Nga Nan Tian, Diego Lopes da Silva & Alexandra Marksteiner “Foreign Affairs”
Në ditët e para pas pushtimit rus të Ukrainës, disa vende njoftuan një rritje domethënëse të shpenzimeve të tyre ushtarake. Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara publikuan planet për shpenzime të reja ushtarake. Po kështu edhe Australia. Deri tani, 29 shtete evropiane kanë premtuar të investojnë më shumë se 209 miliardë dollarë shtesë për mbrojtjen, një shifër që me siguri do të rritet.
Edhe Komisioni Evropian ka deklaruar se “nevojiten investime për të rimbushur rezervat e varfëruara të pajisjeve ushtarake”. Rritjet e muajve të fundit janë nxitur sigurisht nga lufta, por ato bazohen edhe tek një prirje ekzistuese. Duke nisur që nga viti 1999, shpenzimet ushtarake globale filluan të rriteshin, teksa bota nisi të lërë pas këndvështrimin optimist që karakterizoi vitet e para pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Për shembull, duke nisur që nga viti 2000, Rusia shpenzoi shumë në një përpjekje për të rifituar statusin e humbur si një fuqi ushtarake që e gëzonte dikur Bashkimit Sovjetik. Edhe Shtetet e Bashkuara i rritën gradualisht shpenzimet e mbrojtjes pas sulmeve të 11 shtatorit. Shpenzimet ushtarake në Evropë, mbetën në nivele të ulëta për një kohë më të gjatë, por pasi Moska aneksoi Krimenë, shumë nga vendet e kontinentit nisën fushatat e modernizimit dhe zgjerimit të ushtrive të tyre, raporton abcnews.al.
Dhe gjatë 30 viteve të fundit, Kina i ka rritur shpenzimet ushtarake më shumë se sa çdo vend tjetër. Edhe para se Rusia të pushtonte Ukrainën, shpenzimet ushtarake globale kishin arritur tashmë në 2.1 trilion dollarë pas Luftës së Ftohtë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, këto rritje shihen si të nevojshme.
Por besimi se zgjerimi i buxheteve të mbrojtjes, do të ndihmojë domosdoshmërisht në mbrojtjen e botës, është i gabuar dhe i rrezikshëm. Në vend se të parandalojë dhunën, rritja e shpenzimeve ushtarake mund të kontribuojë në një sistem ndërkombëtar më të tensionuar dhe më shpërthyes. Pasi kjo rritje ndodh duke i devijuar burimet nga prioritetet e tjera kritike, si përmirësimi i kujdesit shëndetësor, parandalimi i urisë dhe luftimi i krizës klimatike. Këto çështje janë po aq të rëndësishme për sigurinë e botës sa edhe ndalimi i agresionit rus. Por shtetet duhet të balancojnë më mirë krizën afatshkurtër të sigurisë ushtarake, me sfidat afatgjata të sigurisë njerëzore, nëse duan të kenë shpresë që t’i adresojnë këto të fundit.
Një pjesë e konsiderueshme e pasurisë botërore shkon për ushtritë. Në vitin 2021, 2.2 për qind e PBB-së së planetit shpenzohej për forcat e armatosura, ose 268 dollarë për frymë. Pra më shumë sesa dyfishi i 118 dollarëve për frymë në vitin 1999. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kjo kosto pritet të rritet edhe më shumë.
Rritja e shpenzimeve ka qenë më e theksuar në Evropë. Kontinenti i reduktoi shpenzimet për mbrojtjen pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ato shpenzime mbetën në nivele të ulëta për disa dekada, por sapo Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, ai nisi të riarmatosej. Atë vit, aleatët e NATO-s miratuan një akt, ku secili vend anëtar përkushtohej të shpenzonte të paktën 2 për qind të PBB-së së tij për ushtrinë, raporton abcnews.al.
Në 7 vitet që pasuan, shpenzimet ushtarake evropiane u rritën me 25 për qind. Që atëherë, numri i aleatëve evropianë të NATO-s që e arritën atë prag u rrit nga 2 në 8. Tani shpenzimet po rriten akoma më tej. Danimarka, që shpenzon aktualisht 1.4 për qind të PBB-së së saj për ushtrinë, pritet të rrisë shpenzimet në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2033. Edhe Belgjika gjithashtu synon të përmbushë udhëzimin e NATO-s, duke e dyfishuar shifrën e saj aktuale prej 5.9 miliardë dollarësh.
Holanda, që investon 1.4 për qind të PBB-së së saj për ushtrinë, planifikon ta arrijë pothuajse menjëherë objektivin prej 2 për qind, duke shtuar që këtë vit 5.2 miliardë dollarë për forcat e armatosura. Edhe Polonia po rrit në mënyrë dramatike shpenzimet ushtarake, për të dyfishuar numrin e trupave të saj.
