Si mund të keni një jetë të lumtur ? Është një pyetje e vështirë për t’i dhënë një përgjigje, sepse duhen peshuar shumë faktorë. A është një jetë e lumtur e ndërtuar mbi karrierën dhe përfitimet financiare? Mbi pozicionin juaj brenda komunitetit ku jetoni? A buron ajo nga një album fotosh i mbushur me kujtime pushimesh të mrekullueshme? Tek apo tek një predispozitë gjenetike për të qenë i lumtur pavarësisht rrethanave?
Në një farë mënyre, përgjigjja është po për të gjitha këto, pasi secila kontribuon në mënyrën se si i qaseni jetës dhe vlerësimin që keni për të. Megjithatë, në librin e tyre të ri “Jeta e mirë: Leksione nga studimi shkencor më i gjatë mbi lumturinë”, Robert Ualldinger dhe Mark Shuc, respektivisht drejtor dhe drejtor i asociuar i Studimit të Harvardit për Zhvillimin e të Rriturve, argumentojnë se ekziston një faktor që “spikat për fuqinë dhe qëndrueshmërinëe tij” në ndihmën që u jep njerëzve për të pasur një jetë të mirë dhe të përmbushur. Kjo është cilësia e marrëdhënieve të tyre. Në një intervistë për Big Think, dr.Ualdinger shpjegon arsyet pse marrëdhëniet tona me të tjerët janë përcaktuese për lumturinë tonë në jetë.
Çfarë është Studimi i Harvardit për Zhvillimin e të Rriturve?
Është studimi më i gjatë i kryer ndonjëherë. Ka nisur që në vitin 1938 – pra unë jam drejtuesi i tij i katërt dhe vazhdojmë ende sot që të mbledhim të dhëna. Ai ka ndjekur të njëjtit njerëz për 85 vjet, dhe ka filluar të ndjekë edhe fëmijët e tyre. Prandaj tani kemi 724 familje.
Cilat janë qëllimet e studimit?
Të zbulojë se çfarë i ndihmoi njerëzit të kishin një jetë të mirë dhe të lumtur.
Ku fokusohemi ne zakonisht kur flasim për lumturinë dhe mirëqenien?
Për këtë kemi shumë mite. Si për shembull nëse je i pasur, je më i lumtur. Nëse je i famshëm, je më i lumtur. Nëse arrin shumë në jetë, do të jesh më i lumtur. Por asnjëri prej tyre nuk është i vërtetë. Sepse në studimin tonë kemi pasur njerëz të pasur, të famshëm apo edhe me arritje të mëdha në karrierë, dhe ata nuk janë mesatarisht më të lumtur sesa njerëzit që bëjnë një jetë normale.
Problemi është se kultura jonë i ruan këto mite, sepse ato shesin produkte. Mendoni pak për të gjitha mesazhet që marrim se si do të jemi më të lumtur nëse blejmë një makinë të caktuar. Apo se do të dukemi gjithmonë të rinj nëse përdorim një markë të caktuar kremi për fytyrën. Pra na imponohet ideja se mund të bëjmë gjithçka të përsosur nëse konsumojmë gjërat e duhura. Dhe megjithëse të gjithë e dimë që kjo nuk është e vërtetë, mund të kemi ndjesinë se në njëfarë mënyre njerëzit e tjerë i kanë kuptuar të gjitha, ndërsa ne jo.
Pse marrëdhëniet sociale janë jetike për një jetë të lumtur?
Ajo që kemi zbuluar është se investimi tek marrëdhëniet tuaja me njerëzit e tjerë, është gjëja që do t’ju bëjë më të lumtur dhe do t’ju mbajë më të shëndetshëm. Pra, janë të dyja këto gjëra. Por marrëdhëniet njerëzore janë të ndërlikuara, sepse njerëzit janë kaotikë nga natyra e tyre, madje edhe njerëzit që ne i njohim mirë.
Ne kemi humor të ndryshëm, kemi pëlqime dhe mospëlqime të ndryshme, dhe ndryshojmë me kalimin e kohës. Dhe ndërsa marrëdhëniet janë padyshim ato që na mbajnë më të lumtur dhe më të shëndetshëm, ato janë gjithashtu më pak të parashikueshme.
Nëse i mbaj mend saktë statistikat, njerëzit në të 50-at e tyre që thanë se kishin marrëdhënie pozitive, ishin më të lumtur se të tjerët mesatarisht deri në të 80-at e tyre…
Dhe ishin më të shëndetshëm. Kishin më pak gjasa të zhvillonin sëmundje të arterieve koronare dhe artrit. Ndaj jetuan më gjatë. Në fillim nuk e besuam këtë gjë, por më pas studime të tjera filluan të zbulonin të njëjtën gjë.
