Inspektori i policisë së komisariatit të Cërrikut, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga kolegët e tij, pasi vodhi shumë prej 30 mijë euro në banesën e një qytetari në Belsh gjatë një kontrolli, është përjashtuar përgjithmonë nga radhët e Uniformave Blu.
Vendimin për përjashtimin e efektivit Geraldo Nela e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë, inspektor G. N., 24 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Cërrik. 24-vjeçari u arrestua një ditë më parë, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Arrestimi i tij u bë nga AMP”, njofton policia.
Nela u vu në pranga pasi u akuzua nga qytetari Andrea Gjini se ka grabitur 30 mijë euro në banesën e vëllait të tij gjatë një kontrolli policor të ndodhur këtë të martë.
“Unë isha duke punuar në lokal dhe vjen shefi i zonës dhe më thotë se kemi për të bërë një kontroll në shtëpinë tënde dhe të vëllait tënd. Polici më ka grabitur 30 mijë euro gjatë kontrollit në banesë. Përjetuam terror nga kontrolli, fëmijët u trembën. Burimi i të ardhurave është nga puna e vëllait në emigracion, pasi ai punon në Greqi. Nusja e vëllait i fshehu lekët, por polici e pa nga dritarja.Kontrolli për arsye xhelozie se jemi njerëz punëtorë. Po na detyrojë të ikim nga Shqipëria”, tha Gjini për mediat.
Ndërkohë, gjatë arrestimit të 24-vjeçarit agjentët e AMP kanë sekuestruar edhe shumë prej 30 mijë euro që ishte marrë në banesën e ndodhur në Belsh.
Njoftimi i arrestimit të Geraldo Nelës:
Më datë 21.12.2022, nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan-Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, u krye arrestimi në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, i punonjësit të policisë:
-Inspektor G. N., 24 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi pranë Komisariatit të Policisë Cërrik.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye në kushtet e flagrancës në kuadër të veprimeve procedurale të autorizuara nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në lidhje me kallëzimin e shtetasit S. K., me banim në Marinzë, Belsh, i cili në kallëzimin e tij pretendonte se gjatë një kontrolli të ushtruar pranë familjarëve të tij, më datë 20.12.2022, këtij shtetasi i ishte vjedhur një shumë prej 30 mijë euro në ambjentet e jashtme të banesës në pronësi të tij.
Në lidhje me këtë ngjarje dhe si rezultat i punës hetimore të pandërprerë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë inspektor G. N.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i shumës prej 30 mijë euro që ky punonjës policie ia kishte vjedhur shtetasit S. K.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.