Djemtë priren të braktisin shkollën që të nisin një punë në vendlindjen e tyre ose emigrojnë për një të ardhme më të mirë, ndërsa vajzat e braktisin që të përgatiten për martesë.
Pasi këto vajza martohen, një pjesë e tyre me bashkëshortë emigrantë, të cilët e vizitojnë vendin e tyre dhe familjen zakonisht një ose dy herë në vit, i lënë partneret në shtëpi me prindërit e tyre (vjehrrin dhe vjehrrën) të cilët e mbajnë nusen të izoluar nga shoqëria dhe në shumicën e rasteve e trajtojnë si një shërbëtore që duhet të kujdeset detyrimisht për ta.
Ky është rasti i T. K., një 24-vjeçareje të lindur në një fshat të Dibrës dhe me banim në Paskuqan.
E reja është nënë e dy fëmijëve dhe historia e saj nisi kur i ati vendosi që t’a martojë kur ishte vetëm 17 vjeçe, duke e privuar kështu nga çdo ëndërr fëmijënore dhe dëshira për të hyrë në Universitet dhe ndjekur arsimin e lartë, ç’ka do t’i ofronte më shumë mundësi për të ardhmen.
“Babai e kishte ndarë mendjen që do më jepte tek ai, djali ishte nga një familje e mirë dhe punonte në Greqi”, – rrëfen e reja.
“Kisha turp t’iu tregoja shoqeve që nuk do shkoj në mbrëmjen e maturës pasi nuk më lejonte i fejuari”, – u shpreh ajo, teksa e pikëlluar tregon se martesa në moshë të re e privoi nga “lamtumira” me miqtë e saj të gjimnazit, në mbrëmjen që e kishte pritur me shumë entuziazëm.
Siç rrëfen, fejesa dhe dasma u bënë brenda pak muajsh. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u bë nënë e një vajze, kur vetë sapo kishte arritur moshën madhore (18 vjeç).
E reja zbulon se u gjet e papërgatitur fizikisht e shpirtërisht, ndërsa gjendja e saj psikologjike u rëndua më tepër, pasi tashmë kishte krijuar një familje.
“Çdo gjë e shihja bardh e zi, nuk kishte ngjyrë tjetër për mua për shumë vite”, – tregon 24-vjecarja.
Në ëndrrat e saj kishte imagjinuar që do ishte duke studiuar në universitet, do merrte pjesë në aventura me shoqërinë, por fati i ishte “vulosur” krejt ndryshe, pa dëshirën e saj. Kishte për t’u kujdesur për vogëlushen e saj dhe prindërit e bashkëshortit të saj, të cilët nuk e lejonin të dilte nga shtëpia, e aq më tepër të mendonte për të pasur kontakt me ndonjë prej miqve të saj.
“Jam në lule të rinisë dhe jam mbyllur në shtëpi si shërbëtore që nuk di të bëjë asgjë tjetër”- rrëfen e reja me pikëllim.
Për më tepër, siç T. K. rrëfen, vjehrrit e shoqëronin edhe kur shkonte të vizitonte motrat e saj në shtëpinë e prindërve.
“Nuk mund të shkoja ti takoja motrat e mia pa më shoqëruar ndonjë nga vjehrrit, sepse kishin frikë mos më ngacmo ndonjë djalë rrugës”- tregon ajo dhe shton më tej se “nuk mund të flisja asnjëherë e lirë me motrat e mia pasi ata ishin gjithmonë aty”.
E pyetur si kanë ndryshuar gjërat tashmë që është nënë e dy fëmijëve T. K., tregon se “tani nuk më ruajnë më gjithë kohës dhe më lejojnë të mbaj kontakt me shoqet në rrjete sociale (kodin e Instagramit e ka edhe bashkëshorti i saj)”.
Pavarësisht se marrëdhënia mes tyre është përmirësuar ajo tregon se “sërish nuk mund të dal shpesh nga shtëpia madje edhe fëmijët në çerdhe i dërgon vjehrri”.
Pjesë nga intervista:
Si ta komunikuan prindërit vendimin që kishin marrë për të të fejuar?
Babi im punon me tre mujor në Greqi dhe dy ditë pasi erdhi në Shqipëri më tha që të kemi gjetur një djalë të mirë për burrë do e takosh të shtunën.
Cili ishte reagimi yt i parë dhe çfarë mendove në ato momente?
Nuk fola fare, sepse isha si në shok. Nuk më zuri gjumi gjithë natën duke menduar dhe të nesërmen sapo kthehem nga shkolla pyes mamin. Ajo ma pohoi dhe tha “babi yt e ka vendosur, aj djali është rehat, s’ka me të mungu asgjë”.
A pati ndonjë person në familjen tënde ose të afërm që reaguan kundër kësaj fejese?
