Nga Arber Zaimi
Kur aktorë të rëndësishëm të fuqive të mëdha e shpallin Putinin “të çmendur”, ata duan të nënkuptohet se nuk e shohin si fajtor Rusinë, por vetëm udhëheqësin e saj. Mbase edhe të ftojnë qarqet e brendshme që ta izolojnë e ta largojnë atë nga pushteti, për të ardhur më shpejt te paqja.
Lufta në Ukrainë shënon një periudhë të re gjeopolitike. Teksa rënia e Murit të Berlinit në 1989 shënonte mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe për disa komentatorë liberalë “fundin e historisë”, Lufta në Ukrainë shënon rifillimin e historisë aty ku ajo u ndërpre. Pra, përfundimin e “paqes neoliberale”.
Pati komentatorë, ndër ta edhe shqiptarë, të cilët të frymëzuar nga ekonomicizmi banal neoliberal shkruanin se lufta në Ukrainë nuk do të ndodhte, madje shumë pak ditë përpara se ajo të fillonte, më 24 shkurt. Argumentimi ishte veç një përsëritje e përqeshjes clintoniane “it’s the economy, stupid!”. Lufta është e shtrenjtë, thoshin ata, dhe një ekonomi si ajo e Rusisë nuk e përballon dot. Pastaj, kur ndodhi, komentatorët u vetëjustifikuan duke thënë se Rusia kishte ndërmarrë një veprim joracional dhe të tillët janë të paparashikueshëm, siç janë veprimet e një të çmenduri. Kështu, Putinin e shpallën “të çmendur”.
Si zakonisht, me fillimin e agresionit të tmerrshëm e të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, pati edhe liberal-romantikë, që filluan të shprehnin habinë se pse një shteti me territorin më të madh në botë po iu dashkan edhe ca toka të tjera diku në periferi të vet. Ç’i hyn në punë Donietsku dhe Luhansku Rusisë, që shtrihet në dy kontinente? Ç’i duhet Krimeja? Edhe të tillët nuk mungojnë kurrë, janë të njëjtët që thonë “ç’u duhet shqiptarëve bashkimi?” apo “ç’i duhet Kosovës veriu?” apo “çfarë humbim po t’ia japim një fqinji aq e kaq kilometra?”. Edhe këta frymëzohen nga një farë ekonomicizmi liberal, sipas të cilit vyen mirëqenia e individit dhe jo territori. Mirëqenia, sipas liberal-romantikëve, është ruajtja e jetës, lirisë dhe e pronës – në këtë renditje. Aty ku pamundësohen këto të drejta, nuk ke pse rri më, çohu e ik tjetërkund. Puna është se ikja e pandalshme, refugjatizimi i njerëzimit, nuk të çon askund. Dikur duhet të kthehesh e ta mbrosh shtëpinë e atdheun tënd, pasi të vendosësh se ku i ke ato.
Këto qasje duken qesharake, sepse jo vetëm që nuk e dinë, por as nuk e kuptojnë historinë e njerëzimit dhe subjektin politik ose vullnetin si lëvizës të saj. Për ta perifrazuar një frazë të thënë nga shumëkush: nëse njeriu vendos të jetë indiferent ndaj historisë, nuk pushon së ekzistuari historia, por njeriu.
