Degradimi i tokës në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi po redukton rendimentin e të mbjellave, kërcënon mbijetesën e mijëra fermerëve dhe po rrënon ekonominë.
Tendenca në rritje e shkatërrimit të tokës që ka nisur me urbanizimin, ndotjen dhe shfrytëzimin me metoda të dëmshme të tokës për rendiment më të madh, përforcohet edhe më shumë me ndryshimet klimatike. Krahas thatësirës dhe ndryshimeve të tjera klimatike që ndikojnë mbi tokën bujqësore, reshjet e çrregullta rrisin rrezikun e degradimit për shkak të erozionit, çka ul produktivitetin biologjik të tokës. E gjitha ndikon në pakësimin ose zhdukjen e bimësisë dhe lëndës organike. Artikulli më poshtë sjell situatën në tri vendet e rajonit, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.
Tokë jo produktive
Mijëra hektarë tokë pjellore humbasin dhe zhduken në mënyrë të pakthyeshme, ndërsa alarmi i e ekspertëve dhe fermerët që po braktisin arat për shkak të falimentit, shpërfillen nga institucionet. Degradimi i tokës në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi po redukton rendimentin e ushqimit, po kërcënon ekzistencën e mijëra fermerëve dhe po rrënon ekonominë.
Në Maqedoninë e Veriut, nga 517,000 hektarë tokë të punueshme, më shumë se 150,000 hektarë, përkatësisht një e treta, janë të braktisura për shkak të migrimit fshat-qytet.
Miliona metër kub tokë e punueshme shkatërrohen çdo vit nga erozioni dhe dhjetëra mijëra hektarë i nënshtrohen kripëzimit dhe formave të tjera të degradimit. Një sipërfaqe prej 240,000 hektarësh është tashmë tokë jo productive, tokat dikur më pjellore janë urbanizuar dhe zhdukur përgjithmonë.
Profesoresha e Fakultetit të Bujqësisë në Shkup, Tatjana Mitkova, thotë se toka është një resurs i kufizuar, dhe për të krijuar vetëm një centimetër duhen mijëra vjet.
“Sigurisht që duhet të ketë infrastrukturë, duhet të ketë ndërtime, duhet të ketë rrugë, rezervuarë uji, por ajo që na shqetëson së fundmi është problemi serioz që ka edhe Evropa, që është edhe një nga mënyrat e degradimit – që etiketohet si vulosje ose ridestinim. Është shqetësuese kur ai ridestinim bëhet në kurriz të zonave më pjellore. Nuk kemi tokë për eksport këtu, as nuk eksporton apo importon njeri. Atë që kemi, duhet të kujdesemi dhe marrim të marrim masa për të ruajtur situatën, për ta përmirësuar atë dhe për t’ua lënë brezave të ardhshëm”, thotë profesoresha Mitkova.
Në Maqedoni janë 16 pika të nxehta të degradimit të tokës. Aksidentet në miniera, rrjedhjet e zgjyrave kanë “ngarkuar” tokat me metale të rënda, kurse bonifikimi (rikultivimi) i tokës nuk po kryhet për shkak të çmimeve të larta.
Nga toka e mbetur për prodhimin ushqimor në Maqedoni, tetë për qind është e klasit të parë dhe të dytë – pjesa tjetër është klasit më të ulët.
“Hulumtimet tona dhe hulumtimet e të tjerëve tregojnë se diku deri në 40 centimetra tokë është e kontaminuar. Ajo që është edhe më alarmante këtu është se në afërsi rriten edhe bimët e kopshtit, bimë që ne i konsumojmë të freskëta, madje të papërpunuara termikisht, të cilat janë disa herë të pasuruara me metale të rënda. Që do të thotë, nëse duam të dekontaminojmë këtë shtresë dheu, kjo do të thotë që duhet të hidhen diku nga 60 deri në 70 mijë kamionë me dhe. Kjo është një punë shumë komplekse, dekontaminimi i tokës është i ndërlikuar, i kushtueshëm, kërkon shumë njohuri, kërkon shumë financa dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ne nuk kemi lëvizur ende nga pika e vdekur“, shpjegon profesoresha Mitkova.
