Konflikti i zgjatur favorizon Rusinë apo Ukrainën? Ukraina po mbështetet tek aleatët perëndimorë; Vladimir Putin shpreson që ata të humbasin vullnetin, shkruan The Economist
Konflikti i zgjatur do të vërë në provë edhe vendosmërinë e aleatëve perëndimorë të Ukrainës, ndërkohë që çmimi i ushqimeve dhe i energjisë po rritet, inflacioni po shqetëson votuesit dhe kërkesa e Ukrainës për armë dhe para, po shtohet. Një luftë e gjatë, me pak fjalë, do t’i vërë në provë të dyja palët. Çështja nëse zgjatja e luftës favorizon Rusinë apo Ukrainën, do të varet kryesisht nga mënyra se si do të përgjigjet Perëndimi.
Fillojmë me fushëbetejën. Ushtria ruse po bën përparime, megjithëse të ngadalta. Forcat ukrainase janë urdhëruar që të tërhiqen nga qyteti Severodonetsk, duke i rritur shanset që Rusia të marrë në kontroll gjithë provincën Luhansk, një nga dy provincat që së bashku formojnë rajonin Donbas. Slovyansk, në verilindje të Donetsk, provinca tjetër në Donbas, është gjithashtu nën sulm.
Forcat ukrainase janë dëmtuar rëndë. Qeveria thotë se ato po humbasin deri në 200 ushtarë në ditë. Më 15 qershor, një gjeneral ukrainas tha se ushtria kishte humbur 1,300 automjete të blinduara, 400 tanke dhe 700 sisteme artilerie, shumë më tepër nga sa mendohej më parë. Shumë nga njësitë me përvojë dhe të trajnuara të Ukrainës, janë shkatërruar. Më 19 qershor, inteligjenca britanike e mbrojtjes tha se kishte pasur dezertime midis trupave ukrainase.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Rusia do të kalojë përmes provincës Donbas. Përparimi i saj ka qenë i ngadaltë, i rëndë dhe i kushtueshëm, i mundësuar vetëm nga bombardimet masive. Rekrutët e rinj po marrin vetëm disa ditë stërvitje përpara se të hidhen në betejë, sipas shërbimit rus të BBC-së.
Morali është i ulët: inteligjenca britanike tregon se ka “përplasje të armatosura midis oficerëve dhe trupave të tyre”. U deshën më shumë se dy muaj për të pushtuar Severodonetsk, ndërsa Slovyansk dhe Kramatorsk janë më të fortifikuara.
Rusia ka ende shumë municione dhe pajisje, thotë Richard Connolly, ekspert në ekonominë e vendit dhe industrinë e mbrojtjes.
Raportohet se fabrikat ruse të armëve po punojnë me turne të dyfishta ose të trefishta. Rusia gjithashtu ka rezerva të mëdha tankesh të vjetra. Me kalimin e kohës, mungesat do të ndihen më tepër, por ato kanë më shumë gjasa të çojnë në përdorimin e armëve të vjetruara ose të pamirëmbajtura, sesa në një krizë totale, mendon Connolly.
Burra, jo makineri
Fuqia njerëzore është një problem edhe më i madh. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka pranuar që të thërrasë në masë rekrutë dhe rezervistë. Në vend të një mobilizimi të përgjithshëm, ushtria e tij po krijon batalione të reja rezervë, duke regjistruar rekrutë të rinj, thotë Michael Kofman nga CNA, institut kërkimor.
Por gjetja e një numri të mjaftueshëm personash, është e vështirë: qeverisë i është dashur të ofrojë paga të larta, pothuajse sa trefishi i pagës mesatare. Të plagosurve u janë premtuar shpërblime bujare. Duma, Parlamenti rus, kohët e fundit rriti moshën maksimale për të shkuar në ushtri, nga 40 në 65 vjeç. Autoritetet po përpiqen të joshin ushtarët e dalë në pension.
Në një përpjekje të dëshpëruar për të mbledhur forca të gatshme për betejë sa më shpejt të jetë e mundur, të saporegjistruarit po grumbullohen së bashku me oficerët në shërbim, vëren Kofman.
