensionarit që ka një aktivitet tjetër tregtar në Shqipëri.
Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), “Servizi Italia” rezulton të jetë aksionere me 40% të “Sanitary Cleaning”. Ortaku i shumicës, me 60%, rezulton të jetë një kompani e regjistruar në Hollandë, “Berniv bv”.
“Sanitary Cleaning” është krijuar në vitin 2014 nga shtetasi shqiptar Fatos Deliu. Përsa kohë ishte në pronësi të Deliut, “Sanitary Cleaning” kishte deklaruar selinë e saj në ambjentet e Spitalit Amerikan.
Deliu, në vitin 2018, i shet 40% të aksioneve kompanisë “Servizi Italia”, i cili ndërkohë kishte nisur aktivitetin tregtar në Shqipëri, nëpërmjet koncensionarit të Sterilizimit.
Më tej, Fatos Deliu, i shet edhe 60% një kompanie të regjistruar në Hollandë, “Berinv bv”. Fatos Deliu zhvishet nga aksionet në “Cleaning Sanitary”, por gjithësesi emërohet administrator i saj, detyrë që do e mbajë deri në vitin 2023.
Kompania “Sanitary Cleaning”, në vitin 2017, rreth një vit para se t’i bashkohej “Servizi Italia”, fiton tenderin e diskutueshëm të lavanderisë së Spitalit të Durrësit, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Për këtë tender, pati një seri ankesash publike. Gjithësesi, autoriteti kontraktor shpalli përfundimisht fitues kompaninë “Sanitary Cleaning”.
Krahas këtij tenderi, kjo kompani ka fituar edhe një grup tenderash të tjerë, të cilët, sipas ‘Opendata” përllogariten në rreth 100 mijë euro.
Fryrja e kostove të Sterilizimit
Në kontratën koncensionare të Sterilizimit, parashikohej mundësia e ndryshimit të çmimeve. Mënyra se si është hartuar kontrata, krijon përshtypjen se shteti shqiptar mund të ulë kostot që duhet të paguajë për kompaninë koncensionare, të përllogaritura fillimisht në rreth 100 milionë euro.
Por, zbatimi rezultoi shumë më ndryshe. Në buxhetin e vitit 2019, qeveria raportoi se fatura totale e sterilizimit ishte 12.3 miliardë lekë ose 100 milionë euro.
Por në tabelat që i janë bashkangjitur buxhetit, kostoja e këtij koncesioni është rritur në 16.5 miliardë lekë ose rreth 135 milionë euro. Pra vetëm në harkun kohor të një viti fatura e Sterilizimit është rritur me 35 milionë euro ose 34 për qind.
Ndërkohë që shteti shqiptar rriti faturat që duhej të paguante, koncensionari “SaniService” deklaroi trefishimin e fitimeve të saj.
Në bilancin për vitin 2018, “SaniService” deklaronte një fitim prej 218 milionë lekë të reja (afërsisht 2 milion euro).
Kjo shifër ishte tre herë më e lartë se sa fitimi i vitit të mëparshëm. Në vitin 2017, koncensionari “SaniService” kishte deklaruar si fitim vlerën prej 72 milionë lekë të reja (rreth 600 mijë euro).
*Publikuar nga Bold News.al, më 1 Prill të vitit 2020