Komisioni konstaton pamundësi financiare të familjes së gjyqtares Fida Osmani për krijimin e pasurive si dhe konflik interesi në gjykimin e disa çështjeve. Osmani pretendoi se e kishte përmbysur barrën e provës dhe kërkoi çelje të hetimit edhe për dy kriteret e tjera.
Gjyqtarja Fida Osmani e Gjykatës së Tiranës u përball të enjten më 21 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime dhe depozitoi akte për të kundërshtuar barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është mbyllur hetimi paraprak.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Osmani po kryhet nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Fida Osmani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.Kryesuesja Sanxhaktari sqaroi në fillim të seancës se ishte rrëzuar kërkesa e subjektit për çeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Komisioni konstaton pamundësi financiare për një apartament 3+1 me sipërfaqe 147 m2 në Tiranë, të porositur nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2002 për çmimin 6.4 milionë lekë dhe 1600 USD. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Osmani ka deklaruar të ardhurat e saj nga puna si avokate dhe notere në Dibër për periudhën 1994-1999, ato nga funksioni si gjyqtare si dhe një kredi në shumën 5 milionë lekë.
Pine sqaroi se organet tatimore kanë informuar se subjekti nuk rezulton të ketë qenë e regjistruar si tatimpaguese dhe për rrjedhojë, të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga avokatia dhe noteria nuk janë përfshirë në analizën financiare.
Prej hetimit ka rezultuar se investimet për mobilimin e apartamentit kanë vijuar deri në vitin 2003, kur subjekti ka deklaruar gjendje cash në shumën 3 milionë lekë. Si burime të gjendjes cash, subjekti ka deklaruar kursimet nga të ardhurat familjare, si dhe nga shitja e një apartamenti në Peshkopi në vitin 1998 në shumën rreth 2 milionë lekë.
Komisioni ka gjetur se kontrata noteriale për shitjen e apartamentit në Dibër ka rezultuar se është hartuar dhe nënshkruar nga subjekti në cilësinë e noteres. Pine vërejti se sipas legjislacionit të kohës, noterët nuk mund të redaktonin akte në të cilat ishin vetë palë.
KPK nuk e ka përfshirë këtë vlerë në analizë, pasi ka rezultuar se nuk janë paguar detyrimet tatimore për tjetërsimin e pronës. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi dhe për investimet deri në vitin 2003.
Ndërkohë, Komisioni ka gjetur se tek e njëjta shoqëri ndërtuese, subjekti i rivlerësimit ka porositur vetë një tjetër apartament në vitin 2001, për çmim të përafërt, por ky transaksion nuk ka rezultuar të jetë realizuar. Pine vërejti se nuk rezulton të ketë revokim të kontratës së porosisë së kryer nga gjyqtarja Osmani, ndërkohë që në vijim nga bashkëshorti është nënshkruar dhe një aneks i kontratës së vitit 2002.
“Hartimi dhe nënshkrimi i kontratave të ndryshme është bërë për përfitimin e kredisë,” pohoi Pine dhe shtoi se sjellja e gjyqtares Osmani në hartimin e kontratave të ndryshme është në cënim të besimit të publikut tek drejtësia. Nga sa u relatua në seancë, u mësua se subjekti kishte përfituar kredi me kushte lehtësuese.
Ajo shtoi se nga hetimi është konstatuar se gjyqtarja Osmani ka shqyrtuar dhe ka dhënë vendime për katër çështje, ku palë ndërgjyqëse ka qenë shoqëria ndërtuese ose përfaqësuesi i saj, konkretisht dy në vitin 2002, një në vitin 2003 dhe tjetra në vitin 2005.
Po ashtu, në dosjen për përfitimin e kredisë ka rezultuar se dorëzanës ka qenë shoqëria ndërtuese. Pine sqaroi se subjekti ka deklaruar se në atë periudhë nuk janë pranuar dorëheqjet dhe se ka qenë e detyruar t’i shqyrtojë çështjet. “Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit”, pohoi relatorja Pine.
Në seancë u vërejt mospërputhje për çmimin e apartamenteve të porositura nga subjekti dhe bashkëshorti i saj në vitet 2001 dhe 2002.
Komisioni konstaton konflikt interesi edhe në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 80 m2 në Durrës të porositur në vitin 2004 nga djali i subjektit dhe të blerë në 2006-ën, për çmimin 32 mijë euro. Pine konstatoi se edhe në këtë rast, apartamenti është blerë nga e njëjta shoqëri ndërtuese ku janë porositur dy apartamentet në Tiranë, për të cilën subjekti ka gjykuar disa çështje ku ka qenë palë ndërgjyqëse.
Edhe për këtë pasuri si burim krijimi i së cilës janë deklaruar kursimet familjare është konstatuar pamundësi financiare. Nga hetimi ka rezultuar se nuk është deklaruar porositja në 2004-ën.
