Komisioni nuk i konsideroi bindëse deklarimet gjatë hetimit administrativ të prokurorit Ervin Beqiri për burimet e reja financiare për blerjen e një apartamenti dhe i vlerësoi ato si përpjekje për të justifikuar balancat negative në analizën financiare.
Prokurori i Elbasanit, Ervin Beqiri u shkarkua nga detyra më 3 mars, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament të blerë në Tiranë në vitin 2013. Hetimi administrativ për Beqirin u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë.
Në vendimin e arsyetuar të Komisionit konstatohet se Beqiri ka paraqitur deklarime të reja gjatë hetimit administrativ lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për pagesat e kësteve të apartamentit, të cilat janë vlerësuar në nivel deklarativ dhe jo të besueshëm.
Në deklaratën “veting”, prokurori Beqiri ka pasqyruar blerjen e apartamentit me sipërfaqe 104.18 m2 në vitin 2013, kundrejt çmimit 90 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie ka deklaruar kursimet personale para martese; kursimet familjare gjatë martesës dhe një hua pa interes të marrë nga familjarët, të shlyer në 2016-ën. Ai ka sqaruar se ka paguar shumën 87 mijë euro dhe se detyrimi i mbetur ka qenë në shumën 3000 euro gjatë plotësimit të deklaratës “veting”.
Ndërsa në deklaratën e vitit 2013, subjekti ka paraqitur shpjegime më të detajuara për këtë pasuri, ku ndër të tjera ka deklaruar kontratën e sipërmarrjes dhe se ka paguar shumën 80 mijë euro me burime nga kursimet familjare për vitin 2013 në shumën prej 1 milion 263 mijë lekë; nga kursimet familjare të viteve të mëparshme në shumën prej 4 milionë e 822 mijë lekë; huanë të marrë nga babai në shumën 5.1 milionë; si dhe detyrimin e mbetur 10 mijë euro.
Komisioni ka analizuar të ardhurat e deklaruara se kanë shërbyer si burime për kryerjen e pagesave nga ka rezultuar pamundësi për dy këstet e shlyera në vitin 2013, një në muajin janar në shumën 50 mijë euro dhe tjetrin në korrik 30 mijë euro.
Për pagesën e këstit të pare në shumën 50 mijë euro, Beqiri ka deklaruar si burime krijimi kursimet e mëparshme personale dhe familjare në gjendje cash; dhe shumën 5,1 milionë lekë të marrë hua nga babai.
Në vlerësim të deklarimeve të subjektit, Komisioni ka konstatuar gjatë hetimit paraprak se në dhjetor të vitit 2012 ai duhej të zotëronte gjendje cash në shumën 1 milion e 930 mijë lekë. Nga verifikimi i burimeve të deklaruara se kanë shërbyer për krijimin e likujditeteve cash dhe atyre në bankë deri në fund të 2012-ës, ka rezultuar pamundësi në shumën 277 mijë lekë. Për rrjedhojë, KPK ka përfshirë në analizën financiare të ardhura nga gjendja cash në vlerën 1 milion e 652 mijë lekë.
Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se nga babai ka marrë dy hua, atë në shumën 5.1 milionë lekë në janar të vitit 2013, si dhe një tjetër 1.2 milionë lekë në mars të po atij viti. Ai ka sqaruar se huatë janë marrë pa afat dhe pa interes.
Si burim për huatë, Beqiri ka deklaruar kursimet e babait dhe nënës ndër vite; shumat që babai ka marrë hua nga vajzat e tij për të plotësuar këto shuma; si dhe marrja hua prej të atit e dy shumave nga të afërmit e tij, një në vlerën 1 milion lekë dhe tjetra 800 mijë lekë.
I pyetur sërish nga Komisioni mbi burimin e të ardhurave të babait të tij që kanë shërbyer për dhënien e huave 5.1 milionë lekë dhe 1.2 milionë lekë, subjekti ka referuar edhe disa burime shtesë. Konkretisht, shumën 1.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti në Fier në vitin 2000; si dhe të ardhurat e përfituara nga një prej motrave nga honoraret e punës së kryer pranë Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve për vitet 2007 – 2019 dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, pranë Ministrisë së Arsimit.
Komisioni vëren se subjekti i rivlerësimit ka pasur detyrimin ligjor që krahas deklarimit të apartamentit në Tiranë, të deklaronte dhe të provonte me dokumentacion justifikues ligjor edhe burimin e të ardhurave të cilat kanë shërbyer për likuidimin e kësteve.
Sipas trupës së KPK, Beqiri nuk ka bërë deklarime mbi burimin e të ardhurave të personave që i kanë dhënë hua të atit, si dhe ka rezultuar se babai në janar të vitit 2013 ka disponuar llogari bankare në vlerën 1.2 milionë lekë, ku ka shtuar dhe 1 milion lekë në korrik të atij viti.
Nisur nga fakti se huatë e marra nga babai i Beqirit prej dy të afërmve të tij janë deklaruar vetëm gjatë hetimit administrativ, si dhe për arsye se nuk është vërtetuar mundësia financiare e huadhënësve, KPK i vlerëson shpjegimet në nivel deklarativ dhe nuk i ka konsoderuar si burim krijimi për shumën 5.1 milionë lekë që subjekti ka marrë hua nga i ati.
