Këngëtarja Rosela Gjylbegu, në një intervistë për “Telegrafi”, ka shprehur pakënaqësinë e saj në lidhje me muzikën e ditëve të sotme. Sipas Roselës, muzika sa vjen dhe po përkeqësohet, duke përcjellë dhunë apo agresivitet.
“Fatkeqësisht sapo vjen e përkeqësohet, nuk ka treg muzikor, nuk ka një kritikë, dhe një organ që kontrollon pak dhe cilësinë muzikore apo të teksteve, që kështu të mund të kemi materiale me vlerë, jo të përçojmë dhunë, agresivitet.. Siç po ndodh me atë çka shohim e dëgjojmë se fundmi”, tha ajo.
E pyetur nëse ka hequr dorë nga muzika, këngëtarja ka thënë se është bërë më selektive në daljet e saj, por nuk i pëlqen aspak sa e thjeshtë është bërë në ditët e sotme të bësh muzikë e të bëhesh i njohur.
“Unë jam tërhequr pak ose kam qenë më selektive në daljet e fundit për zgjedhje personale, dhe për shumë faktorë që nuk më pëlqejnë se si po bëhet sot muzika, dhe se sa e thjeshtë është bërë sot për t’u bërë i njohur, ndërkohë që në kohën kur un kam filluar ka qenë krejtësisht ndryshe e po nuk kishe talent nuk të jepte askush mundësi”, ka treguar Rosela.
Rosela ka marrë pjesë shpesh në Festivalin e RTSH, mirëpo e pyetur nëse do të marrë pjesë sërish, ajo është shprehur: “Festivalet do kenë gjithmonë vlerë nëse drejtohen nga njerëz profesionistë, me vlera njerëzore e profesionale të larta e jo nga njerëz pseudo drejtues apo që marrin përsipër të shkatërrojnë atë çka është thelbi i një festivali, shpirtin e bukur të festës, sepse çdo festival duhet të jetë feste, te sjelli gëzim, argëtim, jo te ushqejë ambicie të sëmura. Sepse s’duhet të harrojmë se ne jemi përçues të emocioneve dhe shembujsh për të rinjtë sidomos, por edhe për të gjithë ata që na ndjekin”.