Oficerët dhe pajisjet ushtarake që vihen në dispozicion të tyre, normalisht do të përdoreshin për të trajnuar ushtarë të rinj ose për të lehtësuar trupat e lodhur nga beteja. Rusia është duke kanibalizuar forcat e veta, thotë Kofman, gjë që do të zvogëlojë “qëndrueshmërinë e përgjithshme të përpjekjeve të luftës”.
Mungesa e trupave të trajnuara mirë, është një nga arsyet pse përparimi rus në Donbas ka qenë tepër i ngadaltë. Ukraina, pavarësisht popullsisë më të vogël, ka një furnizim më të madh me rekrutë të etur. Trajnimi i tyre mbetet pengesë, por kjo mund të kapërcehet me pak ndihmë: më 17 qershor, zoti Johnson propozoi një skemë sipas së cilës, Britania do të stërviste deri në 10,000 ushtarë çdo 120 ditë.
Ukraina gjithashtu po merr armë më të sofistikuara perëndimore. Si fillim, ajo kërkoi kryesisht raketa antitank dhe anti-ajrore me rreze të shkurtër veprimi, për të shmangur kolonat e blinduara dhe helikopterët rusë. Kohët e fundit, Amerika, Britania dhe të tjerë kanë furnizuar artileri dhe raketa moderne, të cilat do të jenë shumë më të dobishme për kundërsulme.
Më 23 qershor, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha se raketat amerikane Himar, me municione të drejtuara nëpërmjet GPS, kishin filluar të mbërrinin.
Në të vërtetë, disa zyrtarë ukrainas, duke përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, argumentojnë se nëse ndihma perëndimore arrin në një shkallë të mjaftueshme, Ukraina mund të jetë në gjendje ta fitojë luftën përpara dimrit. Një oficer i inteligjencës ushtarake, thotë se shanset e Ukrainës për kundërsulm do të rriten në fund të tetorit, kur stoku me armë perëndimore pritet të arrijë kulmin.
“Ne kemi nevojë që armiku të ndiejë fuqinë e plotë të armatimit”, thotë ai. Po diskutohet për ta zmbrapsur Rusinë në pozicionet e saj fillestare, dhe më pas për të negociuar një marrëveshje paqeje, nga një pozicion më i fortë.
Por optimizmi ka disa rreziqe. Së pari, forcat e Ukrainës e kanë përdorur shumicën e municioneve të tyre dhe pa kapacitetin e nevojshëm të prodhimit vendas, tani ato janë plotësisht të varura nga furnizuesit e huaj. Luftimet e fundit janë përqendruar në artileri të rënda që konsumojnë sasi të mëdha municionesh.
Rusia, e cila ka stoqe të mëdha, nuk po tregohet aspak e kursyer. Edhe pse Ukraina është përpjekur të racionojë konsumin e saj, vendet e NATO-s mund ta kenë të vështirë që t’i japin furnizime të mjaftueshme me predha, për një kohë të gjatë.
Për më tepër, shtetet që mbështesin Ukrainën kanë harxhuar tashmë një pjesë të madhe të rezervave të tyre të armëve. 7000 raketat antitank Javelin që ka ofruar Amerika, mendohet se përbëjnë rreth një të tretën e inventarit të saj total. Për më tepër, ushtritë perëndimore nuk duan që furnizimet e tyre të pakësohen; në fakt, shumë prej tyre shpresojnë t’i shtojnë ato, pas agresionit të Rusisë.
Megjithëse Amerika dhe Europa, me ekonomi shumë më të mëdha se Rusia, mund të përgatiten për të prodhuar gjithçka që i nevojitet Ukrainës, prodhimi i predhave dhe raketave nuk mund të dyfishohet brenda natës. Amerika prodhon vetëm 2100 raketa Javelins në vit. Zoti Vershinin vëren se numri i fabrikave amerikane të armëve të vogla, është ulur nga pesë gjatë luftës së Vietnamit, në vetëm një sot.
