Protesta e banorëve të Divjakës që kundërshtojnë vendosjen e një trau me pagesë nga ana e Ministrisë së Turizmit në hyrje të rrugës që të çon në zemër të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta ka hyrë sot në ditën e pestë.
Ndryshe nga dje, banorët janë mbledhur ditën e sotme në sheshin qendror para godinës së bashkisë Divjakë, për të marshuar më pas të gjithë bashkë në drejtim të pikës ku është parashikuar instalimi i traut.
Teksa banorët marshonin drejt rrugës së vetme që të çon drejt parkut u vu re prani e madhe e forcave policore. Disa furgonë policie ndonëse i bien borive për të hapur rrugën, turma e qytetarëve ecën qetësisht duke mos ju bindur forcave blu. Pavarësisht kësaj deri më tani protesta nuk ka pasur tensione dhe incidente, ndryshe nga dita e djeshme ku gjakrat u nxehën dhe protesta agravoi deri në përleshje fizike me efektivët e policisë që ruanin kabinën e vendosur në hyrje të parkut.
Banorët mbajnë në duar banderola të ndryshme dhe njëzëri theksojnë se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre, pasi tarifa e vendosur nga qeveria do të ndikojë ndjeshëm te bizneset e tyre dhe jeta e përditshme.
“Edhe ajrin që na ka dhënë i madhi Zot, po na e japin me lekë!”, shkruhet në një nga pankartat e tyre.
Ata u shprehën për mediat se vendosja e traut është e paligjshme, pasi aktualisht paguajnë taksë për bizneset që kanë brenda parkut dhe tarifa do të ndikojë në çdo aktivitet, nga peshkimi e madje e deri tek jeta e tyre e zakonshme, pasi për të shfrytëzuar plazhet e zonës do të duhet të paguajnë.
“Ministria para se të merrte këtë vendim duhet të bisedonte me këtë popull. Tani thotë që bileta elektronike nuk do përjashtojë banorët. Në park janë krijuar aktivitete, biznese dhe për këtë paguhet një farë takse. Kjo nuk quhet takse, kjo quhet zënie e rrugës. Çdo sektor që ka aktivitete atje paguan taksën e vetë”, tha një prej qytetarëve në protestë.
Pavarësisht se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka reaguar për atë çfarë po ndodh në Divjakë, banorët janë të prerë në qëndrimin e tyre duke deklaruar se nuk do të lejojnë vendosjen e traut.
“Nuk kemi protestuar deri më sot. Këtë herë do protestojmë sepse bllokimi i kësaj rruge na vë një etiketë të keqe. Ose ne t’i vëmë kallashnikovin kujtdo që kalon aty dhe të marrim paratë. Ky është objektivi i qeverisë?”, deklaroi një prej tyre.
Mes protestuesve kishte dhe socialistë, të cilët shprehen të pakënaqur për veprimet e qeverisë Rama dhe Partisë Socialiste.
“Jam i majtë. Kam lënë kurbetin dhe erdha këtu investova dhe humba. Ka shumë korrupsion. Kryeministri Edi Rama dhe PS ta harrojnë votën. Kjo nuk na lejon ne të bëjmë një shëtitje në ajër të pastër”, tha njëri prej tyre për mediat.
Ndërkohë, protesta legjitime e banorëve mbështetet fort nga opozita, me kreun e PD-së për Divjakën, Eduard Sharka që tha për mediat se trau është vendosur në mënyrë të paligjshme.
“Ai park i mban të gjallë, me oksigjen. I vetmi tra i ligjshëm është ai që ndan kufijtë, por jo një rrugë nacionale. Çdo qytetar i Divjakës, dhe çdo turist e ka të drejtë që do të shkojë drejt plazhit. Mënyra e vendosjes së traut është simbol i arrogancës, i mungesës së lirisë. Qëllimi i vetëm i kësaj qeverie është punësimi i disa patronazhistëve. Bizneset paguajnë taksa, por do të preken nga vendosja e këtij trau”, tha Sharka.
Teksa nuk ka munguar në tubim deputetja demokrate Ilda Dhori, e cila ka protestuar çdo ditë krah banorëve të zonës së saj elektorale, ditën e sotme është bashkuar me ta edhe deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi.
Dhori u zotua se nuk do ta lejojnë vendosjen e taksës për parkun e Divjakës, ndërsa nënvizoi se vendimi i ministrisë për të përjashtuar nga taksa banorët e zonës është një tallje e pastër.
“E paimagjinueshme sepse është një rrugë nacionale dhe e vetmja rrugë që të çon në plazhin publik të Divjakës, në një nga plazhet me vijën më të gjatë bregdetare dhe duke filluar që këtu është e patolerueshme”, tha deputetja e PD.
Sakaq, në një prononcim për mediat, Koreshi tha se ky tra dëmton rëndë turizmin në Divjakë, duke e cilësuar vendimin e qeverisë çmenduri të radhës.
“Kjo protestë nuk ka një fillim dhe një fund, deri sa të përfundojë çmenduria e ministrisë. Pra në realizimin e kësaj kauze të drejtë që kanë banorët. I përshëndes se po bëjnë një protestë të drejtë. Të hysh në një plazh publik, nuk ndodh që të taksohet. Kjo është e vetmja rrugë që ka akses për plazhin publik. Edhe pse taksë ka marrë bashkia, tani po merr dhe qeveria. Është çmenduri e radhës që po ndodh në këtë vend”, tha Korreshi.
Deputeti demokrat nënvizoi se protestës duhet t’i bashkoheshin edhe ligjvënës nga mazhoranca pasi në protestë ka qindra votues të majtë që po kundërshtojnë vendimin e ministrisë me të drejtë.
“Duhet të ishin në këtë protestë dhe deputetët e maxhorancës. Shoh këtu banorë që kanë votuar majtas. Sot që është ditë e premte, duhet ë ishin të gjithë këtu. Në momentin kur është nevoja, që këta qytetarë të kenë nga të gjitha krahët e politikës, për t’i dhënë zgjidhje”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Korreshi theksoi se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në momentin që qeveria do të zhbëjë vendimin për traun dhe tarifën përkatëse.
“Kjo dëmton gjithë qytetarët, Divjakën. Të gjithë fukarenjtë këtu vinë të bëjnë plazh, nuk ikin dot në Dhërmi. Vijnë ata që s’kanë mundësi të ikin të paguajnë 30 mijë lekë, që të çojnë dy ditë plazh fëmijët dhe në fund të thonë; ishim në plazh. Me atë gjendje që është plazhi, me mosvënien dorë. Mender halet që ndodhen në plazhet e Divjakës, nuk ja vlen të shkosh, por ajo që të ofron peizazhi është i pallogaritshëm. Do vijojmë deri sa të bëjë mbrapsht qeveria. Unë mendoj se do të ketë protesta të vazhdueshme. Ata do ta vënë natën, ne do ta heqim ditën”, u shpreh Koreshi.