Si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri, toka pjellore po paksohet. Shqetësimi në Serbi është se gjysma e territorit mund të shndërrohet në shkretëtirë – për shkak të thatësirës së madhe, kurse në Shqipëri, rendimentet e të korrave dhe ushqimit mund të reduktohen në mënyrë drastike. Nuk janë optimiste as parashikimet për bujqësinë e Maqedonisë.
Vojvodina – hambar apo shkretëtirë e Evropës
Një pjesë e madhe e territorit të Serbisë është në rrezik të shndërrohet në shkretëtirë, një proces i nisur si pasojë e mekanizimit të tokës për rendimente më të larta dhe përdorimit të plehrave artificiale, i nxitur më tej nga ndryshimet klimatike. Ky proces ndodh kur, për shkak të temperaturave të larta në Serbi, lënda organike e tokës thahet dhe shndërrohet në shkretëtirë.
Profesoresha e Fakultetit të Bujqësisë, Ana Vukoviç Vimiç, thotë se me ndryshimet klimatike ky proces do të intensifikohet.
“Territori i Serbisë që ka klimë mesatare të lagësht do të hyjë në kategorinë e klimës gjysmë të thatë. Kjo nënkupton se do të ketë rrezik dertifikimi për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike. Vetëm për shkak të ndryshimit të kushteve klimatike, rreth 52% e territorit do të jetë në një rrezik mesatar për t’u shndërruar në shkretëtirë, ndërsa rreth 30% në një rrezik të lartë“, shpjegon meteorologia Vukoviç Vimiç.
Krahas thatësirës dhe ndryshimeve të tjera klimatike që ndikojnë mbi tokën bujqësore – reshjet rrisin rrezikun e degradimit për shkak të erozionit nga uji, dhe të gjitha së bashku ulin produktivitetin biologjik të tokës, domethënë ndikojnë në zvogëlimin ose vdekjen e bimësisë dhe lëndës organike.
Bujku nga Vojvodina, Josip Maçkoviç, thotë se edhe 20 vjet më parë, ekspertët kishin parashikuar se do të ndodhin ndryshime të tilla klimatike, se toka do të fillojë të thahet për shkak të reshjeve të çrregullta dhe mungesës së humusit.
“Nëse humusi do të ruhej në tokë, ai do të ruante lagështinë dhe do t’i ndihmonte bimët t’i mbijetonin periudhave të thatësirës. Për fat të keq, askush nuk u kujdes për këtë, toka po shterohet dhe ne nuk ia kthejmë as atë që ia marrim. Kjo domosdo do të rezultojë në tharje ose një prodhim të dobët“, shpjegon bujku nga Vojvodina.
Humusi në ish-hambarin e bukës së Evropës është përgjysmuar – edhe pse mbi 75 për qind e tokës është e mbuluar nga dheu i zi, që përmban një përqindje të lartë humusi.
Këshilltarja shkencore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, fizikës, kimisë dhe biologjisë së tokës Dr. Jordana Ninkov thotë se sot gjysma e tokës së punueshme në Vojvodinë ka humus në nivel mesatar, ndërsa gjysma tjetër është në nivel të ulët.
“Vlerësimi është se në 70 vitet e fundit të bujqësisë intensive, ne kemi humbur gjysmën e rezervave të humusit në Vojvodinë. Kjo tendencë në rënie e humusit vazhdon, gjë që është shqetësuese”, thotë Dr. Ninkov.
