Anija e parë lundruese e prodhimit të energjisë, u prit mëngjesin e 9 shtatorit me protestë nga aktivistët e mjedisit në Vlorë. Një dyzinë prej tyre dolën me pankartat buzë detit, ndërsa anija që transportonte termocentralin ende nuk ishte ankoruar dhe sapo kishte filluar të shquhej në gjirin e Vlorës.
“Kemi ardhur për detin dhe jo për naftën”, thuhej në një pankartë. “Nuk e japim Vlorën,” shkruante një tjetër.
Por përtej kundërshtimit dy anijet u ankoruan qetësisht në portin e Petrolifera Italo Albanese – që shërben për transportim të naftës, ku presin ndërtimin e infrastrukturës për tu vendosur në Triport, i cili aktualisht shërben si port peshkimi.
Qeveria shqiptare këmbëngul se dy anijet termocentral, që do të vendosen vetëm disa qindra metra larg termocentralit të dështuar të Vlorës, nuk paraqesin rrezik për mjedisin dhe do të sigurojnë energji më të lirë se ajo që Shqipëria mund të blejë në treg.
Por aktivistë të mjedisit dhe peshkatarët që veprojnë brenda Triportit e shohin me shqetësim projektin.
“Është fatkeqësi për turizmin që po kërkojmë të ndërtojmë e investojmë këtu sepse ndotja që do të vijë nga djegia e qindra tonëve naftë është katastrofale”, tha Ervin Sota, kreu i shoqatës turistike “Arta”.
Edhe Sherif Dyrmishi, kreu i Organizatë së Menaxhimit të Peshkimit në Vlorë, është i shqetësuar.
“Nuk jam ekspert mjedisi, por e kuptoj se disa balanca do të ndryshojnë,” tha ai. “Ngrohja e ujërave në gji, mund të sjellë zhdukjen e disa specieve dhe rritjen e prodhimit të disa të tjerave,” shtoi Dyrmishi.
Të pa pyetur e në padijeni
Termocentralet lundruese, do të vendosen në juglindje të Triportit, prej nga do të lidhen me nënstacionin elektrik të ngritur aty pranë për TEC-in e Vlorës. Sipas dokumentit “Përmbledhjes jo teknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të Thelluar”, ato kanë një kapacitet prej 110 megavatësh ose sa 8% e kapacitetit që ka KESH në kaskadën e Drinit.
Ministria e Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku organizoi të premten, 4 nëntor, një takim me peshkatarët e Triportit në Vlorë, të cilëve u premtoi lehtësira dhe po ashtu përshpejtim të procedurave për naftën pa akcizë.
Sa i përket vendosjes së dy termocentraleve në port, Balluku nuk ka shkuar përtej deklarimeve publike se kjo ishte një arritje e rëndësishme e qeverisë, duke këmbëngulur për rëndësinë e dy termocentraleve në zbutjen e krizës energjetike.
Këto deklarata megjithatë bëjnë pak për të qetësuar komunitetin prej rreth 200 peshkatarësh që janë të varur nga mundësia për të dalë çdo ditë në det për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.
Në këtë port puna nis pa zbardhur ende dita, pasi pavarësisht nëse dalin apo jo për të peshkuar, peshkatarët janë aty duke meremetuar varkat e vogla apo qepur rrjetat e dëmtuara kryesisht nga peshkimi i gaforreve.
Pak prej tyre kanë informacion për termocentralet apo mundësitë e ndotjes dhe rrezikun mbi peshkimin artizanal me të cilin sigurojnë jetesën.
Kreu i OMP-së Vlorë, Sherif Dyrmishi tha se vendimi për të filluar punë në gjirin e Vlorës nuk është konsultuar me ta si grup interesi dhe se ata vetëm mund të shpresonin.
“Shpresojmë që autoritetet të kenë arritur të bejnë një përllogaritje në ekulibër të çfarë humbasim dhe çfarë fitojmë nga prodhimi i energjisë”, ths Dyrmishi.
