Sipas Raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, në vitin 2021 ka një rritje të numrit të procedimeve të regjistruara për grup veprat penale “Zhvillimi i palejuar i lojërave të fatit”, në krahasim me vitin 2020 me 69,5%.
Nga të dhënat statistikore vihet re tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal “Organizimi i lotarive të palejuara”, në vitin 2021, me 66,34 % në krahasim me vitin 2020.
Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këtë grup veprash në vitin 2021 është 7,66, ndërsa në vitin 2020 ka qenë 4,50.
M. S është një 28-vjeçar të cilin as ligji për mbylljen e lojërave të fatit, në vitin 2019 nuk e ndaloi të vazhdojë biznesin e tij. Ai thjesht gjeti mënyrën për t’u fshehur nga sytë e ligjvënësve.
“Është shumë e thjeshtë, me një faqe lojërash fati që më kushtoi 500 Euro, vazhdova të bëja atë që bëja më parë”, thotë M.S i cili shpjegon se as njerëzit që luajnë nuk u pakësuan pas ligjit.
“Lojtarët më japin mua (adminit të faqes) paratë ose Eurot dhe unë ua konvertoj në kredite. Ata futen në faqe me anë të një llogarie të tyren dhe luajnë ndeshjet që duan. Ku u mbarojnë kreditet, kjo gjë përsëritet”, thotë M.S për Gazetasi.al.
Ai tregon se paratë që hidhen janë miliona, duke qenë se lojtarët në përgjithësi e kanë të vështirë të llogarisin shpenzimin, pasi nuk janë para që dalin direkt nga xhepi.
“Më parë ishin më të kujdesshëm sepse ishin para që i jepnin direkt aty për të mbyllur një skedinë. Tani më marrin në telefon dhe më thonë të hedh një sasi të caktuar parash që do mi japin më vonë”, thotë ai i cili tregon se klientë të shumtë kanë shkuar edhe në 2 milion para borxh që janë “detyruar” të, paguajnë ato njëherë që më pas të vazhdojnë të luajnë përsëri.
Si ky 28-vjeçar ka shumë të tjerë të cilët vazhdojnë të përdorin metoda të ndryshme për lojërat e fatit.
D.P është një tjetër i ri, 34 vjeç që puna e vetme që ka bërë në jetën e tij është lojërat e fatit. Ai tregon për Gazetasi.al se tashmë di çdo gjë që ka të bëjë me lojërat e fatit. Nga ato është larguar vetëm një periudhë kohe në fillim të janarit të vitit 2019, kur hyri në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit. Atë periudhë ai e shfrytëzoi për të gjetur një vend të fshehtë, larg nga syri i policisë dhe njerëzve që mund ta raportonin, por sigurisht që klientët e tij do dëgjonin shpejt për “vendin e ri të lotove”.
“Në një ndërtesë në lagjen time kam supermarket dhe lokal. Pas tyre kam hapur një derë të vogël që nuk vihet re nga askush. Janë vetëm pak metra vend por që mjaftojnë për të punuar në të njëjtin ritëm si më parë”, thotë D.P.
Të dy të rinjtë shprehen se nga të gjithë pronarët e lojërave të fatit që njihnin më parë, një numër shumë i vogël e kanë lënë si biznes, të tjerët e kanë kthyer online ose në një ambient të fshehur.
“Ka pafund”, thonë të dy kur i pyet se sa lojëra fati ka në vendin tonë. Kanë po të njëjtën përgjigje të dy ku i pyet se pse vazhdojnë të rrezikojnë.
“Do e bëj derisa të më kapë policia. Nuk dua të heq dorë por dhe sikur të doja, nuk bësoj se do të mundesha”.
Sa e vështirë është t’i largosh Shqiptarët nga varësia e lojërave të fatit?
“Për një pjesë të qytetarëve, lojërat e fatit janë me pasoja shkatërruese në aspektin psikologjik, material, familjar dhe profesional”, thotë Entela Binjaku, sociologe.
Binjaku thotë se arsyet apo rrethanat që mund t’i kenë nxitur fillimisht drejt lojërave të fatit mund të kenë qenë nga më të shumëllojshmet si boshllëku emocional, nevoja për të jetuar ndjesi që t´i jep një realitet paralel, kënaqësia që merr nga loja, dëshira, nevoja dhe pasioni për të fituar, besimi i tepruar tek kontrolli mbi emocionet që japin këto lojëra etj,.
Ajo shton se një arsye pse është e vështirë të heqin dorë nga lojërat e fatit, janë edhe mjediset ku mund të luhet pasi janë të kudogjendur.
“Edhe nëse janë të ndaluara si mjedise fizike, janë platformat online që nuk ‘I lënë të heqin dorë’”.
Binjaku thotë se duke lënë mënjanë ligjet, shteti duhet të tregojë më shumë vëmendje dhe mbi të gjitha të ketë në qendër të shqetësimeve të tij, qytetarin, duke ja respektuar pasionet dhe të drejtat, por duke i siguruar edhe kujdesin ndaj dukurive që mund të parandalohen.
Binjaku thotë se duhen qendrat sociale, të specializuara në ndihmë të komunitetit me punonjës socialë, psikologë, nën orientimin e sociologëve në gjithë vendin, që të funksionojnë mbi baza ligjore e që jo vetëm do të ndihmonin në betejën me varësinë, por edhe në parandalimin e ngjarjeve të padëshiruara të shkaktuara nga persona që vuajnë një varësi të tillë.
Procedimet e personave që ushtrojnë një aktivitet të tillë nuk janë zgjidhja e problemit.
Këtë e tregon edhe Henri Telharaj, drejtues i Organizatës ‘Këshilli Shqiptar për problemet e lojërave të fatit.
“Procedimet penale kanë si qëllim ndëshkimin e atyre që thyejnë ligjin, por nuk mund të themi që do të largojnë nga tregu lojërat e fatit për shkak se është thuajse e pamundur”.
Telharaj thotë për Gazetasi.al se mosha mesatare dhe me përqindjen më të madhe të përdorimit të lojërave ilegale është mosha e mesme e cila varion nga 25-40 vjec.
Ai shton se ligji i lojërave të fatit mbylli pjesën më të madhe të industrisë, kryesisht industrinë e basteve sportive. Por handikapi i kësaj nisme është fakti se nuk u luftua varësia e lojërave te fatit.
“U luftua industria por jo varësia dhe kjo ishte thelbesore në mosefikasitetin e ligjit”.
Lojërat e fatit zhvillohen në ilegalitet dhe fshehtësi, ndërkohë varësia ende vijon të shkatërrojë jetë. /GazetaSi/