Që nga traktati i famshëm i Tuqididit, “Lufta e Peloponezit”, e dimë se ekonomia nuk është gjë tjetër, veçse administrim i mjeteve dhe të mirave që garanton një subjekt plural politik, pra nga klasicizmi antik e deri sot, një shtet. Nuk mund të ketë ekonomi asketi në shkretëtirë ose ndonjë Robinson Kruzo. Subjektet hyjnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, të cilat janë të garës dhe të prestigjit. I dyti synon të bëhet i pari, i pari synon ta shmangë këtë me çdo kusht, e kështu me radhë – dhe këto janë të pashmangshme. Një subjekt që dorëhiqet nga kjo garë, nuk i jep fund garës. Do të ketë sërish të parë, të dytë e të tretë që do të garojnë, në kohë paqe me diplomaci e tregti, në kohë lufte, me mjete të tjera. Ne e dimë nga Tuqididi se po të kishin dëgjuar arsyet ekonomiciste, as Perandoria Athinase nuk do të vendoste shtrëngime të mëdha ndaj Megarës së vogël, po as aleanca spartane nuk do të shkonte deri në luftë për ta mbrojtur Megarën. Çështja është se cilado që të tërhiqej, do të humbte prestigjin ose besueshmërinë në raport me palë të tjera. Dhe, nuk mund të pretendosh për kurrfarë hegjemonie, nëse nuk të ecën para fjala ty, por rivalit tënd. Te Tuqididi, që mbahet si at i historiografisë kritike (racionale, përkundër asaj mitizuese të Herodotit), gjejmë disa pjesë që e trajtojnë logjikën e luftës nga perspektiva e prestigjit ndërkombëtar të subjekteve. Kështu, për shembull, kur Athina me aleatët e saj rrethuan ishullin e vogël Melos, që i përkiste etnisë doriane (si Sparta), por ishte në territor athinas, ata u takuan me përfaqësuesit e ishullit dhe Tuqididi na i përcjell “dialogjet meliane”. Rrethuesit kërkuan që të dorëzohet ishulli me garancinë që nuk do të prekej askush. Melianët thanë se po të dorëzoheshin ashtu, atëherë askush nuk do të kishte më respekt për ta dhe do të reduktoheshin në gjendje skllavërie (e cila në atë kohë nuk ishte thjesht metaforë, por realitet shoqëror i përfytyrueshëm lehtë). Kështu u shkua në luftë.
Komentatorët liberalë nuk janë në gjendje të parashikojnë as krizat e as luftërat. Në disa raste ata janë thjesht priftërinj të një feje që zgjati 40 vite e që ka shërbyer gjatë një kohe për të çuar përpara projektin perandorak amerikan, i cili tashmë ka ndryshuar rrënjësisht për shkak të problemeve të brendshme e të jashtme. Në raste të tjera, janë teknokratë të zhytur në pedantësinë e një disipline të caktuar, gjë që i ka bërë të verbër ndaj asaj që shihet prej disiplinave të tjera, e sidomos ndaj panoramës shumëngjyrëshe që do të mund të shihej prej kujt ka mundësinë ta ndërlidhë sa më shumë prej disiplinave njohëse. Fatkeqësisht, shkollimi i sotëm, rezultat i dekadave të neoliberalizmit, më shumë nxit njëdimensionalitetin e formimit sesa shumëfaqësinë, teksa historia, sociologjia, filozofia e të tjera lëndë letrare e humane janë degdisur në qoshet e pluhurosura e të pafinancuara të akademisë, sepse nuk i duhen teknokratit të ri. Por, e thamë më lart, ç’i ndodh njeriut indiferent ndaj historisë…
Projekti perandorak amerikan po ndryshon dhe dy janë datat thelbësore që shënojnë jo nisjen, por pakthyeshmërinë e këtij ndryshimi. E para është 6 janari 2021 – dhe sulmi në Shtëpinë e Bardhë. Polarizimi i paprecedentë në Amerikë tregon se atje po perceptohen si të papërputhshme shteti dhe perandoria. Ata që thonë “së pari shteti” janë për një “downgrade” të perandorisë, ndërsa ata që synojnë mbajtjen e perandorisë tashmë duhet ta kenë kuptuar se teksa historia njeh shtete pa perandori, ajo nuk njeh perandori pa shtet. Pretendimi liberal për një perandori pa shtet (apo me shtet sa më të dobët) ka marrë fund). E dyta është 24 shkurti 2022 – dhe sulmi rus në Ukrainë, i cili do të prodhojë ose tashmë ka prodhuar përfundimisht një Europë amerikane dhe një Rusi kineze. Me këto dy data merr fund Amerika neoliberale reaganiane dhe fillon një tjetër fazë, e cila ekonomikisht duket se do të jetë shumë më keynesiane, ndërsa gjeopolitikisht më klasike.