Ndryshimet e paparashikuara klimatike përgjysmuan prodhimet bujqësore
Përballja me pasojat e ndryshimeve klimatike në Shqipëri po bëhet një problem urgjent dhe thelbësor. Me rreth 420 mijë hektarë tokë bujqësore, ky sektor përbën 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, kurse rreth 40 për qind e totalit të popullsisë jeton në zonat rurale, ku aktiviteti kryesor është bujqësia. Por moti i “çmendur” i dëmtoi kulturat e tyre, me dëme që vlerësohen në 100 milionë dollarë.
“Si pasojë e këtyre ndryshimeve, në dhjetë vitet e fundit kanë ndodhur përmbytje të mëdha, të cilat kanë dëmtuar mijëra hektarë me grurë dhe kultura të tjera. Bazuar në vlerësimet e bëra nga ekspertët e bujqësisë, për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në 10 vitet e fundit, rezulton se vetëm në prodhimin bujqësor, këto dëme kapnin vlerën e rreth 100 milionë dollarëve amerikanë“, thotë profesori Ndoc Fasllija nga Fakulteti i Bujqësisë në Tiranë.
Nga ana tjetër vërehet se në dekadat e fundit stina e verës po bëhet më e thatë, kurse temperaturat po rriten.
“Pasojat e këtyre ndryshimeve klimatike kanë çuar në rritjen e kërkesës për ujë vaditës, si dhe në kërkesën për trajtime kimike për të mbrojtur bimët nga sëmundjet dhe dëmtuesit, deklaron profesori i Universitetit të Bujqësisë.
Pasiguria i ka detyruar fermerët të reduktojnë sipërfaqet e mbjella.
“Përveç faktit që ka shumë pak të rinj që merren me bujqësi në fshat, edhe klima po bën të vetën, po na tremb ne që kemi mbetur dhe merremi me bujqësi. Për shembull, vitin e kaluar ne mbollëm 60 hektarë me grurë, por dolëm me humbje në fund. Në kohën kur nisi të lulëzonte gruri, ra një breshër që na dëmtoi mbi 80% të sipërfaqes së mbjellë. I gjithë mundi dhe lekët na shkuan dëm”, shprehet Evelina Fezollari, një fermere nga fshati Pendavinj, duke vënë në dukje se vitin e kaluar sipërfaqja e mbjellë me grurë u rrit për herë të parë pas shumë vitesh, pasi qeveria vendosi të subvencionojë fermerët për shkak të luftës në Ukrainë.
„Këtë vit, të mbjellat tona janë shumë mbrapa, sepse temperaturat kanë qënë atipike, shumë të ulëta dhe ne jemi me sytë nga qielli … Këtë vit mbollëm më pak nga frika e vjetshme, 40 hektarë me grurë kemi mbjellë, por jemi në varësi të motit, shpresojmë që të ngrohet koha dhe të nisim të korrat në korrik“, thotë fermerja nga Shqipëria.
Këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë, Fatmir Guri, nuk pret një ulje të ndjeshme të sipërfaqes së tokës bujqësore dhe bën të ditur se së bashku me Bankën Botërore do të zbatohet një projekt për zbutjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike.
„Sot ne ujisim më herët në pranverë, dhe më vonë në vjeshtë, krahasuar me njëzet vite më parë. Prandaj unë besoj që elementi kryesor mbi të cilin duhet të mbështetet përpjekja e shtetit shqiptar e Ministrisë së Bujqësisë është pikërisht në shfrytëzimin sa më efektiv të këtyre burimeve ujore, në bërjen e tyre të disponueshme për fermerët, por nga ana tjetër dhe në uljen e njësisë së burimeve ujore të përdorura për njësitë e tokës së mbjellë”, pohon ai, duke theksuar se për këtë ka një plan konkret.
Reshjet e papritura të këtij viti, 350 ml/m2 në vetëm pak muaj, edhe në Maqedoni shkatërruan patatet, lanë vreshtat të pambrojtura nga sëmundjet dhe përmbytën kallinjtë e grurit.
Mitat Ismailovski, që nga mosha e re, kultivon 400 hektarë grurë, misër, luledielli dhe elb në Pellagoni.
