Një hetim që zgjati për disa muaj nga SHKB e Ministrisë së Drejtësisë, çoi ditën e djeshme në vendosjen nga Gjykata e Tiranës të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për 18 punonjës së burgut të Fierit.
Punonjësit për të cilët është hartuar dosja penale e zbardhur më pas nga vetë Ministria e Drejtësisë, akuzohen se kanë konsumuar një sërë veprash të paligjshme, ku mund të rendisim: “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i vulave stampave dhe formularëve”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, të gjitha këto të kryera në bashkëpunim.
Ndër të arrestuarit përfshihen edhe përgjegjësi i Sektorit Ligjor Gerald Nonaj, përgjegjësi i Sektorit Social Eris Isufaj, përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë Bashkim Meçi, specialistja e Sektorit Social Jonda Qato dhe specialisti i regjimit të brendshëm Neritan Xhaferri.
Grupi i përbërë nga 5 funksionarët e IEPV Fier të përmendur më sipër kanë bashkëpunuar në disa raste duke favorizuar të dënuarit, në mënyrë që ata të përfitonin ulje të dënimit, kryesisht nëpërmjet ditëve dhe orëve fiktive të shënuara në kartelat e punës të të burgosurve në periudhën kohore 2019-2020.
Por, një nga emrat që merr vëmendje në dosjen hetimore dhe të cilin e kanë ndihmuar që të përfitonte ulje dënimi pavarësisht se ishte ndëshkuar me masë disiplinore, është anëtari i bandës së “Gaxhait”, Viktor Ymeraj.
Ymeraj është një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Vlorë dhe i dënuar për dy vrasje, ndërsa ndryshe njihet me nofkën “Tori i Xhihanës”.
Ymeraj ishte dënuar për 2 vrasje të kryera më 1999, si anëtar i bandës së Gaxhait ndërsa emri i tij del në pah vazhdimisht pas ngjarjeve kriminale në Vlorë, kjo edhe për shkak të lidhjes së tij me Edison Harizaj (është daja i “Faqedjegurit”), i cili u ekzekutua në një atentat në Durrës.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për çëshjen në fjalë konstatohet se “nga verifikimi i Dosjes Penale e të dënuarit Viktor Shefqet Ymeraj, me vendimin e Komisionit Disiplinor të IEVP Fier, me datë 23.03.2020 është vendosur dhënia e masës dispilinore 20 ditë “Përjashtim nga veprimtaritë e përbashkëta” për të”.
Por çuditërisht kur anëtari i “bandës së Gaxhait”, i është drejtuar Gjykatës së Fierit më datë 20.04.2021 për të kërkuar ulje dënimi për periudhën 14.04.2020-14.04.2021, raporti i IEVP-së së Fierit për sjelljen e tij nuk e përfshin masën disiplinore.
“Janë dërguar Vlerësimi i Sjelljes me nr.494 prot, datë 05.05.2021 drejtuar gjykatës, duke u shprehur në vlerësim se, i dënuari Viktor Ymeraj nuk është ndëshkuar me masë disiplinore dhe ka arritur në konkluzionin se “…shtetasi i dënuar plotëson kriteret ligjore për të përfituar ulje dënimi dhe komisioni vendos pranimin në masën 70 ditë të kërkesës për ulje dënimi…”. Gjykata mbanë parasysh edhe mendimin e komisionit te vlerësimit te sjelljes së IEVP Fier, i cili është shprehur për pranimin e kërkesës. Gjykata ka dal me vendim nr.555 datë 05.05.2021 dhe ka vendosur ulje dënimi në masën 85 ditë për të dënuarin Viktor Ymeraj”, thuhet në dosjen për të.
Hetimet
Nga analizimi i dhënies së Masës Disiplinore dhe Vlerësimit të Sjelljes të cituara më lartë, rezulton se, vlerësimi i sjelljes nuk pasqyron masën disiplinore të dhënë për të dënuarin Viktor Ymeraj me datë 23.03.2020, pasi nga data 23.03.2020 deri 23.03.2021 ky i dënuar ka qenë nën efektit e masës disiplinore kjo e parashikuar në nenin 54/2 paragrafi 3, ligjit nr.8828 datë 16.04.1998 i ndryshuar, konkretisht “…Masat disiplinore evidentohen në regjistrin e masave disiplinore, në dosjen psiko-sociale dhe në dosjen personale të të dënuarit. Ato konsiderohen të padhëna, në rast mospërsëritjeje për një periudhë 6-mujore për shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 53, dhe për një periudhë 1- vjeçare për shkronjat “c’, “ç”, dhe “d” të nenit 53…” dhe në nenin 67 pika 6, ligjit nr.81/2020, ku parashikohet se “… Masat disiplinore konsiderohen sikur nuk janë dhënë në rast mospërsëritje dhe kur nga data e dhënies së tyre kanë kaluar: a) 6 muaj për masën disiplinore të parashikuar në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 64 të këtij ligji; b) 1 vit për masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “b”, “c”, dhe “ç” të pikës 1 të nenit 64 të këtij ligji.”.
IEVP Fier ka dërguar në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, vlersimin e sjelljes nr.494 datë 05.05.2021 duke mos pasqyruar masën disiplinore të marrë nga i dënuari Gazmend Allkaj si pasojë, ka sjellë përfitimin e padrejtë të 85 ditë ulje dënimi të cilat jepen si shpërblim për sjellje të mirë, rehabilituese në IEVP, ndërkohë që i dënuari Viktor Ymeraj nuk ka plotësuar kriteret ligjore për të përfituar ulje dënimi pasi ishte nën efektin e masës disiplinore dhe IEVP Fier ka paraqitur fakte dhe rrethana të rreme për këtë rast. Komisioni i vlerësimit të sjelljes nr.494 datë 05.05.2021, është nënshkruar nga Përgjegjësi i Sektorit Ligjorë Gerald Nonaj, Përgjegjësi i Sektorit Social Eris Isufaj, Përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë Bashkim Meçi, Specialist i sektorit social Jonda Qato dhe Specialist i regjimit të brendshëm Neritan Xhaferri, shkrese kjo qe me pas i është përcjelle gjykatës me firmës e drejtuesit te IEVP.
Punonjësit të cilët kanë hartuar dhe miratuar vlerësimin e sjelljes e të dënuarit të sipërcituar, nuk kanë pasqyruar masën disiplinore në vlerësimin e sjelljes, por kanë paraqitur rrethana të rreme në këtë vlerësimin e sjellje të dërguar në Gjykatë. Duke qenë se ky dokument, i dërguar në Gjykatë tregon se i dënuari që zbaton rregullat e brendshme të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe ka një sjellje të mirë duke treguar me pjesëmarrje aktive dhe pozitive në veprimtaritë rehabilituese dhe riintegruese gjatë kryerjes së dënimit, i dënuari mund të ulje dënimi deri 90 ditë në çdo vit të kryerjes së dënimit, duke konsumuar elementet e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, 248 dhe 25 të K.Penal.
Kush është Viktor Ymeri
Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit problematikë në Vlorë, dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizaj, i ekzekutuar para disa kohësh në Durrës. Në të njëjtën kohë Viktor Ymeraj konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës. Ky i fundit (Gaxhai) në qershor të vitit 1999, ka ekzekutuar bashkë me Ymeraj me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Fillimisht Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend.
Për këtë ngjarje policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës, Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerain. Policia e Vlorës tha në atë kohë se dyshohet se Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizaj, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës. Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre. Viktor Ymeri u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit.
Mirëpo koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas gjykatës së Apelit, Viktor Ymeri, i fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.
/BW/