Nga Anesti Barjamemaj dhe Merxhan Daci
Njësia administrative Kutalli në Bashkinë e Dimalit konsiderohet si një ndër zonat më pjellore bujqësore në Shqipëri. Me rreth 600 hektarë sera, fermerët e kësaj zone arrijnë t’i eksportojnë në shumë vende të botës prodhimet e tyre.
Por vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike, shumë fermerë kanë falimentuar dhe të tjerët kanë pasur të ardhura më të pakëta. Thatësira ka bërë punën e saj edhe gjatë vitit të fundit, pasi gjatë verës ka pasur reshje të pakëta shiu dhe shumë sera nuk janë mbjellë.
“Në rast se temperatura vitin që vjen do jetë dhe dy gradë më lart se këtë vit, ne do të detyrohemi që të mos mbjellim më në verë” thotë Gen Ziu, një fermer nga fshati Semanticë.
“Do kemi vetëm një sezon domatesh dhe gjysmën e prodhimit” shpjegoi ai.
Ziu është një ndër qindra fermerët e Samaticës që prej vitesh kultivojnë domate. Ai e ka nisur punën e tij me serat si një biznes të vogël familjar, duke e zgjeruar me shumë mund dhe djersë. Por vitet e fundit, Ziu nuk po arrin që të prodhojë më domate si më parë. Ai ankohet se puna e tij po vështirësohet çdo vit, pasi përveç shtimit të barrës fiskale nga shteti dhe nga rritja e çmimeve për inputet bujqësore, ndryshimet klimatike i kanë shkaktuar humbje të mëdha.
Bujqësia së bashku me energjetikën janë dy sektorët më të prekur nga ndryshimet klimatike në vend, ndërkohë që ekspertët theksojnë se temperaturat janë në rritje dhe moti po bëhet gjithmonë e më i paparashikueshëm.
“Po ta shikosh ndër vite trendin e temperaturave, për fat të keq ka ndikuar ngrohja globale,” shprehet Sotiraq Bizhoti, agronom që e ushtron profesionin e tij në komunën Kutalli. “Pasojat janë jo pak të vogla,” shtoi ai.
Ngjashëm të alarmuar për ngrohjen e planetit janë dhe ekspertët e sektorit energjetik, të cilët theksojnë se prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet ndikohet nga mungesa e reshjeve dhe thatësira që vjen si pasojë e ndryshimeve të klimës.
Sipas Bankës Botërore, temperatura mesatare vjetore ka regjistruar rritje me 1 gradë Celsius në Shqipëri që nga viti 1960. Rritja e temperaturës është konstatuar kryesisht gjatë muajve të verës, duke i shtuar valët e vapës në Mesdheun Lindor.
Nëqoftëse njerëzimi nuk do t’a ulë emetimin e gazrave serë, gjatë shekullit të 21 temperaturat priten të rriten edhe më shumë, ndërsa reshjet e shiut do të bëhen më të rralla. Banka Botërore thekson se temperatura pritet të rritet në të gjithë Europën Juglindore, por në Shqipëri në mënyrë të veçantë rritja do të ndjehet në muajt korrik e gusht, që pritet të bëhen me të nxehtë – me një rritje që luhatet nga 2.4 gradë Celsius në 3.1 gradë Celsius.
Rritja e temperaturave dhe ulja e reshjeve do të rrisë periudhat me thatësirë ekstreme dhe përmbytjet, duke ulur rendimentin e të korrave.
Sotiraq Bizhoti kujton se kur ishte student në Universitetin Bujqësor të Tiranës, një profesor i tyre tashmë i ndjerë i kishte paralajmëruar se në të ardhmen e afërt, ata do të dëgjonin shpesh për ngrohjen globale. Sipas agronomit, për shumë nga bashkëfshatarët e tij e ardhmja që paralajmëronte profesori është bërë tani realitet.