Pse marrëdhëniet sociale e kanë këtë efekt pavarësisht nga kaosi dhe paparashikueshmëria e tyre
Hipoteza më e mirë është se marrëdhëniet e mira janë mënyra të rëndësishme për të menaxhuar stresin. Nëse më ndodh diçka sot dhe mërzitem, mund të ndjej dobësimin eimunitetit tim. Rrahjet e zemrës më rriten, dhe nis të djersitem. Trupi kalon në modalitetin“lufto ose ik” për të përballuar sfidat.
Por kur zhduket kërcënimi, ne duam që trupi të rikthehet në gjendjen normale. Ajo që zbuloj është se nëse mund të shkoj në shtëpi dhe bisedoj me gruan time, e ndjej që trupi im nis të qetësohet. Një nga gjërat që sugjeron shkenca është se njerëzit që janë të izoluar apo që kanë marrëdhënie toksike, nuk mund ta bëjnë dot këtë.
Ata nuk kanë një vend ku mund të shkojnë për të dalë nga modaliteti “lufto ose ik”. Prandaj përjetojnë një gjendje më të gjatë në kohë të nivelit të lartë të hormoneve të stresit por dhe inflamacionit. Dhe ne e dimë që me kalimin e kohës kjo i prish sistemet e trupit.
Atëherë, cilat janë llojet e ndryshme të marrëdhënieve që duhet të kultivojmë?
Të gjitha llojet e marrëdhënieve na sjellin përfitime, dhe jo vetëm ato intime. Nuk është e nevojshme të keni një partner intim për të pasur këto përfitime. Ato vijnë nga miqësitë, marrëdhëniet familjare, marrëdhëniet e punës dhe madje edhe marrëdhëniet rastësore.
A e njihni banakierin që ju bën kafenë çdo mëngjes në kafenenë tuaj të preferuar? Po postierin që takoni çdo ditë? Ne marrim përfitime të vogla të mirëqenies edhe gjatë komunikimit të shkurtër me ta. Të gjitha marrëdhëniet sociale kanë potencialin të kontribuojnë pozitivisht mbi shëndetin dhe lumturinë tonë.
Duke menduar mbi jetën time apo mbi historitë e njerëzve në Studimin e Harvardit, duket që ne i japim vazhdimisht prioritet marrëdhënieve të zbehta sociale. Pse?
Sepse na duket sikur kanë përparësi shumë gjëra të tjera. Për shembull duhet të shkojmë në punë. Të përmbushim një afat. Të bëjmë diçka për fëmijët, Janë kaq shumë gjëra që kërkohen nga njerëzit. Përballë gjithë kësaj, mund të jetë e lehtë të neglizhosh miqësitë.
Kur isha në të 20-at, mendoja:“Këta i kam këta miq nga shkolla fillore, shkolla e mesme dhe universiteti. Ata do të jenë miqtë e mi gjatë gjithë kohës”. Por ajo që shohim teksa gjurmojmë jetët e njerëzve është se marrëdhëniet e mira mund të marrin fund një ditë. Dhe jo sepse ka pasur kishte ndonjë gjë të gabuar në to, por vetëm nga neglizhenca.
Nëse kërkesat e jetës na zënë kaq shumë hapësirë, saqë nuk lidhemi dot me njerëzit që na interesojnë, atëherë do të ndalojmë së pasuri informacione mbi jetën e tyre. As ata nuk do të dinë më se çfarë ndodh në jetën tonë. Dhe nuk do t’i ndjejmë më si të afërt.
Çfarë do t’i thoshit një njeriu në moshë të mesme, që dëshiron të kultivojë marrëdhënie sociale, por që tashmë i ka humbur ato miqësi që nga të 20-at?
Në libër ne kemi një kapitull me titull “Nuk është asnjëherë vonë”. Aty përfshihen njerëz që mendonin se nuk do të kishin kurrë marrëdhënie të mira. Ata nuk kishin miq; ishin shumë të izoluar. Një burrë në të 60-at u detyrua tëdilte në pension për arsye shëndetësore.
Ai nisi të shkonte në një palestër dhe atje gjeti një grup miqsh që nuk i kishte pasur kurrë më parë, dhe filloi të lidhej me ta. Ai zbuloi se disa prej tyre pëlqenin filmat, dhe nisën të shkonin në kinema së bashku. Ai u shkroi studiuesve duke u thënë: ”Më parë ndjeja se nuk kisha miq, tani kam disa”.
Ne kemi njerëz të tjerë në studimin tonë, të cilët e gjetën dashurinë në të 70-at e tyre, disa në të 80-at. Pra kemi prova se nuk është asnjëherë shumë vonë. Edhe nëse mendoni se është tepër vonë për ju, në fakt nuk është. Ju thjesht nuk e dini se çfarë do të ndodhë. / Marrë me shkurtime nga “Big Think” – Bota.al