Është arrestuar me urdhër të SPAK ish-zëmendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Burime bëjnë me dije se ai akuzohet në lidhje me koncesioni abuziv të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro. Rrjepaj ka qenë kryetari i komisionit të koncensionit, njeriu kryesor që ka firmosur për kete koncension.
Po ashtu raportohet se në pranga është vënë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili ka fituar koncesionin dhe një ditë më parë me urdhër të SPAK u shoqërua në Polici. Urdhër-arrestet janë lëshuar nga dy prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili.
Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me kete koncesion. Mësohet se nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se ky koncension është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe bëhet fjalë edhe për shkeljet të tjera të rënda.
Gjatë kohës që Beqja drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, dha me koncesion shërbimin e sterilizimit. Ky koncesion prej 100 mln eurosh është fituar nga “Sani Service” e biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili sipas të dhënave rezulton mik i Beqjas.
Në vitin e parë të kontratës nga buxheti i shtetit janë paguar 17 mln euro, nga 12 që parashikonte kontrata. Koncesioni i sterilizimit është në hetim prej 3 vitesh.
Në lidhje me këtë koncesion është marrë në pyetje dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili në dëshminë e dhënë për prokurorë “shiti” ish-vartësit e tij. A ka thënë se ka pasur rol vetëm në nxjerrjen e urdhrit për hapjen e procedurës koncesionare.
Edhe pse ka pranuar se firmën mbi kontratë e ka hedhur vetë ai, Beqaj ka sqaruar më tej se kushtet dhe përmbajtja e marrëveshjes koncesionare janë përcaktuar nga një ekip i përbashkët i Ministrisë dhe bashkimit të kompanive fituese.
Një pikëpyetje e madhe në lidhje me aferën e sterilizimit, përveç kostos së lartë, ka qenë kompania fituese me pronar emigrantin shqiptar në Itali, Ilir Rrapaj.
Në vitin 2000 ai kishte themeluar në Peruxhia një kompani me kapital të vogël prej 1500 eurosh, por pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, biznesmeni me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri, ku sipas BIRN, vendosi kontakte me kreun e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Fituesi i koncesionit së bashku me disa biznesmenë italianë, kanë pasur disa takime e kontakte me titullarin e shëndetësisë.
Pas kthimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, me kapital 1000 euro të regjistruar në Prishtinë me vetëm një të punësuar, Rrapaj zotëroi 40 % të aksioneve në një bashkim kompanish, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ortakët e Rrapajt në këtë bashkim, tri kompani nga rajoni i Umbrias.
Në vitin 2015, ish-ministri Beqaj u pyet nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, por në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi Ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin, Ilir Beqaj ka pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me vendim të Ilir Beqaj. Për shkak të kostos së lartë që u bë shkak për reduktimin e numrit të operacioneve në disa spitale, kontrata me kompaninë në fjalë u rishikua pas 5 vjetësh funksionimi në vitin 2020.
Deri në vitin 2021, sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, buxheti i shtetit shqiptar e ka paguar subjektin “Sani Servis” që përmban bashkimin e kompanive fituese të koncesionit me rreth 58 milionë euro, ose 57% të vlerës së rishikuar të kontratës prej 12,3 miliardë lekësh. Investimi i Ilir Rrapajt nëpërmjet Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë e 500 euro.