“Vjet ne u përballëm me një situatë tepër-tepër të vështirë, pasi bimëve i binte kalbëzimi i qafës kur temperatura në serë shkonte 50 gradë [celsius],” tha Bizhoti. “Patëm probleme jo të pakëta që arritën deri në shkulje të bimëve për hektarë të tërë,” shtoi ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2021, dhjetëra mijëra bimë të mbjella janë dëmtuar nga dukuri natyrore ekstreme, si zjarri, shiu dhe breshëri. Zjarret kanë shkatërruar 45 mijë rrënjë ullinj, mbi 2 mijë pemë frutore, 9,5 mijë rrënjë vreshta, 900 rrënjë agrume, 1 hektar grurë dhe 2 hektarë bimë medicinale. Ndërkaq, nga episodet e shiut dhe të breshërit ka pasur 20 hektarë duhan të dëmtuar, 28 hektarë perime, 140 hektarë jonxhë, 5 mijë rrënjë hardhi, 4,2 hektarë vreshtë dhe 600 rrënjë ullinj.
Ngrohja globale nuk po shkakton probleme vetëm gjatë stinëve të nxehta, por edhe në dimër. Siç tregon Gen Ziu, në dimrin e fundit luhatjet e shumta të temperaturave dhe ulja e tyre e pazakontë solli dëme të shumta në bujqësi.
“Në janar të 2022 pati probleme me ngricën, m’u dëmtuan dy dynymë domate,” u ankua ai, ndërsa shtoi se dëmi i shkaktuar shkonte në më shumë se 400 mijë lekë.
Edhe pse këtë rast e ka raportuar dëmin e shkaktuar nga ngrica tek autoritetet përkatëse duke kërkuar mbështetje, Ziu thotë se askush nuk i ka kthyer përgjigje dhe nga Ministria e Bujqësisë nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.
Ziu nuk është i vetmi fermer në Sematicë që po përballet me pasojat që vijnë si rrjedhojë e ndyshimeve klimatike. Të shumtë janë ata që ankohen.
Mungesa e reshjeve gjatë muajve të ngrohtë të vitit i ka pakësuar burimet ujore dhe shumë toka mbeten pa vaditur. Dikur në këtë zonë kishte rezervuarë që përdoreshin gjatë verës për vaditje, por vitet e fundit ato janë kthyer në moçalishte. Kjo problematikë mbizotëron në pothuajse të gjithë zonën e Kutallisë.
Një prej blegtorëve të zonës, Dashamir Çela, i cili është pronar i një ferme me dhjetëra lopë tregon se shumë prej tokave të marra me qira prej tij për bazë ushqimore për bagëtitë nuk po vaditen më.
“Unë kam gati 10 hektarë tokë me misër dhe prodhimi këtë vit ishte 50% më pak” tha ai, ndërsa shtoi se thatësira dhe mosvaditja janë dy faktorët kryesorë që nuk ka më prodhim.
Dashamiri ankohet se mes bujqëve dhe blegtorëve në zonë e Kutallisë kanë nisur konfliktet, pasi ata po luftojnë për ujin.
“Ne po zihemi me këta të serave, sepse nuk ka ujë,” përfundoi ai.
E pyetur nga BIRN nëpërmjet një kërkesë të bazuar në ligjin “Për të drejtën e informmit,” Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha në një përgjigje me shkrim se kishte investuar 210 milionë USD në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit gjatë periudhës 2013-2021.
Sytë nga dielli
Kriza energjetike që po troket në dyert e të gjitha shteteve në Europë nuk do ta kursejë as Shqipërinë këtë dimër. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tashmë vendimin për ndarjen e konsumit të energjisë elektrike në fasha, ku të gjithë konsumatorët familjarë që do të konsumojnë mbi 800 KWh pritet ta paguajnë kilovatin me 45 Lekë, pesëfish më lartë se çmimi aktual.
Për shumë vite, Shqipëria i ka drejtuar investimet në sektorin energjetik drejt shfrytëzimit të burimeve hidrike, të cilat në mënyrë te veçantë janë ndikuar negativisht nga ndryshimet klimatike.
