Athinë – Kryeministri i Greqisë të premten mbrojti funksionimin e shërbimit sekret të vendit përballë një skandali përgjimesh, duke thënë se operacionet tij janë janë thelbësore për sigurinë e vendit, pavarësisht asaj që ai e përshkroi si gabim, përgjimin e telefonit të një politikani opozitar.
Duke folur gjatë një debati parlamentar mbi përgjimin e politikanëve dhe të gazetarëve, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se “asgjë nuk duhet të vërë në dyshim këtë degë të vlefshme operacionale të shtetit. Është degë kombëtare, nuk duhet të paralizohet asnjë sekondë. Diçka e tillë do të ishte katastrofike.”
Parlamenti u kthye herët nga pushimet verore për këtë debat të thirrur nga partia kryesore opozitare SYRIZA pas zbulimit se Nikos Androulakis, një deputet i Parlamentit Evropian dhe kreu i partisë së tretë më të madhe politike të Greqisë, u vu nën përgjim për tre muaj vitin e kaluar kur ai ishte kandidat për udhëheqjen e partisë së tij PASOK.
Një gazetar financash ishte gjithashtu nën përgjim.
Mitsotakis, i cili përballet me rizgjedhje vitin e ardhshëm, ka këmbëngulur se ai nuk ishte në dijeni të asaj që ai e quajti përgjim të ligjshëm të Androulakis, por tha se nuk do ta kishte miratuar këtë masë po të dinte për të.
Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë në fakt raporton drejtpërdrejt në zyrën e kryeministrit.
“Kur u informova për këtë, nuk hezitova të pranoj se ishte gabim”, tha Mitsotakis gjatë fjalimit të tij të hapjes parlamentare të premten. Ai nuk ka zbuluar arsyet pse Androulakis ishte nën vëzhgim, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, por këmbënguli se përgjimi ishte i ligjshëm dhe i bëri thirrje Androulakis që ta çonte çështjen në gjykatat greke ose evropiane nëse nuk ishte dakord.
Udhëheqësi i SYRIZA, Alexis Tsipras e kritikoi trajtimin e çështjes nga Mitsotakis dhe e akuzoi atë për sjellje kriminale në përgjimin e telefonit të një politikani opozitar pa përmendur një arsye.
Tsipras i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen. “Përgjimi i bisedave telefonike, zoti Mitsotakis, … nuk është vetëm një gabim politik. Është një vepër kriminale”, tha ai.
“Ju jeni ligjërisht, politikisht, por kryesisht moralisht i detyruar… t’i përgjigjeni një pyetjeje vendimtare: Pse po e përgjonit eurodeputetin dhe kandidatin e atëhershëm dhe tani kreun e partisë së tretë më të madhe në Greqi,” tha Tsipras. “Jepni një përgjigje. Ju jeni të detyruar të jepni një përgjigje. Cila ishte kjo arsye kombëtare?”
Tsipras pyeti. “A është zoti Androulakis, agjent i interesave të huaja, zoti Mitsotakis? … A është ai një spiun i forcave të huaja? A është ai i rrezikshëm për interesat tona kombëtare?”
Skandali ka sjellë tashmë dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Panagiotis Kontoleon dhe sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, Grigoris Dimitriadis.
Përgjimi tre-mujor i telefonit të Androulakis nga shtatori 2021 u zbulua pasi Androulakis, si anëtar i Parlamentit Evropian, u informua nga shërbimi i sigurisë kibernetike i Parlamentit Evropian se kishte qenë objektiv i një përpjekjeje për përgjim nga spyëare Predator.
Në prill, gazetari grek për financat, Thanasis Koukakis tha se ai ishte njoftuar nga grupi i të drejtave dixhitale Citizen Lab se telefoni i tij kishte qenë objektivi i përgjimit nga softueri Predator që nga korriku deri në shtator 2021.
Qeveria greke këmbëngul se nuk ka përdorur Predator, por ka pranuar se telefoni i Androulakis ishte veçmas nën vëzhgim nga shërbimi sekret. Mitsotakis vuri në dukje se funksionimi i shërbimeve të inteligjencës ishte sekret nga nevoja dhe la të kuptohej se të tjerë – të cilët ai nuk i identifikoi – mund të fshiheshin pas përpjekjeve për hakerim.
“Duhet të dimë se shërbimet sekrete sipas definicionit operojnë në çdo kohë mbi një vijë të hollë. Natyra e këtyre strukturave mbart rreziqe”, tha kryeministri. “Fshehtësia e nevojshme, po, mund të çojë në arbitraritet, por edhe zhvillimi marramendës i teknologjisë tani i transferon mundësitë e mbikëqyrjes në qendra të tjera”.
Androulakis paraqiti një ankesë te prokurorët në Gjykatën e Lartë të Greqisë më 26 korrik mbi spyëare-in Predator dhe ka kërkuar të dijë arsyet e përgjimit të telefonit të tij nga shërbimi sekret.
Mitsotakis ka thënë se qeveria do të propozojë ndryshime në mënyrën se si funksionon Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, duke përfshirë rritjen e përgjegjshmërisë dhe të mbikëqyrjes parlamentare, si dhe duke bërë ndryshime të brendshme për të forcuar transparencën, trajnimin e personelit dhe kontrollet e brendshme.