Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur në kërkim pasi transportonte me automjet, kundrejt 500 eurove/person, 8 emigrantë.
Ditën e djeshme, Policia e Gjirokastrës vuri në pranga 2 bashkëpunëtorët e 25-vjeçarit, të cilët monitoronin rrugën ku kalonte automjeti me emigrantët, për të shmangur patrullat e Policisë.
“Në pranga u vu shtetasi G. M., 25 vjeç, banues në Krujë. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 23.07.2023, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës 500 euro/person, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu, për këtë rast, dje, Policia e Gjirokastrës vuri në pranga shtetasit A. B. dhe A. K. që monitoronin duke lëvizur me automjet, aksin rrugor “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, përmes të cilit shtetasi G. M. transportonte emigrantët.”- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.