Megjithë investimet e bëra në hidrocentrale gjatë viteve të fundit, eksperti për çështjet e energjisë, Lorenc Gordani shprehet në një intervistë për BIRN se Shqipëria aktualisht arrin që të prodhojë vetëm 70% të nevojës së saj për energji nga burimet hidrike, publike dhe private.
Duke iu referuar kontratave mes qeverisë dhe HEC-eve private, Gordani sugjeron se shteti duhet të futet në negociata me kompanitë për t’u blerë atyre energjinë që ato tashmë e shesin jashtë vendit.
“Në kushtet e situatës emergjente që po kalojmë, shteti mund të vendosë detyrim në marrëveshje që kjo energji që prodhohet nga privati të tregtohet në Shqipëri me vlerë reference të tregut minus 10% që janë kostot që i humbasin nga shitja në bursat ndërkombëtare,” tha Gordani.
“Kjo mund të ishte një zgjidhje me përfitues të dy palët në kushtet e sigurisë energjetike,” shtoi ai.
Gordani i tha BIRN se investitorët dhe institucionet duhet t’i kthejnë sytë nga energjia diellore, pasi energjia hidrike është shumë e shtrenjtë dhe për shkak të kushteve klimatike që ndryshojnë shpesh, nuk mund të parashikohet në kohë të gjatë.
Sipas tij, energjia që prodhohet nga dielli ka një kosto prodhimi më të ulët të barabartë me 25 euro për MWh.
“Kjo është vërtetuar nga kompania franceze që po ndërton impiante fotovoltaike në Shqipëri, e cila do t’ia tregtojë shtetit shqiptar me 25 Euro për MWh,” shpjegoi Gordani.
“Pra do të thotë që kjo kompani, edhe pse e shet me 25 euro, sërish del me fitim,” shtoi ai.
Anduel Çekrezi, ekspert për energjinë e rinovueshme i tha BIRN se shumë biznese të prekur nga kriza e energjisë dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike e kanë përqafuar energjinë diellore. Sipas tij, janë rreth 500 biznese të mesme e të mëdha që tashmë i kanë instaluar fotovoltaikët duke ulur në këtë mënyrë kostot e energjisë.
“Kërkesa për vendosje të paneleve fotovoltaike këtë vit ka qenë disafish më shumë se vitet e kaluara, kjo për rrjedhojë dhe të rritjes së çmimit të energjisë,” tha ai.
Sipas Çekrezit, dielli është një burim energjie që nuk ka kosto margjinale dhe lëndë të parë, por vetëm koston e investimit fillestar dhe mirëmbajtje minimale.
“Në terma ekonomikë të kthimit të investimit për bizneset, mund të themi se një biznes që investon në këtë drejtim, për 5 vite arrin që të mbulojë të gjitha kostot,” tha ai.
Megjithatë, eksperti i energjisë së rinovueshme theksoi se kompanitë që synojnë të hynë në këtë treg përballen me një numër barrierash artificiale, çfarë e ka kufizuar ndikimin e energjisë diellore në bilancin energjetik të vendit.
“E para është kapaciteti i limituar deri në 500 KWh dhe e dyta është skema e matjes neto që është mujore dhe nuk është vjetore, që nuk i nxit bizneset drejt prodhimit të energjisë së rinovueshme,” tha Çekrezi.
Ngjashëm, Gordani beson se qeveria duhet të bëjë më shumë për të nxitur prodhimin energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
“Prodhimi i energjisë nga dielli dhe nga era ka nevojë për mbështetje nga shteti,” tha ai, ndërsa shtoi se nga ana e qeverisë duhen marrë masa të zgjuara.
“Shteti këtë sektor duhet ta mbështesë me ndërtimin e një rrjeti,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo do t’i ndihmonte bizneset për të investuar në këtë sektor./ BIRN