Vetëm dy motrat e mia të vogla dhe djali i xhaxhait me të cilin shkoja çdo ditë në shkollë, por ma shprehën vetëm mua dhe mamit pasi të gjithë kishin frikë ti thonin diçka babit.
Kur të prezantuan me personin që do fejoheshe, çfarë përshtypjesh të la dhe si e mendove jetën tënde në vijim me të?
Ishte shumë më i madh se unë, kishte rrudha në ballë. Doja të qaja dhe vetëm shihja mamin në sy. Fola shumë pak me atë djalin në kafe pasi as nuk doja ta shihja me sy nga inati pse po ma bënin këtë gjë.
Mendoje në ndonjë moment të refuzoje dhe ti dilje kundër vendimit të familjes?
Po dhe sapo shkova në shtëpi i thashë babit që është shumë i madh, por filloi të më bërtiste dhe më tha “i di unë këto gjëra, do mësohesh me të e do e duash me kalimin e kohës”. Aty doja të vdisja, vetëm qaja, nuk haja bukë, mendoja ti bëja keq edhe vetes.
I thashë vdes e nuk martohem dhe në atë moment më goditi e iku.
Pse pranove?
Nuk kisha zgjidhje tjetër, me hir apo me pahir babi do më martonte. Do më rrihte prapë derisa unë ti bindesha, ashtu siç ka bërë gjithmonë.
Si ndryshoi jeta jote nga momenti që i the po një personi që nuk e doje dhe nuk e njihje?
Kisha neveri nga ai, vetëm qaja dhe thoja me zë të lartë “O Zot më ndihmo”.
Cili ishte reagimi i shoqërisë tënde kur u tregove?
Më vinte turp nga shoqëria. Atyre iu tregova një javë para fejesës dhe fytyrat e tyre i mbaj mend edhe sot e kësaj dite. Pas një jave, të dielën u fejova dhe dy ditë duhet të rrija në shtëpinë e burrit. Ishin ditë ferri, duhet ti bëja hyzmet njerëzve të atij.
Të mërkurën u ktheva në shkollë dhe qerasa me llokume shokët dhe mësuesit. Mësuesit më panë disa më mëshirë e disa me neveri. Ishin ditët më të këqija të jetës time.
Si shkon jeta sot?
Sot jam me dy fëmijë, i dua shumë sepse janë fëmijët e mi, por e kujtoj gjithmonë se si jam detyruar të marr për burrë babanë e tyre. Ndonjëherë e urrej burrin, ndonjëherë them mësohu se s’ke ç’bën, kjo të ra për pjesë.
Prindërit e tij më shfrytëzojnë në maksimum, duhet të bëj çfarë më thonë ata. Mendova se kur burri im të kthehej nga emigrimi nuk do më trajtonin më ashtu, por ai nuk u kthen fjalë familjes. Shpeshherë kur nuk bindem, edhe ai ngre dorë ndaj meje. Debatet mes nesh janë të shpeshta kur unë nuk ul kokën dhe i bindem, ashtu siç është mësuar të bëj gjithmonë.
Si e gjykon tani zgjedhje e prindërve?
Janë prindërit e mi, i dua dhe i respektoj, por kurrë s’kam për ti falur që më bënë të jetoj me një burrë që se dua e më detyruan të bëhem shërbëtorja e familjes së atij. Sa të kem jetë s’kam për ta harruar dhe më ngelet pikë në zemër.
Po të ktheheshe pas në kohë, a do pranoje sërish?
E mendoj shpesh, por nuk e di. Babi do më detyronte me dhunë ti bindesha. Nuk kisha zgjidhje tjetër, ku të shkoja apo çfarë të bëja. Nga ana tjetër them ta kisha denoncuar në polici, mbase sot do ishte shumë ndryshe situata dhe do isha duke punuar e mbase do kisha njohur një njeri që do e kisha dashuruar vërtetë.
Çfarë do u thoje vajzave që janë sot në vendin tënd?
Ju lutem gjeni forcën dhe guximin brenda jush të mos i bindeni askujt. Studioni dhe bëhuni të zonjat e vetes për të mos ja pasur nevojën as babait dhe as askujt.
Ëndrra ime për të nisur studimet e larta mori fund kur u fejova, por ju mos hiqni dorë kurrë. Mos bëni gabimin që bëra unë. Jam në lule të rinisë dhe jam mbyllur në shtëpi si shërbëtore që nuk di të bëjë asgjë tjetër.
Fatkeqësisht vajzat si T. K., të cilat mendojnë se familja duhet të vendosë për to dhe nuk i kundërshtojnë janë shumë. Ato durojnë, nuk kanë përkrahje, ulin kokën, nuk mund ta ngrejnë zërin…sepse nuk kanë mbështetje financiare.
Mentaliteti që rriten femrat në Shqipëri i nënshtron, por duhet të ndryshojnë mendësinë, pasi vetëm kjo mund të sjellë diferencën.