„Kjo nuk durohet më, po mendoj të shes traktorët dhe gjithçka dhe të lë bujqësinë“, deklaroi Ismailovski.
„Gruri ka filluar të bjerw përtokë dhe të kalbet, kurse elbi është gati të korret – ata nuk kanë nevojë për shi tani. Ne ushqejmë që nga krimbi e deri te mbreti dhe askush nuk mendon për ne, jemi bllokuar me kredi, blerja është me çmim të ulët dhe nuk na ka mbetur gjë. Të rinjtë po ikin, fermerët po ikin nga arat, shteti le të mendojë se kush do të na ushqejë“, ankohet Ismailovski.
Shiu ka prekur edhe hardhitë. “Na është zhdukur prodhimi, ka ikur “- thonë vreshtarët e vreshtave të Negotinës, që janë ndër më të prekurit nga ndryshimet klimatike. Sëmundja e mykut që preku vitet e fundit edhe kalaveshët e rrushit – e kthen në kristale, e than dhe bie në tokë sikur të mos kishte pasur kurrë një kalavesh. Çdo vit vuajmë dëme nga ndryshimet klimatike, thotë fermerja Vaska, e shqetësuar se nuk do të mund të spërkasë vreshtat dhe të mbrojë prodhimet nga sëmundjet që shfaqen nga reshjet intensive, sepse lagështia i hollon agjentët mbrojtës dhe janë jo efektivë nëse aplikohen në gjethe me lagështi.
„Klima ka ndryshuar befas, nuk kemi një vit që të mos kemi dëme nga ndryshimet klimatike. Vitin e kaluar nuk kishte vend në rajonin e Negotinës ku të mos kishte breshër, gjithashtu filloi të bjerë shi para vjeljes së rrushit dhe ai shi shkaktoi dëme të mëdha, sepse pikërisht në momentin që piqet rrushi u shfaq një sëmundje botrytis e cila e kalb rrushin. E gjithë kjo u shkaktua nga shirat e dendur. Kanë qenë diku në gusht dhe mund të them që ka rënë shi gjithë gushtin, tani ja ku është prilli, maji dhe qershori, sërish po përballemi me reshjet e shiut. E gjithë kjo kontribuon në shkurajimin e vreshtarëve dhe braktijes e punës“, thotë Mojsovska.
Çmimet kanë qenë problem shtesë për fermerët këtë vit. Eksperti i bujqësisë Milan Prostran thotë se vitin e kaluar ranë çmimet dhe fermerët falimentuan për shkak të kostove të larta të mbjelljes së grurit, misrit dhe lulediellit.
Mitet kundrejt realitetit
Për të plotësuar nevojat vendore, Maqedonisë i nevojiten rreth 300.000 tonë grurë – por prodhimi është në rënie të vazhdueshme prej disa vitesh. Nëse në vitin 2000 prodhoheshin 300.000 tonë, në vitin 2022 prodhimi ra në 224.632 tonë. Në vetëm tre vjet, nga 2019 deri në 2022, ka një reduktim prej 4,000 hektarësh në grurë dhe 400 hektarë në oriz.
Ekspertët presin që me çdo shkallë më të lartë të temperaturës, rendimenti i grurit do të ulet deri në gjashtë për qind, ndërsa për misrin ekzistojnë dy skenarë – rendimenti do të ulet në 10% ose nga 10-25% deri në vitin 2025. Por ekziston rrezik edhe për kulturat e tjera.
„Një nga sektorët më kritikë nën kërcënimin serioz të një reduktimi drastik të prodhimit është sektori i perimeve ku kemi një ulje të ndjeshme të prodhimit pothuajse të të gjitha kulturave tradicionale të tyre. Për shembull, domatja ka rënë mesatarisht me 60% në 3 vitet e fundit, thotë Blagoja Mukanov, drejtor ekzekutiv i “AGfutura Tehnologii”, ekspert i ekonomisë së aplikuar dhe zhvillimit ndërkombëtar në bujqësi.