Është gjithashtu e vështirë të përdorësh të gjithë kompletin ushtarak të NATO-s. Amerika dhe Gjermania i mësuan ushtarët ukrainas si të përdornin armët e tyre brenda dy javësh, por të mësosh se si t’i riparosh ato, është më e vështirë.
Përdorimi i disa pjesëve të artilerisë është aq intensiv, sa që shumë prej tyre tashmë janë prishur dhe janë dërguar në Poloni për riparim. Ky problem do të rritet ndërsa armë më komplekse po vijnë dhe Ukraina gradualisht do të kalojë nga pajisjet sovjetike, në armët e ofruara nga NATO.
Ndoshta më e rëndësishmja është se si Ukraina e përdor arsenalin e saj të ri. Shumë nga armët që ajo po merr, janë modeluar në kohën e Luftës së Ftohtë për të sulmuar pikërisht kundërshtarin me të cilin po përballet tani Ukraina në Donbas: një ushtri e stilit sovjetik që përdor fuqi të rëndë zjarri.
Shqetësimi në disa vende perëndimore është se Ukraina do të përpiqet të shpërthejë po aq predha sa Rusia, duke i harxhuar municionet e saj, me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
“Nëse artileritë HIMAR përdoren si armë rajonale, – paralajmëroi Ben Wallace, sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, më 29 qershor, – municionet do të mbarojnë për 12 orë”.
Qëllimi është që Ukraina të nxitet për të përdorur raketahedhëse dhe sisteme të tjera me rreze të gjatë veprimi, në përputhje me qëllimin e saj fillestar për të luftuar një “betejë të thellë”: duke goditur objektiva të rëndësishëm rusë, si postet komanduese dhe qendrat hekurudhore, shumë kilometra prapa vijës së frontit.
Ka prova që tregojnë se Ukraina po bën me të vërtetë një përpjekje të ngjashme për të goditur thellë brenda Donbasit. Wallace thotë se pesë depo municionesh janë hedhur në erë kohët e fundit, së bashku me disa qendra komandimi ruse.
Kjo ofron një rrugë drejt fitores së plotë, ose të paktën, mund të ngadalësojë Rusinë, ose t’i shkaktojë asaj, kosto të rënda. Zyrtarët perëndimorë dyshojnë se Ukraina do të jetë në gjendje të rimarrë të gjithë tokën e humbur që nga fillimi i pushtimit.
Në fund të fundit, lufta ka treguar se është më e lehtë të mbrohesh sesa të sulmosh. Por nëse Ukraina pajiset vazhdimisht me armë dhe municione dhe përdor me zgjuarsi fuqinë e zjarrit, ajo mund të rimarrë territore të humbura, të shkaktojë kaos në ushtrinë ruse dhe humbje të paqëndrueshme si në njerëz, ashtu edhe në materiale.
Megjithatë, Ukrainës nuk i duhen vetëm armë për të ndjekur një strategji të tillë; qeverisë gjithashtu i mungojnë paratë. Lufta ka rrënuar ekonominë e saj: Banka Qendrore dhe FMN-ja mendojnë se prodhimi mund të tkurret me më shumë se një të tretën këtë vit – një goditje e barabartë me Depresionin në Amerikë në vitet 1930.
Sipas analizave më optimiste, rajonet e pushtuara janë më të prekura dhe aktiviteti gjetiu është rimëkëmbur disi pas një rënie në mars. Tkurrja aktuale në bazë vjetore arrin në rreth 15%.
Sidoqoftë, financat publike të Ukrainës janë përmirësuar. Qeverisë i është dashur të shpenzojë bujarisht, jo vetëm për Forcat e Armatosura, por edhe për të ofruar ndihmë humanitare për të lënduarit, të papunët dhe të zhvendosurit – edhe pse ka ulur taksat për të ndihmuar ekonominë e çalë. Rezultati është një deficit prej rreth 5 miliardë dollarësh në muaj.