Kjo gjë duhet të marrë fund. Vajzat duhet të jenë të lira të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
- Martesat e fëmijëve ende një “plagë e hapur” e shoqërisë tonë
Martesat në moshë të re në Shqipëri janë një fenomen shqetësues, por pak diskutohet dhe ngrihet zëri për të. Vajzat e mitura shqiptare detyrohen nga familjarët e tyre të lidhin një martesë e të krijojnë familje me djem e burra shpeshherë shumë më të mëdhenj në moshë, mbase edhe njësoj me babain e tyre.
Shumë prej tyre nuk e gjejnë guximin të refuzojnë, mbase nga frika ndaj babait, apo edhe sepse u është imponuar mendimi se të ardhmen e tyre duhet t’a vendosë familja.
Dominimi mashkullor dhe familja patriarkale luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këto vendime, por kjo mendësi duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Nënat e vajzave në shumicën e rasteve nuk mund të ngrihen dhe të kundërshtojnë, por luten që vajza të ketë një fat të mirë e bashkëshorti i saj ta trajtojë me respekt.
Vajza të rritura në zona të thella, apo vajzat e komunitetit rom, të paarsimuara dhe të izoluara prej diktatit të babait nga shoqëria, ndihen të detyruara të martohen pasi mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të lidhin jetën me bashkëshortin që i përcaktohet dhe të bëjnë fëmijë.
Një vajzë e cila martohet në moshë shumë të re ka shumë gjasa të mos përftojë edukimin e nevojshëm, e po ashtu të mbetet e pa arsimuar dhe rrjedhimisht e papunë.
Predispozitat janë që në të tilla marrëdhënie, të krijuara pa konsensusin e të dy palëve, vajzat të përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike, të bien pre e abuzime dhe marrëdhënieve seksuale pa dëshirën e tyre dhe të vuajnë izolimin.
Një vajzë që martohet në moshë të re detyrohet që shumë shpejt të sjellë në jetë një fëmijë dhe këtu për fat të keq mund të përdoret shprehja: “Rrit fëmija – fëminë”.
Fëmijët konsiderohen si të paaftë për të dhënë pëlqimin e plotë dhe kjo do të thotë se martesat e fëmijëve duhet të konsiderohen si një shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijës.
Varfëria, mungesa e vlerës që sjell edukimi i vajzave, izolimi gjeografik, përjashtimi social, trafikimi dhe emigrimi janë të gjithë faktorë që nxitin martesën e fëmijëve sot në Shqipëri, po ashtu si qëndrimet ndaj seksualitetit të grave dhe rolit të tyre në shoqëri.
- Martesat e vajzave nën moshë dhe pabarazia gjinore
Ndonëse ligjërisht martesa mund të lidhet vetëm mes dy personave mbi moshën 18 vjeç, fëmijët kurorëzohen në martesa të padëshiruara përpara kësaj moshe.
Neni shtatë i Kodit të Familjes përcakton se dy individë të gjinisë së kundërt mund të martohen pasi të kenë mbushur moshën 18 vjeç, por ky Kod, në raste specifike, i jep fuqi gjykatës së zonës, që për shkaqe me rëndësi, të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe, por nuk përcakton një moshë minimale.
Ligji nuk parashikon se çfarë masash duhen marrë në këto raste, përtej ndjekjes së mundshme penale për marrëdhënie seksuale me një të mitur nën moshën 14 vjeç, ose marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur të moshës 14-18 vjeç.
Asnjë vajzë nën 18 vjeç në Shqipëri nuk ka lidhur martesë nën fuqinë vepruese të ligjit të përmendur më sipër, përgjatë vitit të shkuar (2022), por duhet theksuar se ka një mungesë të të dhënave të sakta statistikore për martesat e fëmijëve.
Këto shifra praktikisht nuk tregojnë asgjë mbi fenomenin që mbetet ende “plagë e hapur” pë shoqërinë shqiptare, pasi martesat e fëmijëve nën 18 vjeç nuk raportohen, duke u mbajtur të fshehta deri në momentin kur arrijnë moshën ligjore.
Për këtë arsye nuk mund të kemi një vlerësim real të situatës në vendin tonë.
Bazuar në të dhënat e institutit të statistikave, numri i vajzave që ligjërisht janë martuar para moshës 18 vjeç gjatë vitit 2020 ishte 16, ndërkohë që në 2019 ishte 20.
Ndërkohë, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, numri i martesa të vajzave në moshën 18 deri në 19 vjeç, është shumëmë i lartë krahasuar me djemtë duke konfirmuar natyrën e këtij fenomeni, që lidhet me patriarkalizmin në familjet tona.
Vihet re gjithashtu që viteve të fundit, numri i martesave për grupmoshënnga 18 deri në 19 vjeç ka pësuar një rënie.
*Ky artikull u realizua nga Anduela Laçi në bashkëpunim me UNICEF