Një anëtar i një grupi me katër persona, mes të cilëve bën pjesë edhe një vajzë, e që janë protagonistë të një konflikti që prej disa muajsh po “terrorizon” Pogradecin, është vënë në pranga nga policia.
Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Mario Xhangolli, i cili u akuzua publikisht nga 39-vjeçari Eris Çekani, së bashku me dy vëllezërit Brian dhe Sindi Syzo e të dashurën e njërit prej tyre, Jona Duko, se i kanë vendosur GPS në dy automjetet që ai jepte me qera në datë 1 mars.
Çekani deklaroi para hetueasve se me këta persona ka një konflikt të hapur prej disa kohësh dhe janë të vetmit për të cilët ka dyshime.
Historia e Çekanit me vëllezërit Syzon dhe mikun e tyre Mario Xhangolli ka nisur vetëm pak muaj më parë, kur 39-vjeçari është përfshirë në një sherr me disa persona.
Pesë të rinjtë, të cilët udhëtonin me dy makina, kanë ndjekur njëri-tjetrin deri në në aksin rrugor “Elbasan-Metalurgjik”, derisa në një moment kanë përplasur makinat.
Në prangat e Policisë së Shtetit përfunduan asokohe Eris Çekani dhe Gledis Dikellari.
Ndërkohë më 18 prill Xhangolli dhe Sindi Syzo kanë Çekanin, kur rreth orës 08:00 të mëngjesit në aksin rrugor ‘Korcë-Pogradec’ pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë me mjetin e tyre tip “Hummer” kanë përplasur mjetin e 39-vjeçarit.
Syzo dhe Xhangolli, pasi i ka përplasur mjetin kanë dalë jashtë dhe kanë kërcënuar dhe kanosur 39-vjeçarin, ndërsa gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale.
Më pas, të dy janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes dhe si pasojë ata u shpallën në kërkim nga ana e policisë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ëanted”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për dy ngjarje të ndodhura muajt e fundit, në Pogradec. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me DVP Tiranë. Kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i cili në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (vëllezër), kanosi 2 qytetarë dhe dëmtoi me sende të forta automjetet e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të shpallur në kërkim, falë bashkëpunimit me DVP Tiranë dhe shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Ëanted”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
- Xh., 30 vjeç, banues në Pogradec.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit B. S. dhe S. S. (vëllezër, të shpallur në kërkim), më datë 01.03.2023, kanë kanosur një 37-vjeçar, të cilit i dëmtuan edhe xhamat e automjetit. Gjithashtu më datë 18.04.2023, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, për motive të dobëta, përplasën qëllimisht, me automjetin e tyre, automjetin e një 39-vjeçari, të cilin e kanosën, i dëmtuan me sende të forta automjetin dhe më pas u larguan me shpejtësi, nga vendngjarja.
Polica po vijon punën për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve, shtetasve B. S. dhe S. S., me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.