Peshkatari i vjetër theksoi se edhe pse nuk ka ekspertizë mjedisore e di që termocentralet do të sjellin pasoja sidomos për peshkatarët.
“Janë rreth 200 familje që jetojnë me peshkimin artizanal, mund të ndodhi të krijohet një vatër papunësie”, tha ai.
Dyrmishi thotë se i vetmi lajm i mirë me vendndodhjen e anijeve është fakti që edhe në rast incidenti nafta që mund të derdhet prej tyre nuk do të dalë në det të hapur, për shkak të rrymave detare.
“Krejt e kundërta do të ndodhte nëse anijet do të stacionoheshin në Karaburun apo ne anën fundore të Zvërnecit që e njohim si ‘Hundën e Plakut’”, shtoi ai.
Dyrmishi tha se ai do donte që termocentralet të mos viheshin në punë.
“Shpresoj që t’ia dalim me prodhimin e energjisë dhe të mos lindë nevoja për energjinë e prodhuar nga djegia e naftës bruto”, tha ai.
E pasigurt për ndikimin TEC-eve në mjedis është edhe Administrata e Zonave të Mbrojtura, AdZM, në Vlorë. Në kundërshtimet mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të projektit AdZM shprehet se nuk janë parashikuar masa zbutëse mbi ndikimin në faunë.
“Nuk ka vlerësim shkencor në impaktin e mundshëm”, thuhet në vërejtjet e tyre. AdZM kërkon ndër të tjera që perimetri në të cilin do të funksionojnë dy anijet të izolohet.
Mungesën e konsultimeve e pranon edhe kreu i Inspektoratit të Peshkimit, Reshat Xhelili, i ciliu iu përgjigj shkurt interesimit të BIRN për situatën mjedisore që krijohet në gjirin e Vlorës.
“Kjo është vendimmarrje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk na kanë kontaktuar, nuk kemi dhënë opinion mbi projektin, si dhe nuk jemi në dijeni të ndikimit qe do te ketë në mjedis dhe ekosistem”, tha ai.
Mjedisorët kundër TEC-eve
Anijet që do të prodhojnë energji, qëndrojnë prej fillimit të shtatorit në gjirin e Vlorës. Hëpërhë ato janë ankoruar përpara kalatës nr. 1 të Petroliferës Italo Shqiptare. Hyrja në godinë është e ndaluar.
Puna, sipas deklaratave të bëera nga kryeministri Edi Rama, do të nis në fillim të vitit 2023, pasi ato të jenë fiksuar dhe lidhur me rrjetin elektrik. Korporata Eletroenergjetike Shqiptare, KESH, që i ka porositur dhe marrë me qira dy anijet, shprehet se ato u bënë të nevojshme për shkak të krizës.
“Nevoja për këto asete të shtuara gjeneruese në sistemin Shqiptar dhe për tu përdorur nga KESH sh.a. erdhi si nevojë e shoqërisë për të përballuar detyrimin për shërbim publik të vendosur nëpërmjet VKM nr. 757/2021 si dhe situatën e shkaktuar në kushtet e emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë”, shprehet KESH.
KESH shpjegon po ashtu se sistemi energjetik shqiptar është i varur tërësisht nga burime hidrike dhe ka nevojë të diversifikojë burimet.
Në mars 2021, qeveria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy, që parashikon riparimin e termocentralit të Vlorës, për të përdorur gazin e lëngshëm në prodhimin e energjisë elektrike.
Marrëveshja synon ndërtimin e një qendre për shpërndarje të gazit të lëngshëm në Triport. Dy anijet termocentral që kanë ardhur do të shërbejnë në amortizimin e situatës së krijuar nga rritja e çmimeve të energjisë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë këmbëngul se dy TEC-et përmbushin kriteret mjedisore.
Por aktivistët e mjedisit dhe personat e lidhur me industrinë e turizmit në Vlorë shpresojnë që termocentralet të mos fillojnë kurrë punë.
“Jo vetëm katastrofë mjedisore, por edhe ekonomike, sidomos për turizmin,” shprehet Lavdosh Ferruni për ndikimin e tyre.
