Pasi u dhunua dy ditë më parë, mësuesi i fizkulturës në Tepelenë Kleanthi Laçi, është arrestuar për ngacmim seksual të një nxënëse të tij 13-vjeçare. Këtë të Mërkurë, Policia konfirmoi edhe arrestimin e vëllait të 13-vjeçares, Alvi Gulmeni, 29-vjeç, i cili akuzohet se ka dhunuar mësuesin, pasi është njohur me shqetësimet e së motrës.
Ndërkaq, përveç rastit të 13-vjeçares, blutë e akuzojnë mësuesin edhe për ngacmimin e një tjetër vajze të mitur. Sipas burimeve policore, edhe vajza tjetër që dyshohet të jetë ngacmuar seksualisht nga Laçi, është nxënënëse e këtij të fundit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për ngjarjen e ndodhur në datën 16.01.2023, në vendin e quajtur ‘Zona industriale’, Tepelenë, ku disa shtetas kanë goditur me mjete të forta shtetasin Kleanth Laçi, 59 vjeç, banues në Tepelenë (mësues), kanë ndaluar njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin: A. G., 29 vjeç, banues në Tepelenë, për veprat penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’, kryer në bashkëpunim dhe ‘Vetëgjyqësia’. Vijon puna intensive për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tij”, njofton policia.
“Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë u bë ndalimi i shtetasit të dëmtuar Kleanth Laçi, 59 vjeç, për veprat penale ‘Ngacmimi seksual’ dhe ‘Kallëzimi i rremë’. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, shtuan të njëjtat burime.
“Profesor, eja të qerasim me një kafe”
Në një intervistë për mediat nga shtrati i spitalit ditën e djeshme, mësuesi i fiskulturës dha detaje për dhunën e pësuar.
Ai tha se ngjarja kishte nisur që në momentin kur kishte dalë nga shtëpia dhe tre persona me një makinë e ftuan për të pirë një kafe.
Laçi tregoi se pranoi dhe shtoi se përveç markës së makinës tip ‘Audi’ nuk mbante mend të dhëna të tjera, ndërsa tha se në momentin që makina u largua në një distancë të konsiderueshme nga shtëpia e tij, tre personat e paidentifikuar e goditën në mënyrë të papritur.
“Nisi që nga shtëpia. Hipa në makinë pa i njohur si persona por më pëlqyen se më tha profesor njëri dhe më tha do të qeras me një kafe. Në makinë më çuan në një rrugë jo kryesore, larg shtëpisë time dhe aty pastaj më goditën me grusht. Ishin tre persona, shoferi dhe dy të tjerë. Targat nuk i mbaj mend por më duket se makina ishte e llojit ‘Audi’. Unë nuk di të kem pasur konflikt me njeri, nuk më thanë gjë, më goditën papritur. Unë hipa në makinë se më thanë do të qerasim me një kafe. Në momentin e goditjes së parë dola nga makina. Personat ishin të moshave të ndryshme. Unë u përmenda që në moment, u futa në një vend sa të pastrohesha dhe më pas mora një taksi”, u shpreh Laçi.
“Nuk kam pasur asnjë konflikt më përpara. Hera e parë që i shihja si persona, nuk i njihja fare. Akoma nuk po arrij të kuptoj se përse më rrahën”, shtoi 59 vjeçari.
Autori: Më ngacmoi motrën
Orët e pasdites së djeshme, autori i ngjarjes, Alvi Gulmeni u vetëdorëzua në policinë e Tepelenës duke pranuar se kishte qenë ai që kishte dhunuar profesorin, duke pretenduar se 59 vjeçari kishte ngacmuar seksualisht motrën e tij 13-vjeçare e cila është nxënëse një shkolle 9-vjeçare në Tepelenë, ku jep mësim Kleanth Laçi.
Mësohet se para Policisë, Gulmeni ka dhënë shpjegimet e veta për dhunën ndaj mësuesit, teksa ka theksuar se e ndërmori këtë veprim në kushtet e ndihmës që i pati kërkuar e motra e tij (nxënëse e Kleanthi Laçit), pasi ky i fundit, sipas deshmisë së të vëllait të 13 vjeçares, e kishte ngacmuar shumë herë seksualisht. Për këtë, ai shton se u kthye në Shqipëri për të ndërmarre aktin që kreu pardje.
Ndërkaq, ka dhënë deshminë e saj edhe 13 vjeçarja, e cila është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore në prezencë të psikologes.
Pezullohet mësuesi
Lidhur me rastin ka reaguar këtë të Mërkurë ministrja e Arsimit Evi Kushi, e cila ka njoftuar pezullimin e arsimtarit deri në përfundimin e hetimit.
“Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve”, shkroi në FB ministrja e Arsimit.
Kolegët: Nuk dyshonim te Laçi
Ndërkohë, kolegët e Kleanthi Laçit dhe drejtoresha e shkollës deklaruan për mediat se Laçi nuk ka patur asnjë shfaqje të mëparshme që mund ti bënte të dyshonin në sjelljen e tij.
“Unë kam 6 vite në këtë shkollë dhe nuk e mendoj se profesori të ketë bërë diçka të tillë. Unë si mësuese për atë profesor nuk e mendoj se e ka bërë diçka të tillë. Edhe mund të jetë e inskenuar. Unë nuk e kam parë gocën që pretendon se është ngacmuar seksualisht. Unë kam dëgjuar vetëm për një nxënëse të ngacmuar. Por me pak fjalë nuk e besoj që profesor Keli ta ketë bërë një gjë të tillë”, u shpreh një kolege e Laçit.