Shumëkush tash është duke u marrë me skenarë të mundshëm, se ç’do të ndodhë pas luftës e si do të ripozicionohen ata (shtetet e tyre, apo kompani e tregje) në realitetin e ri ideopolitik dhe territorial.
Modestisht, pa pretenduar asgjë më shumë se sa të nxis mendimin e thellimin e lexuesve të respektuar, po i shtroj në këtë drejtim disa teza, pa u zgjatur shumë në to:
Rusia
1. Kur aktorë të rëndësishëm të fuqive të mëdha e shpallin Putinin “të çmendur”, ata duan të nënkuptohet se nuk shohin si fajtor Rusinë, por vetëm udhëheqësin e saj. Mbase edhe të ftojnë qarqet e brendshme që ta izolojnë e ta largojnë atë nga pushteti, për të ardhur më shpejt te paqja. Njihen këto taktika në politikën ndërkombëtare: paqja e gjatë e shek. XIX në Europë erdhi pas Kongresit të Vjenës, ku fituesit shpallën se “pati humbur Napoleoni e jo Franca”. Në fund të muajit mars edhe presidenti amerikan, Biden, tha se “ky njeri nuk mund të vazhdojë të jetë më në pushtet”. Një skenar i tillë do të shmangte nevojën për të mposhtur ushtarakisht Rusinë, po ashtu do të shmangte rrezikun e përdorimit bërthamor. Rusia nuk do të ballafaqohej me masa të rënda ekonomike e institucionale ndërkombëtare, nuk do të kishte “Nyrenberg” për të. Përkohësisht, disa nga aleatët e vet të vegjël, si Serbia ose Bjellorusia, do të afroheshin me Perëndimin (mbase do të merrnim shpërblim për këtë gjë), ndërsa vendet e Azisë Qendrore do të afroheshin disa me boshtin turko-azer, e disa me Kinën.
Nëse, përndryshe, këmbëngulet se fajtor nuk është thjesht Putini, por Rusia si e tillë, atëherë thuhet se një shtet kaq i madh e ka të pamundur të mos ketë ambicie për të konkurruar për hegjemoni në rang botëror. Pra, në këtë variant, mbizotëron mendimi se edhe po të rrëzohet Putini e të vijë në pushtet kryeopozitari i tij, Navalni, prapë Rusia do të sillet njësoj, sepse përmasat e saj ia diktojnë interesat. Nëse mbizotëron kjo bindje dhe ky skenar, atëherë nënkuptohet mposhtja e Rusisë që ka për synim ndarjen dhe zvogëlimin e saj. Nëse kjo ndodh përmes suksesit të luftës ukrainase, përpjekjeve për liri të popujve e etnive të shumta brenda Rusisë, të ndihmuara nga sanksionet ekonomike perëndimore, atëherë gjasat për përdorim të armës bërthamore janë të vogla, por gjasat për shpërhapjen e konfliktit në vatra të tjera janë të mëdha (zona delikate ku mund të mësyjë Rusia janë vendet baltike dhe Ballkani). Ndërkaq, nëse synohet që mposhtja e Rusisë në territorin e saj të ndodhë me angazhim ushtarak të NATO-s, atëherë gjasat për të mos pasur konflikt bërthamor janë të vogla.
