Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Vorë, Indrit Hoxha ka denoncuar sot familjarët e kryebashkiakut në detyrë, Blerim Shera, se po kërcënojnë bizneset e zonës për t’u marrë atyre votën në 14 maj.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Hoxha, tha se familjarët e Sherës janë identifikuar dhe do të denoncohen, teksa i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, OSBE dhe SHBA që të monitorojnë nga afër situatën në Vorë.
Deklarata
“Edi Rama, Erion Veliaj dhe pushteti i Rilindjes, të trembur nga humbja në Vorë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme, po përpiqen të blejnë dhe frikësojnë votuesit. Kryebashkiaku në ikje, person i cili përfaqëson bandat e Vorës, pasi përdori administratën e bashkisë Vorë për kërcënim të qytetarëve, pasi po shantazhon dhe kërcënon familjet e prekura nga tërmeti në këmbim të votës, ka nxjerrë në rrugë familjarët e tij, të cilët po kërcënojnë bizneset ne bashkinë Vorë. Ne kemi të dhëna dhe prova se familjarët e tij po sillen si banda kriminale, duke shantazhuar bizneset të cilat me mund e me djersë nxjerrin bukën e gojës. Pasi për katër vite në Vorë nuk bënë asgjë për të ndihmuar bizneset dhe po i çojnë ato në prag falimentimi, tani i kërcënojnë më mbyllje vetëm e vetëm për interesat e tyre politike.
I bëj thirrje kryebashkiakut, përfaqësuesit të krimit në Vorë, të ndalojë menjëherë këtë sjellje prej banditi dhe të tërheqë familjarët e tij nga këto veprime të cilat përbëjnë vepra penale dhe për të cilat i siguroj se do të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne kemi të identifikuar çdo person, çdo mjet dhe çdo targë makine të cilat janë marrë me qira vetëm për të kryer aktivitete kriminale në funksion të manipulimit dhe deformimit të vullneti politik të qytetarëve të Vorës. I bëjë thirrje institucioneve ndërkombëtare, OSBE-ODIHR, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, dhe selive diplomatike në Shqipëri të monitorojnë nga afër zhvillimin e zgjedhjeve në Vorë. i bëjmë thirrje të shtojnë numrin e vëzhguesve në këtë bashki, pasi atje po kryen krime elektorale nga persona me precedentë penal”, tha ai.
“Paratë e korrupsionit, që e kanë e ka çuar atë bashki në falimentim, paratë e drogës dhe krimit janë duke u përdorur për të blerë vota, për të kërcënuar njerëz dhe për të manipuluar rezultatin elektoral. Gjithashtu, i bëj thirrje drejtorit të përgjithshëm të policisë të vëzhgojë dhe të marrë masa për të parandaluar aktivitetet kriminale që janë duke u kryer ditën për diell në Vorë. Ky është një detyrim ligjor që policia e shtetit ka në raport më qytetarët e Vorës. Në të kundërtën, do të konsiderohen si bashkëpunëtor në krim. U bëj thirrje qytetarëve të Vorës, që në datën 14 maj të dalin të votojnë masivisht. Të dalin të votojnë për ti dhënë fund krimit dhe korrupsionit në Vorë dhe për te filluar një qeverisje të re lokale, që ka në qendër qytetarët dhe jo interesat e krimit. I siguroj se çdo votë e tyre do të mbrohet, çdo votë e tyre do të numërohet. Ne kemi marrë të gjitha masat për ta garantuar vullnetin e tyre. Vullneti i popullit të Vorës për ndryshim nuk do të pengohet nga asnjë kërcenim, nga asnjë shantazh dhe asnjë pushtet me paratë e korrupsionit. Jam i bindur se në Vorë, me vullnetin e qytetarëve të saj ne do të korrim një fitore spektakolare”, shtoi.