Po ashtu, nuk është pranuar si burim për krijimin e vlerës 5.1 milionë lekë shuma 1.5 milionë lekë e përfituar nga shitja e apartamentit në Fier në vitin 2000. KPK konstaton se prindërit e subjektit, menjëherë pas shitjes së apartamentit në Fier, kanë krijuar një tjetër pasuri të paluajtshme në vlerë disa herë më të madhe se ajo që kanë shitur banesën e mëparshme.
Komisioni vëren se subjekti ka deklaruar në vitin 2009, para fillimit të detyrës, gjendje cash në shumën 900 mijë lekë ku ai zotëronte 80% të vlerës, prej nga rezulton se babai ka disponuar vetëm 180 mijë lekë në atë periudhë.
Në vendim thuhet se nuk është gjetur asnjë gjurmë në deklaratat periodike dhe në atë “veting” për përdorimin e shumës 1.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në Fier, si burim krijimi për huanë 5.1 milionë lekë. Nisur nga fakti se edhe ky pretendim është parashtruar gjatë hetimit administrativ, KPK e ka konsideruar në nivel deklarativ dhe nuk e ka konsideruar si burim të huasë.
Ndërkohë, Komisioni ka pranuar të ardhurat e motrave të subjektit, me argumentin se kanë qenë në një trung familjar me prindërit dhe nga kjo bashkëjetesë kanë krijuar edhe kursime të përbashkëta.
Trupi gjykues ka vlerësuar se nga të ardhurat e babait dhe të motrave për periudhën 2009 – 2012, është i mundur disponimi i vlerës cash 4 milionë e 412 mijë lekë. Duke u bazuar dhe në faktin se subjekti e ka kthyer huanë 5.1 milionë lekë në vitet e mëvonshme, është konsideruar në analizën financiare mundësia e kursimit të familjarëve të subjektit në shumën 4 milionë e 412 mijë lekë.
Në përfundim të analizës së këtij burimi, trupi gjykues çmon se babai i subjektit ka rezultuar në pamundësi në shumën 687 mijë lekë për dhënien e huasë 5.1 milionë lekë, ndërsa për pagesën e këstit të parë në shumën 50 mijë euro një balancë negative në shumën 945 mijë lekë.
Për pagesën e këstit të dytë në shumën 30 mijë euro në korrik të vitit 2013, subjekti ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se kanë shërbyer të gjitha vlerat e depozituara në emrin e tij dhe të bashkëshortes në “Alpha Bank”, si dhe huanë e të atit në shumën 1.2 milionë. Kjo hua nuk rezulton të jetë deklaruar më parë prej Beqirit.
Nisur nga fakti se në janar të vitit 2013 babai i kishte dhënë subjektit shumën 5.1 milionë lekë për pagesën e këstit të parë, si dhe nga deklarimet se ai kishte marrë hua 1.8 milionë lekë për plotësimin e asaj vlere, Komisioni konsideron se nuk ka logjikë ekonomike që i ati të dispononte edhe vlera të tjera monetare cash.
“Pavarësisht se z. A. B., me deklaratën e datës 11.11.2021, ka konfirmuar dhënien e kësaj shume në favor të djalit të tij – në mars të vitit 2013 duket kontradiktor fakti se pse me deklaratën noteriale të datës 18.3.2014 ai ka deklaruar se i ka dhënë në janar të vitit 2013 shumën 5,100,000 (pesë milionë e njëqind mijë) lekë – duke mos u përmendur shuma tjetër prej 1,200,000 (një milion e dyqind mijë) lekë, e materializuar në llogarinë bankare të bashkëshortes së subjektit në datën 6.3.2013,” vëren KPK.
Trupa e KPK konstaton se subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar deklarimet duke shtuar si burim gjatë hetimit administrativ huanë nga babai në shumën 1,2 milionë lekë. “Trupi gjykues krijon bindjen se këto deklarime të mëvonshme kanë vlerë të kufizuar, pasi rezultojnë si përpjekje për të justifikuar mundësitë financiare të subjektit të rivlerësimit në funksion të përmbysjes së një analize financiare negative,” vlerëson Komisioni dhe çmon se deklarata noteriale e babait e vitit 2021 nuk mundi të prodhojë besueshmëri.
Trupa e KPK çmon se Beqiri rezulton me mungesë burimesh financiare të ligjshme për krijimin e shumës 1.2 milionë lekë dhe nuk e ka konsideruar këtë vlerë si burim të ligjshëm për pagesën e këstit të dytë në shumën 30 mijë euro.
Në përfundim, për krijimin e apartamentit Komisioni arrin në konkluzionin se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, pasi rezulton me balancë negative në shumën 945 mijë lekë për pagesën e këstit të parë në shumën 50 mijë euro dhe në pamundësi financiare në shumën 1.2 milionë lekë për këstin e dytë 30 mijë euro, të dyja pagesa të realizuara në vitin 2013. Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar pamundësi financiare edhe për vitet 2014-2015 në shumën 534 mijë lekë.
Këto konkluzione, trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Roland Ilian, i vlerëson të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se prokurori Ervin Beqiri nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të dhe e ka shkarkuar nga detyra. /BIRN/