Përfaqësuesja ligjore e gjyqtares Osmani, avokatja Antoneta Sevdari i kundërshtoi gjetjet për pasurinë. Ajo e shpreh se kishin depozituar shumë prova dhe shpjegime, që nuk dukej se ishin vlerësuar prej komisionit.
Ajo theksoi se dy kontratat për apartamentin 3+1 ishin nënshkruar pasi shoqëria ndërtuese kishte pasur probleme me dokumentacionin. Sipas Sevdarit, kontrata e 2001-it ishte revokuar dhe se apartamenti i porositur prej subjektit rezultonte të ishte blerë nga një person tjetër. Avokatja këmbënguli se i vetmi apartament ishte ai i blerë nga bashkëshorti në vitin 2002.
Për diferencën e çmimit në shumën 100 mijë lekë, ajo shpjegoi se kishte ardhur për shkak të pozicionit më të mirë që kishte pasur apartamenti i porositur në vitin 2002.
Sevdari tha se kontratat e sipërmarrjes nuk kishin shërbyer për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese dhe se nuk kishte arsye për t’u konstatuar situata e cenimit të besimit të publikut. “Çdo veprim ka qenë i ligjshëm dhe nuk ka asnjë shkelje për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese,” theksoi Sevdari dhe solli në vëmendje se cënimi besimit konkludohet në vlerësim të të tre kritereve të rivlerësimit.
Ajo kundërshtoi edhe analizën financiare të Komisionit, duke e konsideruar të pabazuar. Sevdari vërejti se organet tatimore kanë sjellë përgjigje bazuar në një sistem që nuk disponohej deri në vitin 2000. Ajo shtoi se kishin depozituar dokumentacion që vërtetonin ushtrimin e aktivitetit të avokatisë dhe noterisë nga ana e subjektit si dhe për pagesën e detyrimeve tatimore.
Avokatja Sevdari kërkoi që analiza të kryhej duke u bazuar në të ardhurat minimale për këto profesione të përllogaritura sipas ligjit të kohës. Sipas saj, rezulton se subjekti ka pasur minimalisht të ardhura në shumën 2.2 milionë lekë nga avokatia dhe noteria.
Po ashtu, ajo kërkoi përfshirjen në analizën financiare të vlerës së përfituar nga shitja e apartamentit. Sipas Sevdarit, shitja e pasurisë ishte kryer një ditë pas miratimit të legjislacionit për detyrimet tatimore në tjetërsimin e pasurive të paluajtshme, por ligji ende nuk kishte hyrë në fuqi. Po ashtu, ajo kërkoj të mos konsiderohej si shpenzim blerja e apartamentit në Dibër.
Duke sjellë në vëmendje faktin se bashkëshorti subjektit ka qenë zyrtar i lartë dhe kanë pasur të ardhura të larta, shpenzimet e jetesës duhej të përllogariteshin në 30% të të ardhurave. Ajo këmbënguli se analiza financiare rezultonte pozitive në shumën 4 milionë lekë dhe binte edhe pamundësia për mobilimin e apartamentit në Tiranë
Sevdari i kundërshtoi gjetjet për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjeve nga subjekti, ku palë ndërgjyqëse ishte shoqëria ndërtuese ku ka blerë dy apartamentet, një në Tiranë dhe tjetri në Durrës. Sipas saj, legjislacioni për konfliktin e interesit është miratuar në vitin 2005 dhe mund të prekë vetëm një prej çështjeve. Ajo shtoi, se kishin dorëzuar si prova kërkesat për dorëheqje të subjektit, që nuk ishin pranuar.
Për blerjen e një zyre me sipërfaqe 43.81 m2 në vitin 2010 në Tiranë, KPK konstaton mosdeklarimin e kësaj pasurie për tre vite, pasi ka rezultuar se kontrata e energjisë elektrike në emër të bashkëshortit të subjektit është lidhur në vitin 2007.
Sipas Pines, nga hetimi ka rezultuar edhe mospërputhje për çmimin e kësaj pasurie pasi në kontratën e porosisë figuron vlera 52 mijë e 572 euro, ndërsa sipas kontratës së shitblerjes është 61 mijë e 334 euro.
Sevdari theksoi se kishin dorëzuar 48 mandat pagesa që vërtetonin se çmimi i blerjes është i njëjtë me atë të pasqyruar në kontratën e pasurisë. Sipas saj, ky fakt mbështetet edhe në deklarimet periodike. Ajo shtoi se analiza financiare rezulton pozitive.
KPK konstaton pamundësi financiare për blerjen e një automjeti nga djali i subjektit në vitin 2005 për çmimin 500 mijë lekë të shitur në 2007-ën për vlerën 1 milion e 170 mijë lekë.
