Indrit Hoxha është një ndër të paktët kandidatë opozitarë që ka kallëzuar në SPAK rivalin e tij në garën për zgjedhjet lokale të 14 Majit, duke kërkuar hetim për 2.3 milionë eurot e tenderuara për pastrimin e qytetit, që nuk realizohet nga firma fituese.
Duke garuar nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Vorës, Hoxha synon që kjo qytezë, të rikthehet në nyjen e rëndësishme industriale që t’i shërbejë ekonomisë së vendit.
Sipas Hoxhës, në vetëm 1 vit në detyrë, kryebashkiaku Blerim Shera ka falimentuar Vorën dhe po tenton që të mbajë nëpërmjet shantazheve dhe presioneve, pushtetin, edhe pas 14 Majit.
Hoxha deklaroi në “Open” se fushata nuk ka qenë e lehtë për të pasi deri më tani i është dashur të përballet me ato që i cilësoi si makinacionet e qeverisë për përdorimin e parave publike, manipulimin e votës dhe përdorimi i personave me precedentë kriminalë.
“Nuk ka qenë fushatë e lehtë sepse më është dashur të përballem me makinacionet e qeverisë për përdorimin e parave publike, manipulimin e votës dhe përdorimi i personave me precedentë kriminal OSBE-ODHIR dhe SPAK do i shkojë i gjithë informacioni që po përgatit nga stafi im. Vora simbol i krimit i pushtetit të Edi Ramës. Në 4 vite ka ndërruar 5 kryetarë bashkish. Problematika më e madhe kur kam dalë si kandidat ishte se kushdo më kujtonte fushatën e 2015 dhe ishte i terrorizuar, sepse njerëz me precedentë kriminal kishin krah tyre edhe policinë e shtetit.
Kam premtuar se fushata këtë vit do të jetë e qetë, dhe bandat tashmë janë strukur si miu. Sot kanë kuptuar që bashkia i ka ikur nga duart. Bashkinë kërkoj t’ua kthej qytetarëve. Si mund të falimentojë bashkia që është nyjë kyçe në vend. Kundërshtarin e kam ftuar në debat publik, secili të tregojë programin e vetë”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij forma më e zakonshme e presionit në këmbim të votës që po haset në zonën e Vorës, është ajo që realizohet nga drejtorët më të rëndësishëm të bashkisë, të cilët derë më derë trokasin dhe shantazhojnë qytetarët ose i blejnë ata.
Sakaq, referuar programit të tij për bashkinë, Hoxha tha se biznesit të madh do i ulen taksat me 50% ndërkohë që biznesit të vogël do i falen detyrimet e katër viteve të fundit ndërkohë që taksat do të ulen me 80%.
“Unë kam çuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm në SPAK, i bëj thirrje të veprojë sa më shpejt. Kam besimin e madh te SPAK dhe krahas këtij kallëzimi kam vënë në dijeni këto shkresa për trupat e huaj diplomatikë. Sot kemi të dokumentuar dhe faktuar çdo targë makine që i shkon mbrapa demokratëve deri te dera e shtëpisë.
Kemi çdo drejtor të bashkisë Vorë që u bën presion shtëpi më shtëpi njerëzve për votën. Kemi çdo zyrtar apo eksponent kriminal banorëve që nuk kanë marrë shtëpitë e tërmetit. Në Vorë po i ndajnë njerëzit në socialistë dhe demokratë për rastin e tërmetit. Demokratët nuk mund të lihen mes 4 rrugëve. Biznesit të madh nuk do i fal detyrimet që ka, do i ul taksat me 50%. Biznesit të vogël do i fal detyrimet e 4 viteve të fundit dhe do i ul taksat me 80%”, u shpreh Hoxha.