Ka nisur sot protesta e aktivistëve, arkeologëve dhe historianëve përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, që kundërshtojnë votimin e pritshëm në Kuvend, që Butrinti të kalojë nën administrimin e një fondacioni shqiptaro-amerikan.
Arkeologu Apollon Braçe tha se kjo është një skemë e pastër përfitimi, në favor të fondacionit, që sipas tij drejtohet nga një antishqiptar.
“Njëherë që e pyeta një deputete që sa i kushton shpirti i fëmijës së saj, më tha që nuk mund të matet, atëherë i thashë as Butrinti nuk mund të shitet. Butrinti sjell sot 2.1 milionë euro, dhe nga ana tjetër aty thuhet që do të hidhen 5 milionë euro, ku do të shkojnë këto, do të bëhen disko dhe restorante.
Ne nuk jemi kundër Amerikës. Amerika për mua është një frymë, nuk është ky personi që duan të sjellin këtu, nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër që të bëhet një ligj, me porosi nga një fondacion, dhe përfitimet ti marrë po ky fondacion. Ky është parlament njësuesish, që vetëm ngrejnë dorën.
Në krye të këtij fondacioni, vendoset një person, që konsideron Butrintin një qytet grek, një armik shqiptar. Ai që kontrollon të sotmen kontrollon të shkuarën, ai që kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen. Në shtëpinë tonë do të jemi mysafirë, këto 60 milionë euro do ti kalojnë fondacionit dhe jo shtetit shqiptar.
Nëse ngrihen dhe thonë diçka kundër, iu heqin bukën e fëmijëve, jemi pak a shumë si në fiset e afrikës”, u shpreh Apollon Baçe.
Eskpertë të fushës së arkeologjisë kanë protestuar në lidhje me atë që po ndodh me Butrintin, duke qenë kundë dhënies me koncesion të këtij sajti të njohur arkeologjik në vendin tonë.