Çmimi i shitjes së bukës nuk pritet të ndjekë tendencën rënëse të çmimit të grurit në bursat e huaja.
Prodhuesit e bukës ngrenë shqetësimin e kostove shumë të larta që po paguajnë nga mungesa e fuqisë punëtore.
Përfaqësues të Shoqatës së Përpunimit të Miellit pohuan për Monitor se aktualisht çmimi i shitjes së miellit për bukë është 65 lekë për kg nga 90 lekë për kg që u shit në periudhën pas luftës Rusi-Ukrainë.
Çmimi i shitjes së miellit të bukës rezulton të jetë ulur rreth 27% krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar. Reduktimi i çmimit të miellit është ndikuar nga rënia e çmimit të grurit në bursat e huaja.
Konsumatorët ngrenë shqetësimin se rënia e çmimit të miellit për prodhimin e bukës, domosdoshmërish duhet të reflektohet me rënie të çmimit të këtij produkti.
Prodhuesit e bukës pohojnë se nuk mund të ketë rënie të çmimit, pasi kostoja për fuqinë punëtore është shumë e lartë. Ata shtojnë se edhe çmimi i shitjes së miellit mbetet i lartë.
Kryetari i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia tha për Monitor se për të mbajtur fuqinë aktuale të punëtorëve, furrat e bukës në shkallë vendi prej muajit shtator të vitit të kaluar kanë rritur pagat për punonjësit 50 deri 80%. Mungesa e fuqisë punëtore, sipas tij shfaqet më e mprehtë veçanërisht në rrethe.
“Në vend mungojnë specialistët për përpunimin e brumit. Edhe pse të gjithë prodhuesit e bukës kanë rritur pagat e punonjësve mbi 50%, nuk arrijnë të gjejnë specialistë. Është shumë e vështirë të gjesh specialistë edhe me pagë mujore 80,000 dhe 120,000 në muaj. Ndërsa për produktet e tjera të brumit dhe pastiçerive, pa përfshirë bukën masive, çmimet e përbërësve, si margarina, gjiza, susami (për bukën me susam) etj mbetet shumë të larta. Edhe kostoja e energjisë mbetet e lartë për furrat e bukës”.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Përpunuesve të Miellit fermerët prodhojnë 60,000 deri 70,000 ton grurë në vit për konsum, kurse sasie e importuar arrin 250,000 deri në 300,000 ton grurë në vit.
Si ka ndryshuar çmimi i bukës
Çmimi i bukës masive prej muajit mars 2022 vijon të jetë 100 lekë. Për periudhën 2021-2022 çmimi i bukës u rrit 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71%.
Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të 2021 ku buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Rritja e çmimit 14% u ndikua nga shtrenjtimi i miellit të bukës nga 50 lekë në 55 lekë në muajin gusht (rritja 10%).
Në mesin e muajit mars 2022 çmimi i bukës shënoi sërish rritje prej 20%, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të shtrenjtimit të miellit. Ndërsa në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti çmimi i bukës masive arriti në 120.
Në muajin mars 2022 çmimi i miellit arriti në 80-85 kg (çmimi u shtrenjtua 54% krahasuar me 2021).
Rritja e çmimit të miellit erdhi nga shtrenjtimi i grurit për shkak të mungesës të prodhimit dhe embargos së eksportit me Rusinë pas nisjes së luftës.
Në muajin tetor të 2021 çmimi i grurit të importit u rrit nga 220 në 360 USD për ton i zhdoganuar.
Nisja e luftës ekspozoi më tepër çmimin e bukës dhe grurit. Në muajin qershor 2022 në bursë çmimi i grurit arriti pikun prej 450 USD për ton.
Por në vend mungesa e fuqisë punëtore solli rritje tjetër të çmimit të bukës nga 1 prilli 2022. Rritja e çmimit të bukës masive 10 deri 20 lekë u reflektua në disa furra buke në qytetin e Beratit. Prodhuesit pohuan se janë të detyruar të rrisin çmimin, pasi kanë shtuar pagat e punonjësve.
Sipas të dhënave të Eurostat Shqipëria është shteti që ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me totalin, një tregues ky i nivelit të ulët të ardhurave, që dikton plotësimin e nevojave bazë, përpara se të fillojë të mendojë për shpenzime më pak bazike e deri të ato që nuk janë të domosdoshme, si p.sh argëtimi.
Të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian, më e ulëta në Europë (pas nesh është Bosnja me 32%) Sipas tabelave të Eurostat, shpenzimet për ushqime dhe pije alkoolike zënë 38% të totalit për familjet shqiptare, në krahasim me 13% që është mesatarja e 27 vendeve të bashkimit Europian dhe 30.6% që e ka shteti i dytë në listë pas nesh, Maqedonia e Veriut.
/Monitor/