Nëse pranohet një farë ngecje në Ukrainë dhe fillon një fazë e luftës jointensive në zonat lindore mes forcave ukrainase që synojnë çlirimin dhe pushtimit rus, atëherë sërish rreziku për shpërhapje të konfliktit në vatra të reja është i madh. Sanksionet ekonomike prodhojnë tension të madh dhe padurim në Rusi, por edhe në disa vende europiane, ndërsa ky padurim mund të çojë në incidente e destabilizim në rajone si Ballkani, Baltiku, Lindja e Mesme (Siria e Libia kanë tashmë prezencë ushtarake ruse), por edhe Japonia. Këto incidente mund të ishin edhe një taktikë për ta lodhur më shpejt Rusinë, por gjithsesi do të kishin kosto të mëdha financiare e njerëzore për vendet që do të përfshiheshin në to. Shtetet pro-ruse, si Bjellorusia pranë Baltikut, Serbia në Ballkan, Siria e disa vende të Kaukazit e të Azisë Qendrore, do të duhej të shiheshin me kujdes të shtuar dhe të kufizohej me sa është e mundur armatimi i tyre.
Kina
Cilido që të jetë prej këtyre tre skenarëve ose edhe ndonjë tjetër, që nuk kemi pasur fuqi ta imagjinojmë, është e sigurt se Rusia tashmë nuk ka shpresë tjetër, veç Kinës. As ekonomike, as ushtarake e politike. Por, Kina nuk është aq e lumtur për këtë afrim. Ekonomia kineze bazohet në shitjen masive të prodhimeve në vendet e pasura europiane, SHBA, Australi e Kanada. A dëshiron Kina ta zëvendësojë tregun e saj që i ka sjellë aq rritje ekonomike dhe punësim, me përqafimin e një aleati që nuk ka se ku të shkojë, siç është Rusia? Mbetet për t’u parë. Ajo që e kemi parë deri më tash është se në Pekin ka diskutime goxha kritike ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë. Nuk është aspak e çuditshme nëse Kina e interpreton betejën kundër Rusisë në Ukrainë si një përpjekje të SHBA-së për ta disiplinuar “samarin” meqë nuk dëshiron të merret drejtpërdrejt me “gomarin”, pra numri 1 rreh numrin 3 që të marrë vesh numri 2. Dhe, Kina, si fuqia numër 2 në botë, nuk është e thënë të reagojë me nervozizëm. Interesi kryesor i Kinës është që të ndërtojë tre “rrugët e mëndafshit” që e lidhin me Europën, atë arktike, atë kontinentale dhe atë detare. Të trija ato janë thuajse indiferente ndaj Rusisë. Por, sa e ka luksin Amerika e Rusia të jenë indiferentë ndaj zhvillimit (infra) strukturor Pekin – Berlin?
Europa
Ka marrë fund pasiviteti ushtarak gjerman, bashkë me politikën “tërhiq po kurrë mos e këput” të Merkelit. Gjermania ka vendosur ta rrisë buxhetin për ushtri në nivelin 2% të GDP, lëvizje që e çon Gjermaninë menjëherë në vend të tretë globalisht, sa i përket buxhetit ushtarak (pas SHBA dhe Kinës). Gjermania, në historinë postmesjetare, njihet si një vend që ka humbur shpesh luftëra (ajo dhe shtetet paraardhëse të saj). Historianët thonë se nuk u ka munguar trimëria e as pasuria ose armët, por, historikisht, u ka munguar strategjia. Strategji do të thotë ta zgjedhësh armikun e duhur. Kur zgjedh armikun e gabuar ose kur dikush tjetër ta dikton armikun, gjithmonë humb. Deri më tash Gjermania po heziton t’i ndërpresë ca nga lidhjet tregtare e infrastrukturore me Moskën, duke mos e sanksionuar blerjen e gazit e të naftës ruse, prej të cilave ka një varësi të rëndë aktualisht, siç kanë edhe disa vende të tjera europiane. Edhe vetë Ukraina po i bën presion të shtuar Gjermanisë. Kuptohet, mesazhet e tilla nuk janë vetëm të Zelenskit. Ato mbështeten edhe nga SHBA-ja.
