Ishte pranvera e vitit 2019 kur B.M., 17 vjeç, vendosi të ndërmarrë rrugëtimin e rrezikshëm me gomone drejt Britanisë së Madhe për një jetë më të mire e me më pak vuajtje.
I mituri e mori vendimin për tu larguar nga i ati i cili pasi pinte alkool, ushtronte dhunë ndaj familjes dhe i kishte zhytyr ata në borxhe.
Ai ra në kontakt me një grup kriminal nga kurdistani, të cilët e kaluan për në “tokën e premtuar”.
“Në Francë kontaktova me disa persona që më dhanë një mundësi për t’u nisur me gomone nga Calais për në Dover. Ja mora numrin e celularit një shoku që ka njohje me disa persona nga kurdistani, Qëndrova dy javë në Francë, kemi ndejtur në një zonë pyjore me çadra me një grup shqiptarësh dhe me emigrant të shteteve të tjera”, rrëfen ai.
Përveçse ka paguar një “mal me lekë” për udhëtimin e rrezikshëm, ai është deturuar të mbajë në krah edhe gomonen që përdorën për të kaluar Kanalin Anglez.
“Nga çadra ku ishim e deri tek deti ka qenë rreth 1 orë rrugë në këmbë dhe na kanë detyruar që ta mbanim ne gomonen në krahë ëdhe bidonat me benzinë”, – zbulon më tej i riu.
Grupi i tij kishte 50 persona, 20 nga të cilët ishin shqiptarë. Të gjithë bashkë hipën në gomonen e tejmbushur dhe mes frikës e ankthit u nisën drejt ëndrrave për një jetë më të mirë.
“Kishim shumë frikë”, – tregon ai mes të tjerash.
Afër kufirit anglez, u ndeshën me një të papritur, pasi gomonia e tyre u shpua dhe aty nisi paniku. Ata u detyruan të telefonojnë autoritetet britanike për ndihmë.
“Erdhën për 10 minuta me anije edhe na nxorrën, por nëse do vonoheshin s’di çdo ishte bërë me ne pasi disa nuk dinim as të notonim”, – u shpreh ai.
Pasi çastet e tmerrit në det të hapur morën fund, 17-vjeçari u dërgua në një kamp në Dover me të tjerë fëmijë të së njejtës moshë.
Një punonjëse sociale kujdesej për nevojat e tij, por sigurisht që mungonte dashuria e prindërve, dhe fryma e ngrohtë familjare që i falte e ëma. Ishte i detyruar të ndante shtëpinë që i kishte caktuar shteti anglez me të tjerë fëmijë, disa të mire e disa të tjerë jo edhe aq.
“Duhej të duroja shumë. Kishte shpeshherë konflikte mes tyre. Njëherë më kanë rrahur fëmijët e tjerë pasi nuk pranova të bëja siç më kërkuan ata”, – tregon ai.
Por pasi mbushi moshën madhore dhe i duhej të punonte për të mbajtur veten dhe t’i dërgonte para familjes në Shqipëri, vështirësitë u shtuan. Ai tregon se i duheshin më shumë të ardhura që të plotësonte nevojat.
B.M., u nisi të punonte në një “shtëpi bari” për tre muaj, por përfundoi duke punuar një vit rresht, pasi siç ai shprehet: “Filluan të më pëlqenin lekët”.
Një natë, pak para se prodhimi të ishte gati për tu shitur, një grup kriminal i thyen derën dhe ai u dhunua brutalisht, me grupin e grabitësve që i vodhi edhe “mallin”, siç ai në zhargonin e rrugës i referohet kanabisit.
“Më morën telefonin, lekët, mallin, më lidhën dhe më rrahën, – tregon ai.
Pas kësaj, me shumë pak të ardhura, ai ju rikthye ndërtimit, si e vetmja mënyrë për të siguruar jetesën në një vend ku shqiptarët përçmohen.
Pjesë nga intervista:
Si nisi udhëtimi yt drej Britanisë?
Pagova 2500 euro me makinë nga Shqipëria në Belgjikë. Shoferi që fola unë ka lidhje me punonjësit e dogananve, paguajnë për të më kaluar mua pa probleme.
Pastaj nga Belgjika mora autobusin për në Francë, aty kontaktova me disa persona që më dhanë një mundësi për t’u nisur me gomone nga Calais për në Dover.
Si kontaktove me këto personat?
Ja mora numrin e celularit një shoku që ka njohje me disa persona nga kurdistani,
Sa kohë qëndrove në Francë?
Qëndrova dy javë në Francë, kemi ndejtur në një zonë pyjore me çadra me një grup shqiptarësh dhe me emigrant të shteteve të tjera.
Ku i gjetët çadrat, i bletë vetë?
I gjetëm atje, i kishin vetë kurdistanezët.
Me çfarë ushqeheshit?
Shkonin disa persona nga grupi i kurdistanezëve edhe merrnin furnizime, domate, djath, gjëra bazike sa për tu ushqyer.
Kush i paguante?
I paguanim secili të vetat.
Po kur donit të laheshit?