“Nuk mund të bashkëjetojë një turizëm me një industri nafte, me super emetimet,” shtoi ai, ndërsa theksoi se një TEC është një gjenerator përbindësh.
Feruni dhe të tjerë aktivistë të mjedisit kanë një histori të gjatë të kundërshtimit të industrializimit të gjirit të Vlorës, përfshi protestat kundër TEC-it me naftë, një projekt që i kushtoi Shqipërisë 130 milion USD, por që deri sëfundmi nuk është vënë asnjëherë në punë.
I financuar nga Banka Botërore, i filluar kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe i përfunduar në vitin 2012 kur vendi drejtohej nga Sali Berisha, ndaj TEC-it dhe portit të naftës në të njëjtën zonë u protestua vazhdimisht.
Por protestat dhe frika e aktivistëve për aksidente ndotëse me naftën u shpërfillën. TEC-i nuk u vu dot në punë, për shkak të defekteve në projektim e zbatim, dhe nuk ka sjellë kosto në mjedis edhe pse ka kushtuar shtrenjtë dhe vijon të konsumojë miliona të tjera për konservim. Porti i naftës regjistroi të paktën një incident të rëndë në maj 2016, kur sasi të mëdha nafte u derdhën në det dhe një pjesë përfundoi edhe jashtë portit, duke i bërë reale makthet e ambjentalistëve.
Të njëjtat frikëra shoqërojnë edhe ankorimin e dy anijeve që pritet të djegin mazut.
Niko Dumani, aktivist mjedisor dhe biolog, thotë se veç kësaj frike ata besojnë se ndotja e ajrit dhe ujërave, do të sjellë “shqetësime për biodiversitetin, për jetën e njerëzve”.
Sipas tij termocentralet do të ndikojnë sidomos në mjedisin detar pasi qarkullimi i mijëra tonëve ujë të nxehtë në detë do të rrisë mbi 14 gradë temperaturat e ujërave detare duke ‘rrezikuar’ gjallesat e detit.
Administrata e Zonave të Mbrojtura po ashtu ka vënë në dyshim masat e marra për të zvogëluar ndikimin. Në kritikat mbi VNM-në e thelluar, AdZM shprehet se mungojnë parashikime konkrete mbi zvogëlimin e tymërave dhe se nuk kishte të dhëna mbi mbulesat që do të përdoreshin.
“Masat zbutëse për ndikimin në cilësinë e ajrit: Çfarë do të thotë zvogëlim i pluhurit me mbulesa? Çfarë lloje mbulesash?”, thuhet në dokumentin e AdZM-së, që vë në dukje se ndotja nga pluhuri arrin në rrezen 5 kilometra.
“Kjo distancë prek zonën e mbrojtur, ndaj në këto kushte duhet të vlerësohet impakti potencial për diversitetin natyror”, thuhet në vërejtjet e VNM-së, ndërsa kërkohej rregullim më i detajuar i punës dhe i masave mjedisore.
Nga ana e tyre operatorët e turizmit e shohin instalimin e anijeve si agresion.
“Deri në vitin 2000 na kanë thënë që Vlora do të ishte qytet turistik, nëse do të na thoshin që do transformohej në një industri nafte do kishim investuar ne cisterna”, thotë Qetësor Ferruni, që shton se hoteleria dhe shërbimet preken direkt nga investimi.
Kreu i shoqatës turistike “Arta”, Ervin Sota, thotë se termocentralet e lëvizshme janë një pabesi për gjirin e Vlorës, ndërsa shton se mund t’i krahasojë ato vetëm me përbindësha të mitologjisë. Sota thekson se investimi nuk i bën sens as nga ana financiare, ndërsa pretendon se koha e lidhjes së kontratës dhe paratë e shpenzuara do kishin qenë mjaftueshëm për të investuar në panele diellore.
“Përfundimisht ky Bajloz i Zi nuk na duhej si mysafir sepse nuk na sjell asgjë pozitive në fund të fundit në fushën e turizmit përveçse parfumosjen me tym mazuti”, përfundoi ai./ Reporter.al