Tre detet, Baltiku, Adriatiku dhe Deti i Zi, marrin rëndësi të veçantë strategjike në kontinentin tonë. Në rast zgjerimi të konfliktit, atëherë këtu do të jetë një teatër unik ushtarak. NATO dhe SHBA po e rrisin prezencën me armatim dhe trupa në këtë hapësirë. Bjellorusia e Serbia shihen si probleme, por me të parën nuk presin sukses diplomatik për shkak të prezencës ushtarake ruse në territorin e saj. Ndërkaq, me Serbinë ende ka përpjekje për ta bindur, pavarësisht se Serbia nuk pranoi t’u bashkëngjitet sanksioneve ndaj Rusisë, teksa po armatoset me armatim të avancuar rus e kinez. Sigurisht ky nuk është sukses për diplomatin e kalibrit të lartë amerikan, Chris Hill, por a do t’i “falet” Serbisë mossuksesi i diplomatit të shquar Hill? Shqetësim të madh përbën se në fund të muajit mars, kur në Sofje u mblodhën kryeministrat e vendeve të NATO-s nga Europa Juglindore, aty mungoi Shqipëria. A është duke u ndëshkuar Shqipëria për këmbënguljen e Edi Ramës në marrëdhënie të mirë me Aleksandar Vuçiqin, teksa Perëndimi po synon t’ia rrisë atij presionin? Kjo mbetet për t’u parë. Çfarë tashmë po shihet është se poli i rëndesës për rajonin nëse dikur projektohej të ishte Beogradi, tash po projektohet të jetë Sofja. Do të kishte mundur të ishte Tirana, por klasës politike atje i mungon edhe ambicia edhe mendimi strategjik gjeopolitik.
Në Europë gjithmonë e më shumë po diskutohet për “demokraci iliberale”. Zgjedhjet e mbrame në Francë, ku Marine Le Pen e ekstremit të djathtë mori 40%, tregojnë se demokracia liberale nuk është më edhe aq tërheqëse. Nervozizmi i publikut francez do të rritet, duke parë se Franca nuk është më as fuqia kryesore ushtarake në Europë pas rritjes së buxhetit ushtarak gjerman. A do të mund të ndjekë Macron-i politika të ndryshme nga neoliberalizmi i viteve të fundit apo do ta çojë Francën dhuratë në duart e Marinës apo të ndonjë mbese të saj? Mbështetësit e “demokracive iliberale” janë rritur edhe në vende të tjera. Ata dolën të dytët (dhe humbën qeverinë) në Slloveni, janë në rritje në Gjermani (sidomos në krahinat e ish RDGJ-së), janë rritur në Itali dhe kanë fituar sërish në Hungari. Viktor Orbani sapo i fitoi zgjedhjet në fillim të prillit, siç pritej, deklaroi se ishte mbështetës i Putinit e se Ukraina ishte fajtore për pushtimin e saj. Çfarë janë këto “demokracitë iliberale”? Janë një koncept që përshkruan sistemin ku ka zgjedhje të lira, por jo të drejta. Pra, ka pluralizëm me shumë parti dhe me konkurrencë, por përmes kapjes së shtetit dhe korrupsionit pamundësohet ndryshimi i regjimit me zgjedhje. Termi, megjithatë, është mashtrues. Duket sikur është sakrifikuar liberalizmi dhe është ruajtur demokracia. Në fakt është sakrifikuar demokracia dhe është ruajtur liberalizmi, sepse në ato vende tregtia e kapitalizmi vazhdojnë, por drejtësi e shpresë për ndryshim nuk ka. Qeveria e re amerikane e ka evidentuar qartë rrezikun gjeostrategjik që paraqesin “demokracitë iliberale” dhe vetë korrupsioni në përmasa shtetërore. Ato janë hapësira ku Rusia mund të infiltrohet lehtë. Këtë e shohim edhe te shqiptarët, ku nuk ka arsye kulturore-etnike për parti proruse, por ka forca të përfshira në korrupsion masiv, të cilat kërkojnë strehë dhe mbrojtje edhe në Beograd, në mos direkt në Moskë.