Laheshim në det, ishte aty afër pyllit. 1 orë në këmbë.
Sa prej jush ishit shqiptarë?
Ishin shumë grupe, por grupi jonë ishim rreth 50 veta, dhe hypëm të gjithë në një gomone. Shqiptarë ishim reeth 20 persona.
Erdhi dita nisjes? Si ju njoftuan?
Erdhën tek çadra dhe na thanë që sot keni rrugë edhe do nisemi në orën 12 të drekës. Na morën lekët para nisjes, 3500 euro.
Nga çadra ku ishim e deri tek deti ka qenë rreth 1 orë rrugë në këmbë dhe na kanë detyruar që ta mbanim ne gomonen në krahë ëdhe bidonat me benzinë.
Autoritetet franceze kishin dijeni ku i kishin vendosur grupet kriminale çadrat?
Kishte kontrolle gjatë vijës bregdetare, por në zonën ku ishim ne nuk kishte pasi kurdistanezët na kishin vendosur në një vend të virgjër ku nuk kishte fare lëvizje dhe nuk frekuentohej nga askush. Nga aty pastaj bëmë nisjen.
Kishit frikë gjatë rrugës?
Shumë, pasi një gomone rregullisht mund të marrë deri në 25 persona, por ne ishim dyfish dhe kishte shumë rrezik.
Më e keqja ishte se gomonja u shpua afër kufirit anglez edhe jemi detyruar që të marrim policinë angleze në telefon që të vijnë të na shpëtojnë.
U vonuan shumë të ju vinin në ndihmë?
Erdhën për 10 minuta me anije edhe na nxorrën. Ne ishim akoma në gomone e cila kishte futur shumë ujë, por nëse do vonoheshin s’di çdo ishte bërë me ne pasi disa nuk dinin as not.
Si vepruan më pas autoritetet britanike?
Na dërguan në kampin e Doverit dhe na morën në intervistë, shenjat e gishtave dhe na ndanë. Kush ishte mbi 18 vjeç i dërgonin në vend tjetër, ndërsa ne nën moshë na dërguan në një kamp tjetër në Dover, por që ishim vetëm fëmijë nën moshë.
Në momentin kur shkova në kamp më morën telefonin edhe pasi mi morën, më dhanë një telefon të ri i cili ishte i rregjistruar nga shteti dhe për çdo lëvizje që bëja unë, shteti ishte në dijeni.
Në intervistë çfarë the?
Arsyen pse mora rrezikun per të ardhur. U tregova që babin e kam pijanec dhe na dhunonte, nuk punonte dhe kishim shumë borxhe.
Sa kohë qëndrove në kamp?
Rreth 3 muaj
Çfarë bëje?
Atje merreshim me sporte të ndryshme, dilnim edhe jashtë kampit me shoqërues. Ne nën moshë na linin të dilnim.
Na rregjistruan në kolegj. Gjat këtyre 3 muajve na mësonin profesione të tjera, si psh për hidraulik, elektrik etj.
Pas 3 muajsh, më dhanë një shtëpi që e ndaja me disa persona të tjerë të së njëjtës moshë. Na jepnin rreth 100 paund në javë për të ngrënë dhe per tu veshur. Gjithë kjo zgjati deri sa mbusha 18 vjeç.
Jetoja me fëmijë të shtetësive të ndryshme, shpeshherë kishte edhe sherre. Njëherë më dhunuan se pse nuk iu bindesha atyre.
Kush kujdesej për ju deri në momentin kur mbushët moshën madhore?
Unë kisha një punonjëse sociale që merrej personalisht me mua, më dëgonte të bëja kontrolle shëndetësore dhe interesohej për çdo gjë.
Çfarë bëre pasi mbushe 18 vjeç?
Kur mbusha 18 vjeç mora letrat e punës dhe fillova të punoj në ndërtim.
Si është jeta jote sot? Has vështirësi?
Pas disa kohësh që punova në ndërtim, një shok më tregoi një rrugë tjetër për të bërë lekë më shpejt pasi kisha shumë nevojë.
Meqë kisha shumë nevojë pranova. Shoku më tha të futesha në “shtëpi bari” dhe do kujdesesha për rreth tre muaj që të kujtivoja kanabis, dhe pas 3 muajsh do merrja 15 mijë paund.
Punova rreth 1 vit, jo vetëm tre muaj siç folëm në fillim sepse më pëlqyen lekët.
Në fund, kur do të nxirrja dorën e fundit, më erdhën një grup hajdutësh për të më marrë mallin. Më kanë thyer derën kryesore, më drejtuan thikën dhe më bënë presion edhe më pyesnin a kam thirrur ndonjë tjetër për të ardhur të më shpëtojnë.
Çfarë u the ti?
U thashë jo. Më morën telefonin, lekët, më rrahën e lidhën, më morën mallin dhe ikën.
Çfarë ndodhi më tej?
Në momentin që ikën ato unë ika në një dyqan afër dhe mora në telefon personat që më kanë futur aty. Erdhën më morën dhe më pas më dhanë një shumë të vogël lekësh sa të shkoja tek shokët e mi dhe më pas vijova prapë me punën në ndërtim.