Pine tha se në vitin 2005 ka rezultuar balancë negative në shumën 579 mijë lekë. Ndërkohë, janë ngritur dyshime se çmimi i shitjes 2.6 herë më i lartë nga i blerjes pas dy vitesh përdorimi, ka qenë fiktiv.
Në vijim Pine konstatoi pamundësi dhe për zhdoganimin e një automjeti tip Benz të blerë në 2008-ën nga djali i gjyqtares Osmani, si burim krijimi janë deklaruar dhe të ardhurat e shitjes së makinës tjetër në vitin 2007. Në vitin 2008 ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 180 mijë lekë. Sipas KPK, pamundësi ka rezultuar edhe për blerjen e një makine për vajzën e subjektit në vitin 2014.
Sevdari tha se mjeti i blerë në vitin 2005 ishte shitur më shtrenjtë, pasi ishin kryer investime në 2006-ën. Ajo vërejti se pagesa e çmimit të shitjes ishte kryer nëpërmjet sistemit bankar. “Gjetja për shitje fiktive nuk qëndron,” deklaroi Sevdari dhe theksoi se rezultonte se familja e subjektit kishte pasur mundësi për blerjen e makinave. Po ashtu, ajo u shpreh se subjekti kishte pasur mundësi edhe për blerjen e një automjeti për vajzën.
Sipas KPK, e paprovuar ka mbetur mundësia e krijimit të një banese private në Peshkopi e blerë nga babai për shumën 150 mijë lekë, si burim krijimi të së cilës janë deklaruar të ardhurat nga puna si avokate dhe notere e subjektit. Sevdari deklaroi se kanë arritur të provojnë këto të ardhura. Ndërkohë, gjyqtarja Somani shpjegoi se banesa ishte pjesë e një magazine të blerë nga i ati, që tashmë ishte në gjendje të rrënuar dhe e pabanueshme.
Pine tha se janë verifikuar edhe dy transferta të konstatuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave të kryera nga bashkëshorti i subjektit në favor të dy shoqërive, një në shumën 17 mijë euro dhe tjetra 1.9 milionë lekë, që nuk janë deklaruar nga Osmani. Sipas relatores, në një rast ka rezultuar se personi që ka kryer transfertën nuk ka qenë bashkëshorti i subjektit megjithëse kanë pasur emër dhe mbiemër të njëjtë, ndërkohë që atësia ka qenë e ndryshme.
Ndërkohë, është gjetur se në emër të bashkëshortit të subjektit është lidhur kontratë për furnizimin me energji elektrike për një banesë në Malin e Robit, pasuri për të cilën Komisioni konstaton se Osmani nuk e ka deklaruar ndonjëherë.
Avokatja Sevdari i kundërshtoi këto gjetje me arugmentin se bashkëshorti i subjektit nuk është personi që ka kryer transfertat. Sipas saj, ai ka punuar gjithmonë si zyrtar publik dhe nuk ka kryer transaksione të tilla. Po ashtu, dorëzoi si prova dokumente që sipas saj vërtetojnë se personat që kanë kryer transfertat, megjithëse kanë emër dhe mbiemër të njëjtë, kanë atësi, datëlindje dhe vendlindje tjetër nga ato të bashkëshortit të subjektit.
Lidhur me banesën në vendin e quajtur Mali i Robit, ajo tha se kishin kryer ekspertim për nënshkrimin dhe kishte rezultuar se nënshkrimi i bashkëshortit të subjektit nuk është ai i kontratës së porosisë së pasurisë në fjalë.
Ajo këmbënguli se dy transfertat e kryera në emrin e bashkëshortit të subjektit nuk janë bërë prej tij dhe për këtë arsye, nuk duhet të përfshihen në analizën financiare.
Subjekti dha shpjegime edhe për mosdeklarimin në 2016 të porositjes së një apartamenti në emër të saj dhe të djalit, si dhe një pagese të kryer për këtë pasuri. Po ashtu, nuk ka deklaruar detyrimet e mbetura për këtë apartament, si dhe nuk e ka pasqyruar në deklaratën veting.
Sevdari deklaroi se nga analiza e përgjithshme financiare e kryer prej tyre, Osmani rezulton me balanca negative të vogla vetëm në vitet 2005 dhe 2014, përkatësisht në vlerat 162 mijë lekë dhe 110 mijë lekë. Sipas saj, këto balanca nuk mund të sjellin efekte negative.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Fida OSmani deklaroi se kishte vërtetuar të kundërtën e barrës së provës për pasurinë dhe kërkoi çeljen e hetimit për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës. KPK njoftoi se seanca për vendimin do të zhvillohet më 27 prill, në orën 09:00. /BIRN/