Bordi i i Transparencës, organi i krijuar për të mbikëqyrur tregun e karburanteve por që është shndërruar prej mëse një viti në një “hall” për xhepat e shqiptarëve, është lënë çuditërisht në fuqi nga Gjykata Kushtetuese, me një vendim të marrë këtë të martë.
Me këtë vendim mbrohet Bordi i Ramës edhe pse është është i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Togat e zeza në mënyrë absurde kanë vendosur të shfuqizojnë vetëm një nen të ligjit që qeveria Rama aprovoi me aktin normativ të firmosur më 12 mars të vitit 2022.
Si i papajtueshëm me Kushtetutën është konsideruar neni 21/10, pika 2, fjalia e dytë, nr. 39/2022 ”Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, date 24.02.1999 “Per përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”.
Me nenin e shfuqizuar, Kushtetuesja specifikon se tanimë Bordi komunist i naftës nuk mund të shkrijë vetveten, por duhet të jetë qeveria që merr një vendim të tillë.
Struktura do të vijojë të përcaktojë çmimet e karburanteve, por anëtarët e tij (5 prej të cilëve oligarkë të karburanteve të rreshtuar pranë qeverisë), nuk e kanë më tagrin të vendosin nëse do të vetëshkrihen apo jo, me Ramën që thotë fjalën e fundit.
Bordi është një institucion që është krijuar në një situatë emergjente, siç ishte rritja e çmimeve pas nisjes të luftës në Ukrainë.
E për rrjedhojë, në vendimin e Kushtetueses theksohet se situatën e jashtëzakonshme, nuk mund ta përcaktojë Bordi se kur ai do duhet të funksionojë ose jo, por duhet të jetë qeveria që vendosë.
Kushtetuesja mori vendimin pasi shqyrtoi një padi të ngritur nga 29 deputetë të Partisë Demokratike, ku kërkohej shkrirja e Bordit, në një kohë kur struktura në fjalë ishte akuzuar për abuzime në kurriz të qytetarëve me përcaktimin e çmimeve.
Ndërkohë, Bordi komunist i qeverisë është kthyer në qesharak me vendimet që nuk përkojnë aspak me çmimin e naftës në bursën ndërkombëtare, ku prej më shumë se dy muajsh ari i zi është zhvlerësuar, duke rënë në “pikiatë”.
Ndërkohë, operatorët e tregut prej kohësh këmbëngulin se nëse Bordi nuk do të ndërhynte, çmimet në treg do të kishin qenë të paktën 5% më lirë.
Kjo pasi, sipas argumentave të tyre kompanitë do të ishin fleksibël të merrnin vetë përsipër rrezikun dhe të blinin më shumë sasi karuranti kur çmimi të ishte më i lirë në tregje, ndërsa me Bordin mbi krye janë të detyruar të bëjnë blerje në baza ditore.
Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli para disa kohësh argumentonte se Bordi i Transparencës është vetëm një pengesë për ekonominë e vendit, pasi struktura nuk është aspak transparente dhe gjatë gjithë vitit ka fshehur të gjitha abuzimet që bëheshin me çmimet.
“Bordi në momentin e parë e dha atë pritshmërinë që e patën qytetarët, por kjo vetëm në dy-tre javët e para. Më vonë ajo është një strukturë që vetëm dëme sjell. E para, e ka emrin e transparencës dhe nuk më duket që është transparent. Në rast se flasim për çmimin e naftës, nafta ka disa element përbërës dhe bordi nuk të jep, si publik, si qytetar, të dhënat e çmimit në momentin që vjen nafta në portin e Durrësit.
Nuk të jep të dhënat e çmimit në magazinë, në shumicë që ti të dish sesi evolon ky çmim deri në çmimin përfundimtar e të kuptosh se ku mund të jetë abuzimi i mundshëm në të gjithë këto hallka.
Una gjykoj që bordi është një strukturë që i ka ikur koha, është një strukturë atavizëm jokrenare i kohës së ekonomisë së centralizuar, më shumë dëmton se sa realisht na ndihmon. Me pak fjalë është një elefant në një dyqan qelqurinash. Sa më shpejtë të largohet aq më pak dëme do ti sjellë ekonomisë sonë”, tha ai.
NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE:
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.