Në këto rrethana, investitorët natyrisht ngurrojnë që t’i japin hua Ukrainës. Rritja e taksave do të ishte kundërproduktive, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike. Qeveria po përpiqet të shkurtojë disa shpenzime: kohët e fundit, ajo frenoi ndihmat për të papunët.
Perëndimi ka premtuar shumë ndihmë, por ajo nuk po mbërrin aq shpejt sa ç’duhet. Qeverisë nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të shtypë para. Banka qendrore ka blerë bono qeveritare që nga fillimi i pushtimit, me një ritëm gjithnjë e më të përshpejtuar (shih grafikun).
Në të njëjtën kohë, ajo po djeg rezervat valutore në një përpjekje për të stabilizuar monedhën ukrainase hryvnia. Inflacioni, tashmë në nivelin 18%, po vazhdon të rritet.
Nëse Perëndimi lejon që financat e qeverisë të dalin jashtë kontrollit, ose që ekonomia të pushojë së funksionuari, edhe perspektiva ushtarake do të errësohej në mënyrë të pashmangshme.
Mbajtja e barrës
Në të kundërt, Rusia duket në një gjendje shumë më të mirë ekonomike. Pas një lëkundjeje të shkurtër të shkaktuar nga sanksionet e ashpra perëndimore, rubla është rritur sërish.
Edhe pse firmat perëndimore kanë tërhequr sa më shumë nga investimet totale me vlerë 300 miliardë dollarë në Rusi, dhe shumë rusë të arsimuar janë larguar nga vendi, shumica e parashikuesve presin një tkurrje relativisht të menaxhueshme këtë vit, pjesërisht falë shpenzimeve të mëdha qeveritare. Putin shpesh këmbëngul se sanksionet dëmtojnë Perëndimin më shumë sesa Rusinë.
Në fakt, sanksionet po e privojnë ekonominë ruse nga importet thelbësore. Prodhimi i makinave është ulur me më shumë se 80% nga niveli para pushtimit, për shkak të vështirësisë që kanë prodhuesit për të marrë pjesë këmbimi nga jashtë, por edhe për shkak të kërkesës në rënie të konsumatorëve.
Në maj, tregtarët shitën vetëm 26 automjete Porsche në Rusi, 95% më pak se një vit më parë. Ndërtimi i ashensorëve është përgjysmuar, duke reflektuar rënien e projekteve të mëdha të ndërtimit.
Mungesa e komponentëve kritikë është gjithashtu shqetësim për gjeneralët e Rusisë. “Ukrainasit na thonë se kur gjejnë pajisje ushtarake ruse në tokë, ato janë të mbushura me gjysmëpërçues që janë marrë nga pjatalarëse ose frigoriferë”, tha Gina Raimondo, sekretarja amerikane e Tregtisë, në maj.
Megjithëse disa firma ruse prodhojnë çipe kompjuterësh dhe po përpiqen të rrisin prodhimin, produktet e tyre janë më të shtrenjta dhe më pak të sofistikuara se ato të importuara.
Por pak fabrika municionesh duket se janë prekur deri tani, vëren Connolly, ndoshta sepse firmat ruse të mbrojtjes grumbullojnë pjesë të rëndësishme që janë thelbësore për planifikimin qendror sovjetik. Qeveria prej kohësh po kërkon zinxhirë alternativë furnizimi.
Një studim i ri nga RUSI, institut kërkimor në Britani, tregon për “një sërë kompanish me seli në mbarë botën, duke përfshirë Republikën Çeke, Serbinë, Armeninë, Kazakistanin, Turqinë, Indinë dhe Kinën, të cilat do të marrin rreziqe të konsiderueshme për të përmbushur kërkesat ruse për furnizim”. Kina ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për të furnizuar pjesë këmbimi për firmat ruse të avionëve.
Në të vërtetë, zoti Putin duket i sigurt se koha dhe paratë janë në avantazhin e tij. Edhe nëse forcat ruse nuk arrijnë të përparojnë me shpejtësi, ato kanë arritur të bllokojnë portet e Ukrainës, duke rrënuar ekonominë e saj.
