Opinioni publik u trondit sot nga lajmi se një 48-vjeçare nga fshati Fiershegani kishte ndërruar jetë të mërkurën në ambientet e bashkisë së Lushnjës.
Në media u raportua se Shpresa Cani ndërroi jetë në zyrën e kryebashkiakes së Lushnjës Eriselda Sefa, pasi më parë ishte sorollatur në disa nga zyrat e administratës së këtij institucioni për të kërkuar llogari se përse i kishin hequr të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike.
E ndjera fillimisht ishte paraqitur në zyrën e informacionit, nga ku e kishin drejtuar për në Drejtorinë e Ndihmës Sociale, zyrë në të cilën 48-vjeçarja ka debatuar ashpër me punonjësit rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale.
Cani dyshohet se është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë dhe më pas është ngjitur për t’i komunikuar shqetësimin e saj kryebashkiakes Sefa.
Prej këtu fakt është vetëm se ajo ndërroi jetë dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur janë të paqarta, ndërsa policia e cilësoi si një vdekje nga shkaqet natyrale.
Por në disa prej raportimeve të mediave u bë me dije se kryebashkiakja e Lushnjës e tmerruar nga fakti se gruaja ndërroi jetë në zyrën e saj, ka kërkuar që të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë, mesa duket për të larguar “syrin e keq” duke qenë se ndodhet edhe para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Sakaq, Bashkia e Lushnjës mohoi raportimet e mediave dhe në një reagim për shtyp pretendon se nuk ka pasur përplasje mes Shpresa Canit dhe punonjësve të institucionit, duke deklaruar gjithashtu se e ndjera trajtohej me pension invaliditeti (KEMP) dhe jo ndihmë financiare.
Por, pavarësisht reagimit të bashkisë Lushnjë për të nxjerrë të larë institucionin, ajo çka bie në sy është fakti se titullarja Eriselda Sefa e ka harrur shpejt tronditjen nga ngjarja e rëndë dhe vetëm pak orë pasi një grua iu shua para syve, ka zgjedhur të festojë me strukturat e FRESSH.
Të paktën këtë të lë të kuptosh një postim në Facebook i bërë 22 orë më parë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe drejtues i qarkut Fier, Taulant Balla.
Në fotot nga festa që ai ka ndarë me ndjekësit, shihet e ulur pranë tij kryebashkiakja e Lushnjës, e cila ka vendosur si prioritet programin e festimeve të fundvitit, megjithëse prej përplasjeve me punonjësit e institucionit që ajo drejton, i ka vdekur në zyrë një qytetare.
Pas festës së FRESSH, ngjarja u mbajt e fshehtë dhe u desh publikimi i disa detajeve në media, që policia e shtetit të reagonte për këtë incident të rëndë e që Bashkia e Lushnjës të denjonte të informonte mediat me versionin e saj për humbjen e jetës së Shpresa Canit gjatë “betejës” së saj për të rimarrë ndihmën ekonomike.