Ish-deputeti i PD-së Aldo Bumçi u shpreh për Euronews Albania se në Kuvendin Kombëtar të datës 30 prill do të ketë ndryshime në statutin e partisë.
“Ne do të bëjmë ndryshime në statut ku deputetët janë automatikisht janë pjesë e Këshillit Kombëtar. Nuk ka njeri sot që vë në dyshim se ku është shumica”, u shpreh Bumçi.
Ai nënvizoi se dera është e hapur për bashkëpunim edhe me pjesën tjetër të PD-së.
“PD është në një proces ringritje te fuqishme. Në procesin e zgjedhjes së kandidatëve të degëve kanë marrë pjesë 40 mijë anëtarë. Në aspektin organizativ dhe politik-bërjes, kjo parti do të shkojë drejt plotësimit të gjithë strukturave dhe do të kemi një ofertë të plotë, një parti që e ka energjinë. Do kemi një aksion të fuqishëm opozitar”, u shpreh ai.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit shtoi se do të ketë një opozitë me ofertë konkrete, bindëse për problemet e rënda që ka ekonomia shqiptare.
“Kjo është një parti sot e gjallë, ne kemi anëtarësinë reale. Kjo sot është një parti shumë herë më e bashkuar sesa para 6 marsit”, vijoi.
Gara për kryetar
Bumçi thotë se mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të partisë më 22 maj është e vonuar.
Bumçi u shpreh se gara në Partinë Demokratike ka filluar që në muajin shtator, kur ish-kryeministri Sali Berisha krijoi një lëvizje brenda partisë.
“Është pak vonë. Gara për kryetar nuk është kjo tre javore. Çfarë ka ndodhur këto muaj në Shqipëri? A u çua Berisha me një lëvizje brenda Partisë Demorkatike? A u testuan figurat e PD-së, Berisha dhe Basha nga shattori deri më sot”, tha Bumçi.
Sipas tij, Berisha dhe Basha u testuan në 11 e 18 dhjetor, duke vijuar më pas me zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
“Gara është 8 mujore. 11 dhjetori ishte një test ku shumica e partisë erdhi në kuvend. Në 18 dhjetor pati një referendum ku masivisht Partia Demorkatike mbështeti Berishën. Më 6 mars kandidatët e Berishës morën 60 mijë vota, ata të Bashës morën 26 mijë vota. Nuk mund të thotë njeri që është një garë 3 javore. Një kandidat tjetër që kërkon të drejtojtë partinë do jetë një figurë e njohur dhe e konsoliduar. Çdo njeri që e kishte ambicie dhe dëshirë për të kandiduar, ka pasur mundësi këto muaj për ta promovuar veten”, deklaroi ai.
Bumçi nënvizoi se cilido që ka pasur ambicie, e kishte mundësinë që në këto muaj të promovohej në garën për kryetar të partisë.