Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë, me shqiptarët që po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë dhe duke i krijuar vendit sfida të reja që lidhen direkt me ekonominë, ku bizneset janë në alarm pasi nuk mund të gjejnë më punëtor për vendet vakante.
Arsyet kryesore për të emigruar nga Shqipëria e qeverisur prej 10 vitesh nga qeveria Rama, sipas të rinjve janë mungesa e meritokracisë, cilësia e ofrimit të shërbimeve dhe pagesat e ulëta.
Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022 fenomeni u bë edhe më agresiv, me mbi 12 mijë djem të rinj që kaluan detin nga Franca në Britani me gomone.
Shifrat janë edhe më kokëforta kur tregojnë se nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ndërsa mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme dhe nuk e shohin si opsion rikthimin në atdhe.
Emigracioni është kthyer në aspiratë e në mendësi për të rinjtë në vend, të cilët edhe për të studiuar zgjedhin programe e degë që mund t’ua lehtësojnë më shumë procedurat për t’u largua pas marrjes së diplomës në universitet, apo certifikatës në një shkollë profesionale.
Edhe pse Shqipëria kishte për dy dekada një popullsi shumë herë më të re në moshë se Evropa, shpopullimi i 10 viteve të fundit emigrimi sistematik i grup moshës 20-35 vjeç ka tkurrur frikshëm popullsinë e vendit deri në atë pikë sa tani e gjithë shoqëria është në emergjencë për njerëz e krah pune.
Bizneset kërkojnë punëtor dhe i luten qeverisë për programe lehtësuese vizash për ata që vijnë nga vendet aziatike si Nepali, India apo Bangladeshi, ndërsa në sektorin e tregtisë ka rënie të menjëhershme në konsum.
Mungesa e punëtorëve është sfida më e re për Shqipërinë, e cila për herë të parë u pranua edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili megjithatë refuzon të pranojë se arsyet e shpopullimit masiv lidhen direkt me keqqeverisjen e korrupsionin që “Rilindja” vendosi si standard në vend gjatë këtyre 10 viteve.
“Problemi që kishte vende pune dhe nuk kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në një problem që s’ka punëtorë. Aq më tepër në kushtet kur bota, po marr Gjermaninë si destinacionin kryesor jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të gjithë atyre që duan të kenë ato që nuk ja garanton vendi i tyre po hyn në një fazë krize për punëtorë edhe ajo vetë. Para përfytyroni se në çfarë presioni gjendet Shqipëria, në një periudhë kohë që nuk është më shumë sesa pak vite”, – tha Rama në një takimk elektoral më 13 prill.
E pasi i dha jetë një eksodi të ri të shqiptarëve, të ngjashëm thuajse në shifra me atë të post viteve ’90, qeveria e drejtuar prej tij duket se është kujtuar për të hartuar një plan masash që synon të frenojë emigrimin e të rinjve.
Këtë e prezantoi sot pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Ajo bëri me dije për mediat se Këshilli i Ministrave ka miratuar një projekt-vendim për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore, që synon aftësimin dhe punësimin e të gjithë të rinjve në Shqipëri, të grup moshës 15-29 vjeç.
Ibrahimaj tha se çdo të riu në këtë grup moshë, që ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, do t’i ofrohet programi i aftësimit nëpërmjet kruesve të formimit profesional apo një vendi pune.
Më pas do tu gjendet një vend pune, ku për tre muajt e parë do të paguhen me 80% të pagës minimale, ndërsa më pas me 100% të rrogës.
Ndër të tjera, ministrja nënvizoi se i gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e Bashkimit Evropian.
SKEMA E SHPJEGUAR NGA IBRAHIMAJ:
Miratimi i projekt vendimit për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore. Ne kemi folur gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të kaluar për programin e garancisë rinore, i cili do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.
Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune.
I gjithë ky proces do të vijë i mbështetur nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e BE dhe çdo i ri që do të përfundojë një program të formimit profesional, për një hark kohor deri në 6 muaj, do t’i ofrohet një vend pune dhe ky vend pune do të paguhet për 3 muajt e parë me 80% të pagës minimale me një pagë të reduktuar dhe për 3 muajt e dytë, do të zgjasë 6 muaj, do të paguhet me 100% të pagës minimale.
Të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës e personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 kilometra larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional.
Kjo është një politikë e cila shkon e gjitha në linjë me politikën që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune me cilësore, për të rritur pagat e të punësuarve, pra, për të rritur standardin e ofertës së punës në të gjithë vendin.