Rritjet janë aq të mëdha, sa që përfshijnë edhe vende që kanë qenë prej kohësh të kujdesshme ndaj fuqisë së tyre ushtarake. Më 27 shkurt, Gjermania shpalli planet për të krijuar një fond special me vlerë 104 miliardë dollarë për të forcuar ushtrinë e saj, të cilin do ta përdorë për të financuar disa projekte prokurimi në shkallë të gjerë (përfshirë blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara).
Suedia ka qenë prej kohësh një vend neutral, por tani është gati t’i bashkohet NATO-s, dhe të rrisë shpenzimet ushtarake në nivelin 2 për qind të PBB-së së saj. Më të dukshme janë shpenzimet e reja të SHBA-së në këtë sektor. Shpenzimet ushtarake atje janë rritur me rreth 40 për qind gjatë 2 dekadave të fundit.
Fondet shtesë do të shkojnë pjesërisht për trupat, dhe pjesërisht për projekte të kushtueshme afagjata për blerjen e armëve dhe për projekte kërkimore e zhvillimore. Në Perëndim, një nga arsyetimet kryesore për rritjen e shpenzimeve ushtarake është parandalimi.
Ndërsa trupat ruse po pushtojnë dalëngadalë më shumë territor ukrainas, dhe ndërsa Kina vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj, politikëbërësit në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe Evropë thonë se duhet t`i pengojnë në mënyrë të besueshme Pekinin dhe Moskën për të mos nisur konflikte të reja apo nxitjetë tensioneve, raporton abcnews.al.
“Duhet të jesh në gjendje të luftosh, në mënyrë që të mos kesh nevojë të luftosh”- deklaroi pak kohë më parë Christian Lindner, Ministër gjerman i Financave, dhe ideatori i projektit për modernizimin e ushtrisë. Nuk ka asnjë dyshim, që qeveritë janë përgjegjëse për sigurimin e jetës së qytetarëve të tyre.
Por parandalimi është një strategji e ndërlikuar, dhe mund të shkaktojë edhe ndonjë pasojë të paqëllimshme. Pasi kur një shtet riarmatoset, kjo i bën shtetet rivale të ndihen më pak të sigurta, dhe rezultati mund të jetë një spirale në rritje e shpenzimeve ushtarake, modernizimit dhe zgjerimit. Me pak fjalë, një garë armatimesh. Marrëveshja AUKUS, është ndoshta shembulli më i qartë se si armatimi mund të sjellë më shumë armatime.
Nëse Kina nuk do të kishte punuar për të zgjeruar shtrirjen e ushtrisë së saj, gjë që mund të jetë duke e bërë për ta sfiduar praninë e SHBA-së në rajon, nuk ka gjasa që Australia të kishte kërkuar blerjen e nëndetëseve me energji bërthamore. Por rritja e shpenzimeve ushtarake ka kosto në kurriz të fushave të tjetra.
Masat kundër ndryshimit të klimës dhe urisë globale nuk janë të lira. Sa më shumë para të shpenzojnë vendet për ushtritë e tyre, aq më e vështirë do të jetë zgjidhja e këtyre sfidave të sigurisë njerëzore. Për shembull, më 30 qershor Departamenti për Biznesin, Energjinë dhe Strategjinë Industriale në Britani, njoftoi se për të financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën,
po reduktonte fondet e programeve kundër ndryshimeve klimatike, si dhe ato të ndihmës në vendet e varfra.
Një analizë e përbashkët nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, dhe Programi Botëror i Ushqimit vlerësoi se duhen 265 miliardë dollarë në vit nga tani deri në vitin 2030 që t’i jepet fund me sukses problemit të urisë në botë.
Mund të duket si një shumë e madhe. Në fakt, është vetëm sa 12 për qind e shpenzimeve ushtarake të botës për vitin 2021. Natyrisht vendet mund të shpenzojnë për këto nisma, edhe duke vazhduar shpenzimet e mëdha për forcat e tyre të armatosura. Por paratë nuk janë të pafundme. Qeveritë kanë grumbulluar nivele borxhi të paprecedenta për të përballuar pandeminë e Covid-19, dhe për të mbuluar kostot e pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithëse përfitimet si nga shpenzimet ushtarake po ashtu edhe nga ato sociale janë të menjëhershme, shtetet duhet të jenë të vetëdijshëm se borxhi i lartë dhe në rritje mund të pengojë shpenzimet e tjera në të ardhshmen. Prandaj qeveritë duhet të mendohen gjatë dhe mirë, përpara se të miratojnë paketa që do të rrisnin shpenzimet ushtarake.
Shënim: Nan Tian, Diego Lopes Da Silva dhe Alexandra Marksteiner, studiues në Programin e Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, Suedi.