Dhe megjithëse, as publiku rus dhe as elita ruse, nuk ishin të etur për luftë, forcat e pamëshirshme të sigurisë dhe propaganduesit e Putinit, i kanë shtypur protestat. Për më tepër, shumica e rekrutëve të rinj ushtarakë – dhe viktimave – kanë ardhur nga qytete të vogla që ndodhen në provinca më të varfra, çka do të thotë se qytetet e mëdha ruse janë mbrojtur nga efektet më të ashpra të luftës.
Por duke pasur parasysh hapat që ka ndjekur Putini për të shmangur një mobilizim të përgjithshëm të popullsisë, ai nuk është i sigurt se rusët janë të gatshëm të durojnë një luftë të gjatë dhe të përgjakshme. Në të njëjtën mënyrë, optimizmi ekonomik i shfaqur aktualisht nga biznesmenët dhe popullata e gjerë, mund të zhduket pasi të ndihen më tepër efektet afatgjata të kostos së luftës, sanksioneve perëndimore dhe emigracionit.
Ukraina ka frikë se Rusia mund të përdorë taktika më të pamëshirshme nëse lufta zgjat së tepërmi. Për shembull, ajo mund të shënjestrojë rrjetin elektrik dhe pajisjet e ngrohjes me afrimin e dimrit – një lëvizje që do të impononte një kosto të madhe humanitare për popullatën e përgjithshme. Megjithatë, ukrainasit duket se po përgatiten për rreziqe të tilla.
Të dhënat nga agjencia e sondazhit Rating tregojnë se më shumë se gjysma e tyre, tani besojnë se lufta do të zgjasë të paktën gjashtë muaj, nga 10% në fillim të marsit. Megjithatë, 93% e të anketuarve thonë se Ukraina do të fitojë në fund. “Ukraina ka filluar të besojë në vetvete”, thotë Alexei Antipovich, shefi i Rating.
Ukrainasit mbeten të vendosur kundër idesë së negociatave me Rusinë, veçanërisht pas raportit të mizorive ruse në gjysmën e dytë të marsit.
Ata kanë frikë nga një përsëritje e marrëveshjeve të Minskut, që ishin marrëveshjet e paqes të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania, të cilat caktuan vija të reja në kufijtë ukrainas, por nuk arritën të ngopnin oreksin rus. Ukraina nuk beson se Kremlini do të ndalet pa arritur dorëzimin e plotë të kundërshtarit. “Ne, ose fitojmë, ose humbim”, thotë Oleh Zhdanov, ish-oficer operacional në Shtabin e Përgjithshëm të Ukrainës.
Aleatët e Ukrainës mund të mos kenë pikëpamje kaq bardhezi të gjërave. Në të vërtetë, Putini mund ta ketë më të lehtë t’i shkurajojë ata, se sa ukrainasit.
Duke ulur eksportet e gazit përmes tubacionit kryesor nga Rusia në Gjermani, ai kohët e fundit sinjalizoi se është i gatshëm të marrë peng ekonominë e Europës, për të realizuar qëllimet e tij të luftës. Rritja e çmimeve të gazit dhe mungesat gjatë dimrit, me siguri do të nxisnin disa qeveri europiane që të shtyjnë Ukrainën të pranojë një armëpushim të papërsosur.
Disa vende europiane, veçanërisht Gjermania, në fillim ngurruan që t’i jepnin Ukrainës armë të rënda. Shumë prej tyre ende ngurrojnë të deklarojnë qëllimin për të ndihmuar Ukrainën që të “fitojë” luftën. Sigurisht që nuk ka unanimitet brenda NATO-s mbi mënyrën se si duhet të përkufizohet fitorja.
Sa më gjatë të vazhdojë lufta dhe sa më e lartë të jetë kostoja për sa u përket çmimeve të energjisë dhe ngadalësimit të ekonomive, aq më ngurrues do të bëhen aleatët e Ukrainës për të ofruar armë dhe para. Zoti Putin shpreson që të zbehet dëshira dhe vullneti i tyre për të ndihmuar. /Përktheu: Lira Muça/