Tregjet në zhvillim e kanë përballuar çuditërisht mirë goditjen nga normat e interesit. Por prova e vërtetë nuk ka ardhur ende.
Perspektiva e rritjes së normave të interesit në Amerikë ka rritur ankthin në kryeqytete si Mexico City, Delhi dhe Xhakarta.
Kur Paul Volcker, asokohe kryetari i Rezervës Federale, shtrëngoi politikën monetare për të zbutur inflacionin në fillim të viteve 1980, vendet e Amerikës Latine u zhytën në krizë, pasi mbetën mbrapa me shlyerjen e borxheve në dollarë.
Një dekadë më vonë, rritja e normës së interesit në Amerikë, përkeqësoi “krizën e tekilës” në Meksikë. Dhe në vitin 2013, përpjekja e Rezervës Federale për të zvogëluar blerjen e bonove, çoi në trazira financiare, teksa investitorët e huaj në panik, u larguan nga ekonomitë e brishta, duke përfshirë Brazilin, Indinë dhe Indonezinë.
Në krahasim me këto kriza, periudha e sotme duket çuditërisht e qetë. Edhe pse Rezerva Federale po i rrit normat e interesit me ritmin më të furishëm që nga epoka e Volcker-it, pjesa më e madhe e dramës së tregjeve, është përqendruar në vendet e pasura, dhe jo në ato në zhvillim.
Është Banka Qendrore në Britani, jo ajo në Brazil, që po përpiqet të shmangë një krizë të tregut të bonove të shkaktuar nga buxheti i pamatur i qeverisë. Pjesërisht, qëndrueshmëria dëshmon se sot, tregjet në zhvillim janë në një gjendje më të mirë. Por do të ishte gabim nëse këto vende do të ulnin vigjilencën, sepse prova e vërtetë nuk ka ardhur ende.
Ndërsa Rezerva Federale ka rritur normat këtë vit, Dollari është rritur po ashtu. DXY, indeks që krahason monedhën e gjelbër me një duzinë monedhash të tjera kryesore, është rritur me 18% në vitin 2022 dhe është në nivelin më të fuqishëm në gati dy dekada.
Megjithatë, gjendja në tërësi është e ndërlikuar. Gjatë trazirës financiare, monedhat e tregjeve në zhvillim pësuan më shumë dëm.
Midis majit dhe dhjetorit 2013, Reali brazilian dhe monedha indiane Rupee, ranë me 10-13% kundrejt Dollarit, ndërsa monedha indoneziane Rupiah ra me 20%, ndërkohë që Euro dhe Sterlina u rritën.
Këtë vit, Reali është rritur kundrejt monedhës së gjelbër, ndërsa Rupee dhe Rupiah janë zhvlerësuar me 7-10%. Sidoqoftë, nëse e merrni pagën në Euro ose në Paund, pagat tuaja tani vlejnë 15-18% më pak në dollarë.
Pse tregjet në zhvillim e kanë përballuar krizën monetare relativisht lehtë? Një pjesë e përgjigjes lidhet me arsyen e fuqisë së Dollarit. Kjo rritje nuk është ushqyer nga shmangia e rrezikut dhe zhvendosja drejt aseteve të sigurta amerikane, por nga ndryshime në bazat ekonomike dhe normat e interesit të parashikuara.
Dhe bazat e tregjeve në zhvillim janë përmirësuar shumë, me rritje të mirë, rezerva më të mëdha dhe tregje më të thella të kapitalit vendas, që mund të ndihmojnë në përballimin e goditjeve.
Në vend që ta linin inflacionin të merrte të tatëpjetën, bankat qendrore në tregjet në zhvillim vepruan me shpejtësi, duke i rritur normat e interesit shumë më përpara se kolegët e tyre në vendet e pasura.
Inflacioni vjetor ishte mesatarisht 10% në vendet në zhvillim në tremujorin e dytë të këtij viti, pak më i lartë se në Europën e goditur nga kriza energjetike dhe në Amerikën me ekonomi të mbinxehur.
Sot, ato që po garojnë për të provuar besueshmërinë e tyre në luftimin e inflacionit, nuk janë Banka e Indisë apo Banka Qendrore e Brazilit, por banka perëndimore si Banka Qendrore Europiane dhe Riksbank.
Ekonomitë në zhvillim, deri tani, kanë ndërhyrë në tregjet e monedhës vetëm në mënyrë modeste. Synimi i tyre ka qenë të parandalojnë zhvlerësimin dhe të ulin efektet inflacioniste të një Dollari më të fortë.
Ekonomitë në zhvillim përveç Kinës, kanë shpenzuar rreth 200 miliardë dollarë këtë vit, llogarit Banka JPMorgan Chase. Kjo është një pjesë e vogël e rezervës totale prej gati 4 trilionë dollarësh.
Problemi është se shumë rregullime nuk janë zbatuar ende. Rezerva Federale synon të rrisë normat e interesit derisa të shohë “prova bindëse” se inflacioni po ulet; investitorët presin që ato të rriten me afërsisht një pikë përqindje e gjysmë, deri në pranverë.
Dhimbja ekonomike nga normat më të larta nuk është ndier ende në vend. Në parashikimet e publikuara më 11 tetor, FMN-ja parashikoi se një e treta e ekonomisë botërore do të përjetonte recesion këtë vit ose vitin e ardhshëm, dhe ekonomia e Kinës do të ngecte në vend.
Kjo nënkupton se do të ketë më pak kërkesë për celularët Apple të prodhuar në Vietnam dhe për shërbimet indiane. Prodhuesit e energjisë dhe metaleve, arritën fitime të larta pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por këto fitime do të ulen nëse kërkesa ngadalësohet.
Dhe ndërsa sistemi financiar global përshtatet me kostot më të larta të huamarrjes dhe një ekonomi të ngadalësuar, ai mund të vuajë nga mosfunksionimi dhe paniku investitor që dëmton tregjet financiare në botën e pasur dhe në tregjet në zhvillim.
Më 10 tetor, Jamie Dimon, shefi i Bankës JPMorgan, huadhënësi më i madh i Amerikës, paralajmëroi se niveli i ardhshëm i rritjes së normave do të ishte më i dhimbshëm se i pari.
E ardhmja e tregjeve
Pikërisht këtë rrezik duhet të kenë parasysh tregjet financiare. Ata mund të tundohen që të përdorin më shpejt “armët” e rezervës së huaj për të mbrojtur monedhat e tyre dhe për të shmangur rritjen e normave të interesit në vend.
Por duhet t’i bëjnë ballë këtij tundimi, në mënyrë që të mund të ruajnë “rezervat e armëve” për momentin kur do të godasë vërtet kriza. Është më mirë që tregu të lihet i lirë të përcaktojë vetë kursin e këmbimit dhe normat e interesit të vazhdohen të përdoren për të zbutur inflacionin.
Themelet më të shëndosha i kanë ndihmuar tregjet në zhvillim që të sfidojnë historinë, por ende kërkohet vigjilencë./Monitor