Mijëra qytetarë vijojnë të protestojnë anembanë qyteteve më të mëdha në Kinë, në të që është kthyer nga tubim kundër masave anti-Covid, në një kërcënim serioz për pushtetin e Partisë Komuniste dhe Presidentit Xi Jiping.
Pavarësisht përpjekjeve të shtetit për të censuruar pamjet nga protestat, qindra video dhe foto qarkullojnë në rrjet dhe tregojnë mijëra qytetarë me fletën e bardhë A4 në duar, që bëjnë thirrje për rrëzimin e regjimit të Xi.
Sakaq, ka nisur edhe reprezalja nga policia me forca të shumta që u përleshën me protestuesit përpara se t’i arrestonin në qytete anembanë Kinës gjatë mbrëmjes së djeshme, teksa demonstruesit mbushën sheshe e rrugë në mënyrë sfiduese.
Një video dramatike tregon një grua duke bërtitur ndërsa arrestohet nga gjashtë oficerë policie dhe tërhiqet zvarrë nga një shesh kryesor në Hangzhou, ndërsa zyrtarët kinezë kërkuan të godasin protestuesit në qytet.
Një burrë shihet duke u përpjekur të ndalojë policinë të arrestojë gruan duke i bërtitur, por dy zyrtarë janë parë duke vrapuar drejt protestuesit dhe duke i bërtitur atij që të tërhiqej.
Pamjet tregojnë gjithashtu një turmë të madhe protestuesish që përpiqen të ndalojnë një grup policie që të arrestojë dy burra në Hangzhou. Por oficerët e policisë u panë duke u përleshur me protestuesit dhe duke i tërhequr zvarrë dy demonstruesit prej jake.
Zyrtarët kinezë kanë shtuar goditjen e tyre kundër protestave pas kritikave të regjimit të Xi nga mediat perëndimore për politikën e tij ‘zero-Covid’, e cila ka bërë që miliona njerëz të jetojnë nën kufizime të rrepta për muaj të tërë.
Qindra protestues kanë dalë në rrugë që nga fundjava në protesta të nxitura nga zemërimi për bllokimet e pandërprera, si dhe zhgënjimet e rrënjosura thellë mbi drejtimin politik të Kinës. Ato shënojnë demonstratat më të mëdha antiqeveritare që Kina ka parë që nga masakra e Sheshit “Tiananmen” në 1989.
Dhe pavarësisht se oficerët e policisë shtuan forcën duke ushtruar dhunë e presion kundër protestuesve, disa vazhduan në mënyrë sfiduese në demonstratat e tyre historike mbrëmë.
Në Shangai, rreth gjashtë oficerë policie u panë duke rrethuar një demonstrues, i cili dëgjohet duke bërtitur për ndihmë. Protestuesi shihet duke u përpjekur të ndalojë oficerët për ta arrestuar, por pa rezultat pasi ata e tërhoqën zvarrë.
Oficerët e policisë po përdorin gjithashtu presionin në përpjekje për të frenuar protestat kundër bllokimit, me qytetet kryesore të Kinës, Pekinin dhe Shangain ku ata që marrin pjesë në tubime po thirren në komisariate dhe nëse nuk paraqiten, oficerët shkojnë në shtëpitë e tyre.
“Ka shumë policë. Policia erdhi për të kontrolluar letërnjoftimin e një prej miqve të mi dhe më pas e mori atë. Nuk e dimë pse. Disa orë më vonë e liruan”, tha një protestues.
Protestat mbi rregullat strikte të Kinës për zero-Covid kanë shpërthyer në të paktën shtatë qytete që nga fundjava.
Katalizatori për protestat ishte një zjarr në një apartament javën e kaluar në qytetin perëndimor të Urumqit, ku humbën jetën dhjetë persona. Shumë spekuluan se masat anti-Covid në qytet, pjesë të të cilit kishin qenë nën izolim për 100 ditë, kishin penguar shpëtimin dhe arratisjen, gjë që zyrtarët e qytetit e mohuan.
Në Pekin dhe Shangai, policia po patrullonte zonat ku disa grupe në shërbimin e mesazheve Telegram kishin sugjeruar që njerëzit të mblidheshin përsëri. Prezenca e policisë mbrëmjen dhe natën e së hënës siguroi që aty të mos kishte tubime.
“Numri i madh i policisë, është vërtet i frikshëm”, tha banori i Pekinit, Philip Qin, 22 vjeç, i cili ishte dëshmitar i protestave të dielën.
Në Shangai, pranë një vendi ku protestat e fundjavës panë thirrje të guximshme për dorëheqjen e presidentit Xi Jinping, stafi i barit i tha AFP se ata ishin urdhëruar të mbylleshin në orën 22:00.
Policia po kontrollonte duke bërë kontrolle të rastësishme në telefonat në stacionin e metrosë në Sheshin Popullor në Shangai të hënën në mbrëmje. Gjatë gjithë ditës oficerët e policisë arrestuan katër persona, më vonë liruan një, me një reporter që numëronte 12 makina policie brenda 100 metrave përgjatë rrugës Ëulumuqi në Shangai.
“Atmosfera sonte është nervoze. Ka kaq shumë policë përreth”, tha një burrë rreth të 30-tave të hënën në mbrëmje.
Banorët thanë se policia u ka kërkuar njerëzve që kalojnë nëpër ato zona për të kontrolluar telefonat e tyre nëse kishin rrjete private virtuale (VPN) dhe aplikacionin Telegram, i cili është përdorur nga protestuesit për të bashkuar njerëzit në tubime.
VPN-të janë të paligjshme për shumicën e njerëzve në Kinë, ndërsa aplikacioni Telegram është i bllokuar nga interneti i Kinës.
Zyrtarët kinezë kanë nisur gjithashtu hetimet për disa nga demonstruesit që ishin mbledhur në protestat e fundjavës në të gjithë vendin.
Në një rast, një telefonues që identifikohej si oficer policie në kryeqytetin kinez i kërkoi protestuesit të paraqitej në një stacion policie të martën për të dorëzuar një procesverbal me shkrim të aktiviteteve të kryera nga ai të dielën mbrëma.
Në një tjetër, një student u kontaktua nga kolegji i tij dhe u pyet nëse kishte qenë në zonën ku ndodhën ngjarjet.