Kuvendi i Shqipërisë, me votat e socialistëve, rrëzoi sot një rezolutë të paraqitur nga një grup deputetësh, për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.
Vota kundra e socialistëve, që në fakt përbën një skandal dhe turp, u justifikua nga Taulant Balla dhe Edi Rama, me atë se rezoluta ishte firmosur nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA.
Dhe pyetja që lind pas këtyre justifikimeve është nëse socialistët do të votojnë pro rezolutës, sikur ajo të riparaqitet pa firmën e Berishës?
Sërisht deputetët e PS në rrjesht do e rrëzojnë atë, për faktin se thjeshtë se Edi Rama dhe Alekasandar Vuçiç, kanë një raport special në marrëdhëniet politike, aq sa mbajnë në këmbë edhe nismën e “Open Balkan”, edhe pse në Berlin iu tha hapur dhe prerë se ajo nuk kishte lidhje me procesin e Berlinit të inicuar nga Angela Merkel.
Rrëzimi i rezolutës është pasuar me një seri reagimesh nga përdoruesit e rrjetit social, çka duket se ka detyruar Kryeministrin që të reagojë po në rrjet, duke e konsideruar paraqitjen e rezolutës një lojë të pisët.
Në seancën plenare, ish-kryeministri Sali Berisha, fotografoi momentin e votimit, ku shfaqen ministrat socialistë dhe deputetët që grusht bashkuar ngrenë kartonin e kuq, që do të thotë votë kundër, miratimit të rezolutës së paraqitur. Dhe si për ti shkuar deri në fund qëndrimit të tyre, del Taulant Balla që thotë se më 11 korrik Kuvendi do të miratojë një rezolutë ku Shqipëria do të dënojë të gjitha gjenocidet. Me pak fjalë socialistët e Ramës nuk do të ndjeheshin komodë që në Kuvend të miratohej një rezolutë e veçantë ku të dënohej gjenocidi më i madh i kryer ndaj boshnjakëve nga Serbia, pas luftës së 2-të botërore.
Deklarata
Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët!
Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!
Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!
Masakra e Srebrenices
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe dhe paramilitarët vranë plot 8000 mijë burra dhe adoleshentë duke lënë të lirë gratë, pleqtë dhe të pamundurit.
Pikërisht kjo kleçkë i ka shërbyer si justifikim aksit Beograd- Moskë që të mos e pranojë termin genocid duke argumentuar se nuk kemi të bëjmë me shfarrosjen e një etnie, por me një krim lufte sepse janë ekzekutuar vetëm ata që mund të shërbenin si ushtarë.
Pikërisht ky debat është një vijë e qartë ndarëse mes komunitetit të boshnjakëve muslimane dhe serbëve në Bosnjë. Në korrik të vitit 2021, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, valentin Inzko, ndryshoi Kodin Penale duke futur si vepër të dënueshme mosnjohjen e genocidit.
Gjithashtu, në 2015, Rusia ka bllokuar me veto një rezolutë në Këshillin e Sigurimit në OKB, që njeh dhe dënon masakrën më të madhe në Europë pas luftës së dytë botërore duke e cilësuar atë si genocid.
Por ndërkohë Gjykata Penale për Krimet në Ish Jugosllavi në Hagë e ka njohur në dënimet që ka dhënë për Radovan karaxhiçin dhe Radko Mladiçin “genocidin e Sebrenicës”. Po ashtu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organ i OKB-së e ka cilësuar masakrën e korrikut 1995 si “akte genocidi”.