Ai shton se nëse vazhdohet me këtë mënyrë të punës, e cila ndikon drejtpërdrejt negativisht në avantazhin konkurrues të produkteve bujqësore maqedonase, është e natyrshme të pritet rritje e importit. Një nga skenarët më të rrezikshëm është që vendet fqinje, të cilat janë konkurrentët më të mëdhenj në nënsektorët strategjikë bujqësor, të rrisin praninë e tyre në tregun maqedonas.
Edhe pemët frutore nuk janë imune nga ndryshimet klimatike. Sipas agrometeorologut Angelko Angeleski, shfaqja e reshjeve të borës në pranverën e hershme (mars dhe prill) ndikon negativisht. Veçanërisht në llojet e hershme të frutave me bërthamë (kumbulla, kajsia, pjeshka) dhe arroret si bajamet ose arrat, të cilat zakonisht janë të parat që lulëzojnë dhe temperaturat nga -1 ose 0 gradë mund t’i ngrijnë ato. Problemin e kësaj situate ai e sheh në politikat e gabuara ndaj fermerëve, përkatëisht në dhënien e subvencioneve që nuk shfrytëzohen për përmirësimin e prodhimit apo për blerjen e makinerive – për rritjen e prodhimit dhe cilësisë së ushqimit të prodhuar. Mukanov dhe Angeleski janë dakord se nevojitet një reformë serioze strukturore e politikës së tokës në drejtim të konsolidimit të prodhimit bujqësor, për të arritur ekonomi të vëllimit dhe konkurrencë më të mirë..
Edhe në Shqipëri ka rënë rendimenti i misrit, perimeve, jonxhës, rrushit dhe ullirit. Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë pranon se kjo tendencë e rënies së rendimenteve pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
„Parashikohet që edhe në Shqipëri të kemi ulje të rendimentit, që do të ndikohet ose nga vera shumë të nxehta ose nga pranvera shumë të nxehta, në pjesën e luleve të disa prej frutave që janë ndër produktet kryesore që eksportojmë si për shembull ullinjtë“, thotë Guri nga Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë.
Problemi i mungesës së ushqimit u bë aktual pas luftës në Ukrainë, kurse kriza e vajit të gatimit u mbyll me ndihmën e Serbisë, e cila ngriti rampën e eksportit. Edhe pse Vojvodina sot ka rezerva të mjaftueshme të grurit, misrit dhe kulturave të tjera, produktiviteti i saj është ulur.
Redaktorja e portalit bujqësor “Agrosmart” Slagjana Glushçeviq thotë se është çështje kohe që hambari në Vojvodinë të kthehet në një shkretëtirë të Evropës.
„Kemi dekada të tëra që dëgjojmë se si Vojvodina është hambari i Evropës, se si mund të ushqejë gjithë Evropën, që në fakt është thjesht një mit. Përsëritet vazhdimisht si mantra, por në fakt nuk është kështu, duke pasur parasysh sipërfaqet e kultivuara që janë rreth dy milionë hektarë dhe duke pasur parasysh produktivitetin – duhet pritur më shumë produktivitet nga ato sipërfaqe. Kur krahasohemi me vendet e tjera evropiane, shohim se nuk është në të vërtetë ashtu siç mendojmë ne, veçanërisht jo në vitet e fundit, kur blegtoria po zhduket dhe fushat po bëhen gjithnjë e më të dobëta. Pra, nga fakti që Vojvodina është hambar dhe toka më e mirë e punueshme, kam frikë se – nuk e di saktësisht se sa kohë – por shumë shpejt do të bëhet shkretëtira e Evropës“, thotë Glushçeviq.
