Jasir Asani po kalon një formë të shkëlqyer në Hungari. Ish-futbollisti i Partizanit, ishte heroi i skuadrës së Kisvarda, në triumfin 2-1 ndaj Ujpest, duke i siguruar pjesëmarrjen në Europë skuadrës së tij.
26-vjeçari, asistoi dhe shënoi në triumfin e ditës së sotme, duke rrëmbyer skenën në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Në minutën e 4-t, Asani dha një pasim të bukur për shokun e skuadrës Bumba, që tundi rrjetën duke zhbllokuar sfidën, teksa në minutën e 30-të, futbollisti shqiptar, shënoi duke dyfishuar shifrat. Miqtë provuan të rihapnin sfidën me Diabi në të 44-tën, por vetëm kaq, pasi në fund, ishte Kisvarda, që festoi, këtë sigurim edhe matematikisht të pjesëmarrjes në Europë.
Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga fundi i kampionatit, skuadra ku aktivizohen 3 futbollistët shqiptarë, Prenga, Asani dhe Camaj, renditet në vendin e dytë me 53 pikë. Vetëm kampionët e Ferencvarosh kanë arritur të bëjnë më mirë këtë sezon se Kisvarda.