Amerika
Polarizimi i madh i shoqërisë amerikane që çoi deri në sulmin e Shtëpisë së Bardhë në 6 janar 2021 ka të bëjë ndër të tjera edhe me bindjen se vëmendja (ekonomike) e pushtetit duhet të kthehet te shteti, e të mos shpenzohet nëpër botë. Amerika nuk mund të vazhdojë gjatë të jetë hegjemon nëse nuk i kushton rëndësi kësaj pakënaqësie. Ajo i ka dy rrënjë, njërën aktuale e tjetrën historike. Rrënja aktuale e problemit është pabarazia e madhe që e ka prodhuar neoliberalizmi, shoqëruar edhe nga ikja e punëve prodhuese drejt vendeve ku punëtorët paguhen më pak, sidomos në Kinë. Ndërkaq rrënja historike e problemit ka të bëjë me themelet individualiste të vetë SHBA-së, që vijnë ca nga trashëgimia religjioze e shekullit XVII, kur sekte të rebeluarish shkuan në kontinentin e ri për të themeluar teokracitë dhe kishat e tyre, ca nga botëkuptimi i vetë themeluesve revolucionarë të SHBA-së, e ca nga tradita e famshme “anglosaksone”. Shteti është prej përkufizimit kolektiv dhe perandoria është e pamundur pa shtet. Por, tradita e milicive vullnetare, e të drejtës së armatimit të gjithsecilit, e vënies në pikëpyetje të autoritetit të shtetit përballë individit skajshmërisht lokalist e individualist, tregon se ekziston një barrierë e fortë për ta ndërtuar kohezionin e nevojshëm brenda një shteti që ka synime aq të rëndësishme globale. E, pra, ky kohezion nuk mbahet dot me dhunë. E që të mos kemi një prapakthim trumpist, do të jetë e nevojshme që Amerika të punojë edhe për zvogëlimin e pabarazisë dhe rikthimin e punëve, por edhe për zhbërjen e individualizmit kryengritës e anarko-kapitalist, që i karakterizon disa pjesë të shoqërive të atjeshme.
Shkruam më lart se teksa do të kemi një Rusi gjithnjë e më kineze, do të kemi edhe një Europë gjithnjë e më amerikane. Por, nëse Amerika merr përsipër ta forcojë kohezionin e vet të brendshëm shoqëror, me politika të ngjashme si ato që ka bërë, fjala vjen, F.D. Roosevelt, atëherë pashmangshëm do të kemi edhe një Amerikë më europiane. Me shëndetësi, punësim e mbrojtje sociale shumë më të fortë. Nëse këto i shtohen fuqisë ushtarake e burimeve njerëzore dhe ekonomike që ai vend i ka, atëherë po, Amerika do të jetë edhe për një kohë të gjatë hegjemon global. Por, kjo do të thotë edhe integrim gjithnjë e më të madh me Bashkimin Europian, duke u bërë kështu një lloj shteti që shtrihet në dy anë të një oqeani. Praktikisht, duke bërë me Atlantikun atë që dikur Roma e bëri me Mesdheun.
Historikisht, çdo hegjemon ka bërë gabim kur nuk ka arritur t’i përcaktojë kufijtë e vet aty ku duhet. Mospërcaktimi i kufijve dhe synimi për t’i shtrirë ato pafundësisht sjell si pasojë paqëndrueshmëri, kosto të mëdha dhe kriza vlerore. Të gjitha perandoritë që kanë synuar (dhe kanë arritur) zgjerim të shpejtë, nuk e kanë pasur të gjatë. Amerika dhe Perëndimi kanë përjetuar një mbrothësi pas Luftës së Dytë Botërore, edhe për shkak se për një kohë të gjatë i kanë ditur saktësisht kufijtë e tyre. Koha dikton domosdoshmërinë e ripërcaktimit të kufijve. Do të jenë kufij të tjerë, kuptohet. Por, duhet të jenë me një farë afatgjatësie, nëse synimi është fuqizimi.