Në Ministrinë e Bujqësisë së Maqedonisë thonë se pas krizës ushqimore janë aktivizuar disa masa dhe është miratuar Plani kombëtar për mbrojtjen e prodhimit vendor. Po ofrohet më shumë tokë për kultivim – 13,000 hektarë shtesë u mbollën në vitin 2022, kurse fermerëve iu ofruan subvencione për të mbjellë kultura të rëndësishme strategjike. Dëmet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë, për shkak të bllokimit të eksporteve dhe të ngjashme, janë mbuluar nga Fondi i Emergjencës. Por kujdesi për tokën dhe sigurimi i prodhimit vendas nuk mund të përfundojë vetëm me këto masa.
Si mund të parandalohet skenari katastrofik?
Gjetjet apokaliptike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë – FAO janë se çdo pesë sekonda, një tokë në botë sa një fushë futbolli degradohet dhe se deri në vitin 2050, thuajse 90 për qind e tokës do të jetë në rrezik degradimi. Përveç kësaj, parashikohet një rritje e temperaturave prej 1 deri në 2 gradë Celsius deri në vitin 2050 dhe një ulje e sasisë së reshjeve prej 5%.
Për shkak të burimeve modeste dhe të kufizuara tokësore dhe financiare si dhe për shkak të pasojave, nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup kërkohet që urgjentisht të miratohet ligji për tokat dhe rregulloret për koncentrimet maksimale të lejuara të metaleve të rënda, sipas parametrave evropianë. Profesor Markoski nga Fakulteti i Bujqësisë thekson se siguria e ushqimit që konsumojmë varet nga cilësia e tokës.
Në Maqedoni, vetëm Katedra e Tokës ka një laborator të specializuar ku analizohen vetitë fizike dhe kimike të dherave, ku fermerët mund të kontrollojnë pjellorinë, por edhe të marrin këshilla nëse nevojiten lëndë ushqyese shtesë, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për kulturat shumëvjeçare ku investimet janë të larta dhe çdo gabim kushton shumë.
„Kur ngrihen plantacione të kulturave shumëvjeçare, nëse kemi një nivel të lartë të ujit nëntokësor, ai fermer që ka dashur të ngrejë një plantacion të kulturave shumëvjeçar nuk duhet të ketë ngritur që në fillim një plantacion të tillë. Sepse atje faktori kufizues është niveli i ujërave nëntokësore ose në rastin e kundërt – në tokat, ku kemi një përqendrim të lartë të karbonatit të kalciumit, tokat karbonate, një përqendrim të lartë të tretësirës së tokës, 8.5-9, dhe dikush dëshiron të mbjellë kultura bujqësore, të cilat sipas definicionit kërkojnë një reaksion mesatar acid në acid, themi që në fillim se një prodhim i tillë bujqësor me atë kulturë nuk mund të prodhohet në ato toka. Ne japim udhëzime se cilat zona dhe cilat kultura bujqësore duhet të kenë përparësi“, thotë Markoski.
„ Përveç monitorimit të tokës, prioritet duhet të jetë ngritja e një sistemi vaditjeje, agrozonimi, mbështetja me raketa kundër breshërit dhe ndryshimi i kulturave që do të mbillen. Tani kemi plantacione të tëra ullinjsh, kivish, sillen kultura të ngrohta si goji-berry, actinidia, boronicë, etj., po futen varietete që mund t’i rezistojnë më lehtë temperaturave të ulëta dhe janë më rezistente“, thotë Angeleski.
Ndryshimet klimatike janë një histori që sapo ka filluar të rrëfehet, kurse pasojat e saj kërcënojnë të jenë katastrofike. Praktikat bujqësore për prodhimin e ushqimit në të tre vendet nuk janë gati për t’iu përgjigjur ndikimit të cunamit klimatik. Nëse “armët” tona reduktohen vetëm në plane dhe strategji për të ardhmen, atëherë në të tashmen do të jemi dëshmitarë të një shkatërrimi edhe më intensiv të tokës dhe rezervave ushqimore.
/*Kjo përmbajtje është përgatitur nga Instituti për Studime të Komunikimit në Maqedoninë e Veriut.