Vila luksoze ku aktorit Johnny Depp iu pre gishti pas një sherri me ish-bashkëshorten e tij Amber Heard, ka dalë në shitje.
Prona në Australi, që ka 10 dhoma gjumi dhe 10 tualete, mendohet se do të blihet për jo më pak se 40 milionë dollarë.
Në vitin 2015, Heard i hodhi disa shishe vodka 58-vjeçarit, dhe njëra prej tyre i preu gishtin.
Në seancën gjyqësore, aktori e shpjegoi kështu atë episod: “Ishim në një shtëpi të madhe në Australi dhe unë jam kyçur në 9 dhoma gjatë asaj dite, sepse sherri vazhdoi gjatë gjithë ditës. Ajo i binte dyerve me grusht, donte konfrontim fizik. Një moment, kur ishte larguar nga dera, unë dola dhe shkova te bari. Mora një shishe vodka dhe piva disa gota, hera e parë që pija alkool pas shumë vitesh. Kur më pa, nisi të më bërtiste pse nisa të pija prapë. Kapi shishen e vodkës dhe ma hodhi. Më kaloi shumë pranë kokës. Unë qëndrova i qetë dhe mbusha një gotë tjetër nga një shishe tjetër. E mori edhe atë shishe dhe ma hodhi mua. Unë u struka pas barit, por shishja më kapi në dorë. Në fillim nuk ndjeva fare dhembje, por si nxehtësi. Kur pashë dorën, maja e gishtit më kishte ikur dhe unë shikoja vetëm kockën. Aty e humba fare dhe mbaj mend që shkruaja me gjakun e gishtit nëpër mure të gjitha gënjeshtrat që ajo më kishte thënë”.