Nga Prof. Perlat Kapisyzi
Sot lexova lajmin që një i paudhë kishte hedhur krem torte mbi gjysëm portretin e Mona Lizes që ndodhet në krye të vendit të muzeut të Louvrit , në mes të kryeqytetit të Botës,Parisit. Në Parisin kryeqëndrën e rinisë, ku gëzimi të përfshin të tërin, të bënë të ndjehesh më i ri ose më pak i moshuar, të largon cdo kokëçarje duke të shtyrë butë pa e ndjerë në magjinë e bukurisë së formave , pasurisë,traditës, të butësisë së klimës, të shëtitjes që është gëzim e njëherazi mësim.
Mona Liza e Da Vincit ishte krijuar për të zgjuar dhe përjetuar emocion jo vetëm nga realizimet teknike por edhe nga buzëqeshja unikal, sa e matur aq edhe e plotë, sa e ëmbël aq edhe e vërtetë dhe plot mister.
Krejtësisht ndryshe ishte buzëqeshja e Xhokondës së Facebook. Një buzëqeshje centimetra pa fund, deri në vulgaritet ,ku ngërdheshja kishte triumfuar dukshëm.
Ndërsa Leonardo da Vinci u përpoq të tregonte me Mona Lizën vlerën artistike, e cila pati në vetëvete, në heshtje, suksesin , Facebook nëpërmjet Xhokondës ka si qëllim të paraqes “suksesin zhurmues” ku vlera s duket gjëkundi.
Ashtu si tregëtarët e veprave të artit që përpiqen ta paraqesin veten artistë ashtu edhe “ Xhokonda”e Facebook mundohej deri në raskapitje të bënte profesionisten , “ zonjen” e palodhur duke të kujtuar fjalinë e ngjeshur me kuptim” shumë zhurmë për asgjë”.
Në buzëqeshjen e Xhokondës së Facebook apo kronikave zbulohet lehtësisht shkujdesja e penelit e cila buron nga kënaqësia ëndrimtare dhe aspak nga shqetësimi që natyrshëm përfshinë këdo që përpiqet të kap demin nga brirët.
Ndonëse nuk ishte një lule fort egzotike për të mbushur hapësirat e gjëra të pranverës, Xhokonda e Facebook përpiqej ta luante atë rol vetëm për hatër të dikujt me një mundim fundosēs karshi opinionit vigjilent.
Ndërkohë që Da Vinci ka krijuar detaje të tilla aq sa ka lënë pa përgjigje mënyrat e realizimit dhe ka bërë këtë gjysëm portret të rëmbehet disa herë,Facebook-u kishte hapërndarë me mëndjelehtësi tiparet “fake” tek Xhokonda.
Leonardo da Vinci ka arritur të realizoj buzëqeshjen e shpirtit edhe sepse Mona Liza është në gjunjë, veprim që e bënë shpirtin më të ndjeshëm dhe me më shumë paqe.
Facebook përpiqet të paraqes Xhokondën herë mbi kalë, herë mbi gomarë, duke pandehur se lëvizja në zbrazëtirë dhe kotësi do ti ngjante lëvizjes së ëngjëllit të përmalluar dhe kështu do ta zbukuronte.
Duke kundruar Mona Lizën zbulojmë buzëqeshjen e cila buron nga shpirti u butë,dhe i burimit të lotëve.
Tek Xhokonda e Facebookut mund të zbulosh lehtësisht,dhe mjerisht që ngërdheshja- buzëqeshje buron nga klithmat e një shpirti që endet në ferr.
Mona Liza është art i kryer në periudhën e një kulture artistike të vërtetë. Xhokonda e Facebook është kopje e keqe sepse është bërë në kohët e sotme kur kultura e ambalazhit përpiqet të mund artin e vërtetë.
Buzëqeshjes mistike të Monalizës i kanë kushtuar edhe këngë në të cilat thuhet nëse Mona Liza qesh për të marr dashuri apo është një buzëqeshje për të fshehur lëndimin e zemrës.
Në skërmitjen – buzëqeshje të Xhokondës së Facebookut shfaqet qartazi si kristal “Uni” si asnjëherë aq i gjerë dhe aq i pakapshëm,rebel ndaj cdo përpjekje për kontroll.
