Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”, nxënësit e së cilës u përfshin në një skenë dhune shtazarake pak ditë më parë, ka zbuluar në emisionin “Open” detaje nga videoja me përmbajtje të rëndë që qarkulloi në rrjet dhe shkaktoi reagime të ashpra në opinioin publik.
Në videon në fjalë shiheshin disa vajza jo më të mëdha se 14-15 vjeç që dhunonin brutalisht një bashkëmoshatare, ndërsa edhe më shqetësues ishte fjalori banal që adoleshentet përdornin për të ofenduar të miturën mbi të cilën godisnin pa mëshirë, ndërkohë që djemtë e së njëjtës moshë që ishin prezentë filmonin dhe qeshnin.
Drejtoresha Rudina Maksuti tha se përplasja midis vajzave të klasës së 7-të ka nisur që në verë dhe është mbartur deri në dyert e shkollës.
Maksuti tha se grupi i vajzave të klasës së 7-të kanë dhunuar një vajzë të klasës së 8-të, ndërsa të gjithë personazhet në videon e bërë virale sipas saj vijnë nga familje me probleme dhe prindërit e tyre janë thirrur disa herë në shkollë për problematika shumë herë më të vogla.
“Do doja të sqaroja situatën duke dhënë detaje. Ne u njohëm në atë moment me ngjarjen. Për videon dua të them se ishte e rëndë fakti mënyrën sesi doli video. Ato ishin minorene dhe fytyrat e tyre dolën hapur. Prindërit e tyre janë ndjerë keq. Fëmijët që e rrahin vajzën tjetër janë të shkollës sonë. Videoja ishte e planifikuar më para. Kemi pasur kontakte me prindërit në prezencë të shërbimit psiko-social. As vetë prindërit nuk kanë qenë të informuar. Situata ka nisur që në verën që lamë pas. Vajza e rrahur nuk ishte pjesë e shkollës sonë. Vajzat janë në klasën e shtatë, teta dhe nëntë. Janë fëmijë që vijnë nga familje problematike, por ata kanë bërë çfarë është e mundur për edukimin e tyre. Janë të një niveli jo të lartë, për sa i përket arritjeve arsimore. Ngjarja ka ndodhur në lagjen dhe pallatin e tyre. Kanë qenë të agravuar që prej verës, kanë pasur kërcënime me njëra-tjetrën”, tha Maksuti.
Më tej Maksuti shtoi se vajza e cila po dhunohej në video i ka kërcënuar vajzat e tjera me thika dhe kaçavida, duke u shkuar deri në shtëpitë e tyre.
Sipas saj vajzat e tjera janë ndjerë të kërcënuara nga këto veprime dhe janë bashkuar për ta dhunuar atë në një ambient që ndodhej rreth 1 kilometër larg shkollës 9-vjeçare dhe pranë një tuneli.
“Fëmijët e filmuan por nuk e nxorën ata, kanë qenë maxhorenë ata që e kanë nxjerrë, ju garantoj. Kanë pasur mundësinë për të bërë videon, por nuk e kanë shpërndarë. Ata e pranuan vetë që e bënë videon. Kjo vajzë i ka kërcënuar edhe me thika e kaçavida deri te dera e shtëpisë dhe ato u bënë grup për ta mposhtur. Të gjitha shkollat janë rënduar nga këto sjellje. Jo vetëm në shkollën tonë, kam parë situata nga më të vështirat gjatë punës time dhe mësuesit kanë hyrë për të zgjidhur situatat mes nxënësve. Edhe prindërit kanë thënë që nuk kanë çfarë u bëjnë”, deklaroi ajo.
Më tej, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare shprehur shqetësimin se adoleshentët po ndjekin modele të gabuara, pasi ndikohen nga emisione televizive që prodhojnë banalitet dhe dhunë, sapo dalin nga dyert e institucioneve arsimore.
Ajo përmendi formate televizive si “Për’puthen” apo Big Brother dhe rrjete sociale si Tik Tok si motivues të rasteve dhunës te adoleshentët dhe gjuhës banale që ata nisin të përdorin.
Ajo nuk i rezervoi kritikat as për prindërit që i pajisin adoleshentët me smart-phone të fundit si për të treguar standartin e lartë të jetesës, por edhe për faktin se ngelizhojnë mbledhjet që u kërkohen nga mësuesit duke mos u interesuar për fëmijët e tyre.
“Sado ne të edukojmë në shkollë, përtej dyerve të shkollës nuk gjen librin hapur por gjen Big Brother, nuk gjen detyrën por gjen Për’puthen, gjen Tik Tok-un. Dhe gjithë ajo edukata rrëzohet. Prindërit janë shumë krenarë kur u blejën ato telefonat që kush e kush t’ja blejë më të shtrenjtë, sepse janë fëmijë dhe mendojnë se plotësimi i kushteve janë modelet firmato. Por nuk e kontrollojmë. Arrin deri aty sa kur thërrasim prindër, thonë që të ‘lë punën unë që vij atje’. Prindi i thotë, po të gjuaji, ti mos rri po duart nuk i ka të thara. Problemi është i gjithë shoqëria. Nga familja që është A e punës, është shkolla, është shoqëria. Ka komunitete të ndryshme, ke familje me probleme, babai rreh nënën, tek Big Brotheri ngrihet model një që bullizon, ky është modeli pra”, nënvizon Maksuti.