Një përplasje midis dy gazetarëve që drejtojnë dy portale të ndryshme, që nisi pas publikimit të një audio-përgjimi që i përngjante më tepër një tutoriali shterues në makinacione dhe skema që përdoren për të vendosur gjoba ndaj bizneseve dhe politikanëve më në zë të Tiranës, është kryefjala e ditës së sotme në media.
Më konkretisht, herët gjatë paradites portali “PublikTV.Live”, në pronësi të Naim Nokës publikoi një audio-përgjim të gazetarit të “Report TV”, njëherësh i përfolur si drejtues i “Prapaskena.com”, Adriatik Doçi, i cili i tregon një kolegeje sesi i vendos gjoba biznesmenëve dhe politikanëve të qeverisë Rama.
I njohur si “gazetari i Rilindjes”, për shkak se i ka shprehur publikisht bindjet e tij politike si mbështetës i partisë në pushtet, Adriatik Doçi bën publikime për llogari të “Prapaskena”, duke përdorur një gjuhë të ashpër, fyese dhe kërcënuese.
Me çfarë ai vetë tregon në audio-përgjim, provon se publikimet kanë një qëllim dhe ai është lidhja e kontratave për përfitime personale abuzive me kompanitë, të cilat shantazhon në emër të gazetarisë.
Pas reagimeve të shumta në rrjet për audio-përgjimin me protagonist gazetarin, Adriatik Doçi me anë të një postimi në Facebook, u përpoq të shpjegonte se ai nuk është gjobëvënës, por se me njohuritë e tij vetëm i ka shpjeguar koleges sesi funksionon tregu i reklamave në Shqipëri.
Doçi shprehet në këtë postim se ai nuk shantazhohet lehtë dhe hedh akuza në drejtim të gazetares që sipas tij ka realizuar audi-çimkën, duke thënë se po keqpërdoret nga një person i tretë, duke iu referuar Naim Nokës.
“Miq, e ndiej detyrim moral dhe në respekt të fytyrës që kam, të bëj një sqarim për një audio-çimkë të publikuar sot. Një kolege gazetare, duke pirë kafe, më pyet se si funksionon tregu i reklamave në media. Dhe unë i shpjegoj që kur me një biznes ke marrëveshje reklamimi, nuk mund të publikosh lajme kundër tij. Ky është një realitet i rëndomtë. Një bisedë që mund ta bëj 1 mijë herë.
Barra morale bie mbi kolegen që përgjon biseda në tavolinë me telefon. Megjithatë e mirëkuptoj kolegen dhe më vjen keq që po e përdorin. Kush më njeh e di që nuk shantazhohem. Të gjithë dashamirësit e mi të rrinë të qetë. Unë nuk kam as media dhe as nuk kam lidhur kontratë me askënd, por pa dyshim që kam akses në media. Publikuesi është një pseudogazetar i quajtur Naim Noka, të cilin dyshoj se kanë paguar. Nuk ka lidhje me gazetarinë”, shkruan ai.
Më tej Doçi thekson se Naim Noka i ka ndërhyrë disa herë për t’i hequr shkrime nga mediat, duke vepruar si sekser.
“U kujtova se ky tipi më ka ndërhyrë disa herë për të hequr shkrime. Madje, një herë, më ka marrë në mesnatë si sekser. Nëse do të bëjë gazetari, të tregojë nëse pagoi gjë për porosinë që unë i kreva në atë rast? Ky është morali dhe burrëria. Unë po godas korrupsionin dhe po nxis drejtësinë e re për të çuar drejt burgut ish ministra dhe ish kryeministra. Për mua, sulme të tilla janë të parashikueshme”, shkruan më tej Doçi.
Ndërkohë, pasi portali i tij “PublikTVLive” publikoi audio-përgjimin ku Doçi i tregonte një kolegeje gazetare mënyrën si të vendoste gjoba në media, gazetari Naim Noka pretendon se ka marrë SMS kërcënuese nga Doçi.
Gazetari në fjalë i ka postuar mesazhet kërcënuese po në “PublikTVLive” dhe në profilin e tij në Facebook shkruan: “Dy fjalë ‘patllakes gjobëmedia’. Unë në të drejtën time profesionale nuk shantazhohem e frikësohem nga sms e tua Adriatik! Më shpejtove botimin e Pjesës Nr.2”.
Një kundërpërgjigje nga Naim Noka lidhur me këtë artikull ka ardhur sërish në rrjetin social Facebook, ku ai shprehet se vetëm fotoja dhe të dhënat e tij janë të vërteta, ndërsa pjesa tjetër e shkrimit është baltosje e emrit të tij.
Noka nënvizon se do të padisë në gjykatë Adriatik Doçin për shkrimin në fjalë.
“O “Patllake” gjobaxhiu ! Vetem foton me emer dhe mbiemrin tim i ke të verteta. Të tjerat janë kazan-adriatik-sahan! Unë nuk kam kohë për ty por avokati im te rezervon një padi për shpifje. Ruaje këtë shkrimin se do të kushtojë ca lekë në gjykatë. Avazi …. vijon”, shkruan gazetari.
Në një postim të tretë, ku Noka sërish i referohet portalit të Doçit si “patllake gjobëmedia” dhe lë të kuptohet se posedon përgjime të tjera për gazetarin në fjalë, përveç atyre të publikuar sot në “PublikTVLive”.
“E ndjej detyrim moral të të them për herë të fundit se po me konsumon kohën e videove të tjera dhe je krenar por pak i menderosur! Mos e trazo më. Avazi… padia mos e hiq shkrimin tek ‘patllakeprapaskena’ SMS e kam provë!”, shkruan Noka në Facebook.
LEXO EDHE:
https://boldnews.al/2023/03/23/audiopergjimi-gazetari-adriatik-doci-tregon-se-si-i-vendos-gjoba-biznesit/
Adriatik Doçi: Dashamirësit e mi të rrinë të qetë, nuk shantazhohem