Më 27 prill, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, bëri ndryshime të përkohshme në Kushtetutën e entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, që pritet ta lehtësojnë formimin e Qeverisë së Federatës si dhe ligjeve penale për parandalimin e mashtrimeve zgjedhore.
Këto ndryshime u bënë për të ndihmuar formimin e një qeverie rajonale pas një bllokimi të gjatë. Kjo i jep parlamentit të Bosnje dhe Hercegovinës një vit kohë për ta hartuar versionin e vet të amendamenteve kushtetuese.
Federata Boshnjako-Kroate, një rajon autonom, nuk ka arritur ta formojë qeverinë që nga zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, sepse partia më e madhe boshnjake, SDA, ka bllokuar çdo propozim që nuk përfshinte ministrat e saj.
Ish-politikani gjerman, Christian Schmidt, i cili ka kompetenca të mëdha si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnjën e pasluftës, bëri ndryshime në kushtetutë në mënyrë që vetëm dy nga tre anëtarët e presidencës së Federatës duhet ta mbështesin një qeveri të propozuar për ta dërguar atë në parlament, duke anashkaluar kështu anëtarin e presidencës nga SDA-ja.
“Ne duhet të themi se ajo që ne kemi parë është një ngërç politik, jo një luftë mes popujve përbërës”, tha Schmidt gjatë një konferencë për media.
Schmidt, i cili ka kompetenca për të ndryshuar ligjet dhe për të shkarkuar zyrtarë që shihen si pengues të marrëveshjes së paqes me Bosnje dhe Hercegovinën, u kritikua shumë për ndryshimin e ligjit zgjedhor në natën e zgjedhjeve tetorin e kaluar, që synonte gjithashtu të hiqte bllokadat e formimit të qeverisë së Federatës.
Shumë politikanë dhe analistë thanë se ai kishte shkelur procesin demokratik.
SDA-ja dhe aleatët e saj kritikuan vendimin e Schmidtit, duke e quajtur atë një “pezullim skandaloz të kushtetutës së Federatës”.
Pas luftës shkatërruese në vitet e 90-ta, në të cilën vdiqën rreth 100.000 njerëz, Bosnja dhe Hercegovina u nda në dy rajone autonome me bazë etnike, Federatën Boshnjako-Kroate dhe Republikën Serbe, të lidhura mes vete nga një qeveri e dobët qendrore.
Ndërsa qeveritë në nivel shtetëror dhe në Republikën Serbe u formuan shpejt pas zgjedhjeve të tetorit, SDA-ja ka bllokuar qeverinë e Federatës pasi u formua një koalicion i ri qeverisës nga një numër i partive boshnjake, kroate dhe shumë-etnike që nuk e donin SDA-në.
Federata kryesohet nga një kroat, me nënpresidentë boshnjakë dhe serbë, të cilët para ndryshimit duhej ta mbështesnin të gjithë qeverinë e propozuar.
Schmidt tha se ai veproi sepse kushtetuta nuk zgjidhte situata të tilla, duke shtuar se vendimi i tij do të hyjë në fuqi nëse parlamenti nuk ndryshon kushtetutën brenda një viti për t’i parandaluar bllokimet e ardhshme në formimin e qeverisë së Federatës.
Përplasje të ngjashme politike kishin penguar formimin e një qeverie të Federatës pas zgjedhjeve të vitit 2018.
Bosnja, e dëmtuar nga përplasjet e shpeshta politike me bazë etnike dhe korrupsioni endemik, ka përjetuar trazira politike gjatë viteve të fundit, me qeveritë shpesh të bllokuara si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë rajonal./REL