Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero ka dhënë detaje për gjetjet e njësisë speciale antiinformalitet për problematikat në kontratat e punës, për dhënien e pagave jashtë sistemit bankar, deklarimin e pagës dhe dhënien e bonuseve.
“Ne kemi konstatuar gjatë kësaj periudhe në numrin e targetuar të tatimpaguesve me risk dhe më tej në kontrollet që kemi ndërmarrë se ka një mangësi në elementët e kontratave të punës, ku mungojnë specifikimet për elementë të pagës, ka elementë në disfavor të punëmarrësve dhe janë rreth 460 punonjës apo 51 % e punonjësve të cilët janë kontrolluar që prezantojnë të tilla problematika në kontratat e punës”, tha Vjero.
Zv.ministrja tha se janë evidentuar edhe problematika të cilat lidhen me mosdhënien e shtesave mbi pagë për punën e kryer përtej kohës normale.
“Janë 374 punëmarrës, apo 42 % e punëmarrësve të cilët janë të punësuar pranë subjekteve që janë kontrolluar dhe që prezantojnë të tilla problematika, apo mos dhënie të shtesave mbi pagë për punën e kryer me turne dhe këtu kemi evidentuar një numër të madh të punëmarrësve të cilët nuk i përfitojnë këto shtesa”, tha ajo.
Në shumë raste, Vjero tha se është evidentuar edhe fenomeni i dhënies së pagave jashtë sistemit bankar.
“Janë të shumtë punëmarrësit, janë të shumtë tatimpaguesit, ku ne kemi parë këtë fenomen, apo edhe raste të punonjësve të padeklaruar. Ka shumë raste ku në kantieret e punës apo qoftë edhe në kompani tregtimi apo në fushën e ndërtimit ku ky fenomen është më shumë i përhapur. Ne kemi vërejtur punonjës të cilët janë të paregjistruar dhe më tej janë drejtuar për t’u regjistruar pranë inspektorateve përkatëse”, u shpreh zv.ministrja.
Vjero theksoi se është ushtruar kontroll në disa sektorë të rëndësishëm, siç është ai i sigurimeve, i tregtisë, i ndërtimit dhe është vënë re pikërisht se në sektorin e sigurimeve ka devijime për deklarimin e pagës.
“Janë evidentuar 150 punëmarrës të cilët konsiderohen si agjentë sigurimi dhe përfitojnë nga bonuse të caktuara nga kompania, kur në fakt mendojmë se nuk kemi të bëjmë me bonuse por kemi të bëjmë me pagesa të cilat jepen më tej për të kompensuar pagën e deklaruar. Në këtë sektor mendojmë se më tej duhet të shtrijmë dhe kontrollet sektoriale të cilat do të shpjegohen edhe më tej nga ministrja. Mendojmë se në këtë sektor ka shumë për të korrektuar, një fenomen të tillë të cilin e kemi konstatuar në një kompani të madhe, por padyshim është i shtrirë edhe në kompani të ngjashme po të këtij sektori”, u shpreh Vjero.
Ajo bëri të ditur se kontrollet janë përqendruar edhe në kontrollin e individëve, të punësuar pranë tatimpaguesve me risk, ku nga intervistimet e para vërehet dukshëm edhe përmes deklarimit të tyre, se këta individë në fakt paguhen jashtë sistemit bankar dhe paga e tyre është tejet e ulët, jo vetëm për sektorin, por për të justifikuar në shumë raste edhe stilin e jetesës, mënyrën e jetesës së individëve.
“Si rezultat i punës së njësisë, e cila ka kryer kontrolle në një numër të kufizuar tatimpaguesish, edhe pse fenomenet janë të mëdha, ne kemi arritur që 52 % e pozicioneve të punës me pagë minimale janë ulur. Pra, ne kemi një numër të konsiderueshëm të pozicioneve të punës me pagë minimale, por tashmë shikojmë që kemi një rënie me 52 % për 10 mijë tatimpagues të konsideruar me risk, ndërkohë që jemi shumë të kënaqur që edhe pjesë tjetër, pra e gjithë numrit të tatimpaguesve të cilët janë informuar në mënyrë intensive nga ne është vënë re që është ulur me 23 % apo me rreth 60 mijë numri i pozicioneve të punës me pagë minimale”, deklaroi Vjero.
Gjithashtu, tha ajo, paga mesatare gjatë muajit mars ka pësuar një rritje.
“Është 10.517 për të gjithë tatimpaguesit e konsideruar me risk, ndërkohë që kemi një rritje të mirë dhe të pagesave të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si për tatimpaguesit e konsideruar me risk ku rritja është 5 %, ndërkohë dhe të gjithë tatimpaguesit e tjerë kanë reaguar pozitivisht me një rritje 7 % të pagesave të kontributeve. Është rritur numri i tatimpaguesve që deklarojnë rritje të pagës nga 33 % në 58 % për tatimpaguesit me risk, të cilët kanë qenë dhe objekt i kontrollit, ndërkohë që për të gjithë numrin e tatimpaguesve kemi një rritje pozitive sepse 26 % e tyre kanë reaguar duke rritur në mënyrë vullnetare pagat dhe këtë e dëshmoi edhe listë pagesa e muajit mars, sepse këto janë dhe bazat krahasimore që ne kemi marrë dhe kemi vlerësuar edhe rezultatet e njësisë. Është arritur dhe një reduktim i punonjësve me pagë minimale për periudhën janar-mars për subjektet e kontrolluara, nga 71.9 % në 48.3 %. Kjo është një shifër shumë domethënëse dhe bëhet fjalë për një numër të kufizuar tatimpaguesish ku njësia është përqendruar të kontrollet direkte të targetuara specifike. Imagjinoni se sa e madhe është mundësia për të gjithë tatimpaguesit për tu vetë korrektuar, por njëkohësisht dhe për administratën tatimore për të vijuar më tej gjithë këtë proces pune të ngritur në bazë të një vlerësimi shumë të qartë të riskut dhe të profileve të riskut të vlerësuara qartazi të cilat nuk na zhgënjyen sepse realisht treguan atë se çfarë dhe ne e kishim si perceptim por që u faktua në realitet, nëndeklarimi i pagave”, deklaroi Vjero.
Vjero theksoi se janë vendosur edhe një sërë masash administrative. Po ashtu, tha ajo, janë bërë shumë rivlerësime në shifra të kënaqshme nga puna e njësisë.
“Qëllimi i njësisë nuk është vetëm ashpërsimi i masave, por është vetëkorrigjimi dhe vetëdeklarimi i tatimpaguesve me risk dhe njëkohësisht gjithë numrit të tatimpaguesve”, deklaroi Vjero.