Nuk të trajtuan keq se pse ta vodhën “mallin”?
Jo fare, sepse edhe ata e dinin këtë rrezik.
- Çfarë raporton Ministri i Brendshëm britanik për fëmijët azilkërkues
Në janar të këtij viti (2023), Ministri i Brendshëm britanik, Simon Murray tha para Dhomës së Lordëve se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur nga hotelet e Home Office në Britani, dhe se 88% e tyre janë shqiptarë. Konkretisht ishin 176 fëmijë me origjinë shqiptare.
OJQ-të kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për fëmijët që zhduken nga strehimi dhe kanë ofruar të ndihmojnë Home Office për t’i mbajtur ata të sigurt, por qeveria i ka refuzuar këto oferta.
- Diskriminimi që u bëhet emigrantëve shqiptarë
David Neale, një studiues ligjor dhe ish-avokat i specializuar në ligjin e imigracionit dhe azilit, kritikon qeverinë britanike për mënyrën si po vepron me azilkërkuesit shqiptarë.
Në një analizë të tij në “The Guardian”, Neale shkruan ndër të tjera “se azilkërkuesit e rinj me të cilët ai punon janë të cenueshëm dhe shpesh të traumatizuar – megjithatë zyrtarët armiqësorë i shohin ata si ‘viktima jo të vërteta’”.
Sipas tij “fëmijët shqiptarë vijnë në Britani për siguri dhe në vend të kësaj, ata marrin mizorinë e Home Office”.
Zyra për Punët e Brendshme në Britaninë e Madhe ka urdhëruar njësitë e azilkërkuesve që të punojnë vetëm me kërkesat e shqiptarëve, në mënyrë që të përshpejtohet deportimi i tyre.
Operacioni i koduar Bridora, synon të shpallë sa më shumë aplikime të jetë e mundur të pabaza nga shqiptarët dhe t’i largojë ata nga Britania e Madhe, pas rritjes së numrit të atyre që mbërrijnë me varka të vogla.
Ky vendim i qeverisë britanike ka ngritur shqetësime se do të vonojë vendimet për mijëra afganë, iranianë, sirianë dhe azilkërkues nga shtete të tjera, shumë prej të cilëve kanë vite që presin nëse kërkesa e tyre për azil do të pranohet ose jo.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak ashtu edhe Suella Braverman janë fokusuar te shqiptarët, duke i cilësuar gjerësisht si “emigrantë të paligjshëm”. Deklarata të cilat kanë sjellë reagime nga Tirana zyrtare, ndërsa ambasadori shqiptar në Britani kërkoi që të “të ndalej fushata e diskriminimit ndaj shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Mark Davies, nga Këshilli i Refugjatëve, paralajmëroi se ishte “e rrezikshme të supozohej se të gjithë shqiptarët po falsifikonin pretendimet për skllavërinë moderne”. Ai tha se çdo rasti duhet “t’i jepet një vlerësim i drejtë”, duke shtuar: “Situata me njerëzit nga Shqipëria që kalojnë Kanalin është komplekse”.
- Sa azilkërkues shqiptarë ka në Mbretërinë e Bashkuar?
Shqiptarët ishin kombësia më e zakonshme që aplikonte për azil në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Home Office.
Në vitin 2022 ka pasur 14,223 aplikime nga azilkërkuesit shqiptarë dhe 9,573 prej tyre kanë ardhur nga njerëz që kanë mbërritur me gomone pasi kanë kaluar Kanalin Anglez. Shumica e aplikantëve nga Shqipëria – 83 për qind, ose 11,832 – ishin meshkuj të rritur.
Është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, kur rreth 800 shqiptarë mbërritën në Britaninë e Madhe me gomone në vitin 2021 dhe vetëm 50 në 2020.
- Shqiptarë në pritje të shqyrtimit të azilit
Nga totali i 160,000 aplikimeve ndër vite për azil 15% e tyre ose 24,747 i përkasin shqiptarëve.
Vetëm vitin e shkuar falë çmimit të ulët sipas Home Office, në brigjet angleze mbërritën rreth 13.000 shqiptarë ose 28% e totalit të mbërriturve prej 45,755 personave të 10 nacionaliteteve të ndryshme.
Burime nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Policinë e Shtetit konfirmojnë se prej Janarit 2023 deri më tani përmes charterave nga Anglia në Tiranë janë dëbuar 403 shqiptarë. Mes tyre të persona të mbërritur me gomone dhe ata të cilët kishin përfunduar dënimet me një total 522 vite burg, për vepra të ndryshme penale.
Megjithatë duhet theksuar se këto shifra nuk paraqesin situatën reale me emigrantët, pasi nuk ka një shifër të saktë sa shqiptarë kanë emigruar drejt Britanisë. Përveçse me gomone, disa ikin me letra të falsifikuara, disa të tjerë me kamion, dhe nuk janë rregjistruar si azilkërkues.
*Ky artikull u realizua nga Anduela Laçi në bashkëpunim me UNICEF