Prandaj Xhokondën e Facebook e kanë sulmuar sa në mediat virtuale aq edhe në Facebook duke i vënë edhe nofkën “ shtojzavalle”.
Ajo që kanë të përbashkët masterpiece me kopjen e keqe të saj është se të dyja i kanë goditur por Mona Lizën për perfeksionin e një buzëqeshje sa të mbinatyrshme aq edhe modeste, Xhokondën e Facebookut për hipokrizinë e buzëqeshjes mëkatare.
Si Mona Liza ashtu edhe Xhokonda e Facebook kanë edhe një të përbashkët tjetër. Të dyja kanë një sfond.
Por përsëri edhe në sfondet ato ndryshojnë cilësisht shumë.
Mona Liza ulur në gjunjë,nën kujdesin e nënës natyrë, ku da Vinci mjeshtërisht e ka bërë sfondin pjesë të Mona Lizës pse jo edhe një arsye më shumë e asaj buzëqeshje të mbinatyrshme.
Facebook përdor si sfond të Xhokondës personazhe sepse Facebook-istëve tashmë Xhokonda i tërheq vëmëndjen po aq sa mushkonjat.
Ndrimi i sfondit me personazhe ,me kontribut fake ose jo, pa asnjë rëndësi për Xhokondën, rrisin shikimet e Xhokondës ,jo pëlqimet për atë ,por vetëm kuriozitetin për personazhet e sfondit.
Tashmë Facebook i Xhokondës ka probleme me sfondin, po i mbarohen personazhet, përsëritja e tyre do të ishte një kokëdhimbje akoma më e mërzitshme se sa ajo , Xhokonda.
Për Mona Lizën janë bërë shumë filma dhe dokumentarë nga producent të ndryshëm.
Por kronikat për Xhokondën e Facebookut bëhen vetëm nga Facebook-u i saj dhe kronikanët falenderues, ndonëse në buzëqeshjen e saj vazhdon të ketë që në krye të herës diçka të tejdukshme si qelqi e për rrjedhojë shumëcka pa brumë.
Mona Liza kurdoherë që shfaqet në televizor, internet në biseda na merr sadopak kohë për të përjetuar dhe shijuar buzëqeshjen gjithmonë manihtëse dhe modeste të saj.
Xhokonda e Facebookut sapo na shfaqet,na detyron të ndrojmë stacionin televizivë me aq ngut sa lebetisim robt e shtëpisë,jo vetëm për mos parë atë buzëqeshje të shtirur por edhe për të evituar ndotjen akustike të mashtrimeve të saj.
Mona Liza si një nga pikturat kryevepër po i reziston kohës pasi është pikturuar cilësisht në telajo që i ka përballuar sfidave të vështira të barës të rëndë të viteve.
Xhokonda e Facebookut ka filluar të plasaritet gjithandej sado që i nënshtrohet herë pas herëve “make up” restauruese.
Buzëqeshja e Mona Lizës personifikon dashurinë që jep por edhe që kërkon, plot shkëlqim dhe modesti, mbushur me krenari dhe lutje,me gëzim dhe dhimbje.Është një buzëqeshje që të bënë të ndjekësh flakën por edhe kuptimin,që transmeton besim dhe siguri.Ja pse buzëqeshja e Mona Lizës është magjike një amalgam i të gjitha ndjenjave që mund të dhuroj një buzëqeshje.
Në buzëqeshjen e Xhokondës së Facebookut do të gjejmë mungesën e besimit, intrigën e Hyremit,ftohtësinë e pamëshirshme të ledit Makbeth, hypokrizinë e Uriah Hipit, mashtrimin e Jagos dhe pabesinë e Judës.
Buzëqeshja ngërdheshje e Xhokondës së Facebook duket sikur thotë:
Pse doni të më detyroni të mendoj njerëzisht? Nuk e dini që e gjitha kjo nuk është njerëzore”?
Nëse Facebook-u ka patur për qëllim të transmetoi këtë mesazh në kufirin e ankesës pa kurrfarë pendese atëhere, Po, Xhokonda e Facebook-ut është vepër e arrirë, masterpiece e intrigës pabesisë,mashtrimit dhe hipokrizisë.