Përkthyesit zyrtarë apo interpretët e gjuhës së shenjave, që i rrezikohet jeta për shkak të detyrës, do të merren në mbrojtje të veçantë nga shteti.
Ky është vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ku përcaktohen edhe kriteret se kur një përkthyes zyrtar merr mbrojtjen e veçantë për vete, familjen dhe pronën.
Sipas vendimit, kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë nga shteti janë:
a) prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit; dhe
b) lidhja shkakësore ndërmjet rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit të gjuhës së shenjave, dhe detyrave, që ushtron përkthyesi ose interpreti.
Subjektet që mund të paraqesin kërkesë me shkrim për mbrojtjen e veçantë të përkthyesit/interpretit pranë Komisionit për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë janë:
a) përkthyesi/interpreti, që kërkon mbrojtjen e veçantë;
b) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
c) ministri i Drejtësisë;
ç) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit.
Kërkesa paraqitet vetëm kur ka të dhëna të besueshme, të cilat provojnë rrethanat serioze, që vënë në rrezik jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit për shkak të detyrës ose gjatë ushtrimit të saj.
Vendimi
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave të hollësishme për kriteret dhe procedurën e përfitimit të mbrojtjes së veçantë nga shteti për përkthyesit zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave, kur u rrezikohet jeta, familja ose prona gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj.
2. Me mbrojtje të veçantë të jetës, të familjes dhe të pronës, sipas këtij vendimi, kuptohen masat operacionale, që merren për sigurimin e ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes dhe të pronës së përkthyesit e interpretit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
3. Kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë nga shteti janë:
a) prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit; dhe
b) lidhja shkakësore ndërmjet rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit apo të interpretit të gjuhës së shenjave, dhe detyrave, që ushtron përkthyesi ose interpreti.
4. Subjektet që mund të paraqesin kërkesë me shkrim për mbrojtjen e veçantë të përkthyesit/interpretit pranë Komisionit për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë janë:
a) përkthyesi/interpreti, që kërkon mbrojtjen e veçantë;
b) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
c) ministri i Drejtësisë;
ç) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit.
5. Kërkesa paraqitet vetëm kur ka të dhëna të besueshme, të cilat provojnë rrethanat serioze, që vënë në rrezik jetën, familjen ose pronën e përkthyesit/interpretit për shkak të detyrës ose gjatë ushtrimit të saj.
6. Kërkesa për mbrojtje të veçantë për përkthyesin apo interpretin përmban:
a) gjenealitetet e kërkuesit të mbrojtjes së veçantë për përkthyesin apo interpretin;
b) gjenealitetet e përkthyesit apo të interpretit për të cilin kërkohet mbrojtja e veçantë;
c) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për përkthyesin apo interpretin, të cilat detyrojnë sigurimin e mbrojtjes së veçantë, si dhe të provave të mundshme, ku bazohen ato;
ç) burimin e provave se ku bazohen;
d) llojin e masave që kërkohen dhe kohëzgjatjen e tyre.
7. Kur rreziku ndaj përkthyesit apo interpretit është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar mbrojtjen e jetës, të shëndetit të tij apo të familjes ose të pronës, deri në mbledhjen e Komisionit për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë. Komisioni për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre ose ndërprerjen e mbrojtjes së veçantë.
8. Kërkesat për mbrojtje të veçantë nga shteti shqyrtohen nga Komisioni për Mbrojtjen e Përkthyesve Zyrtarë (në vijim, komisioni), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë, me këtë përbërje:
a) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, i caktuar me urdhër nga Ministri i Drejtësisë, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit;
b) 1 (një) përfaqësues nga radhët e përkthyesve zyrtarë apo interpretëve, sipas rastit, me jo më pak se 5 (pesë) vjet punë si përkthyes zyrtar/interpret, i certifikuar sipas ligjit për përkthimin zyrtar, i zgjedhur nga ministri i Drejtësisë;
c) 1 (një) përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, i caktuar me urdhër nga ministri i Brendshëm;
ç) 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i cili caktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.
9. Anëtarët e komisionit zgjidhen për një mandat dyvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.
10. Zgjedhja e anëtarit sipas shkronjës “b”, të pikës 8, të këtij vendimi, duhet të synojë, në çdo rast, shmangien e konfliktit të interesit.
11. Anëtarët e komisionit duhet të jenë të pavarur e të paanshëm në vendimmarrjen e tyre për përfitimin e mbrojtjes së veçantë për përkthyesin apo interpretin.
12. Kryetari i komisionit ushtron këto funksione:
a) Përgatit, thërret e drejton mbledhjet e komisionit;
b) Përfaqëson komisionin në marrëdhëniet me të tretët;
c) Siguron mbështetjen administrative dhe organizative për funksionimin e Komisionit;
ç) Siguron dokumentimin e mbledhjes së komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
d) Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.
13. Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje të veçantë, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë.
14. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 3 (tre) anëtarë të tij.
15. Vendimet janë të vlefshme kur miratohen të paktën nga shumica e anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.
16. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë vendim, zbatohen, për aq sa gjejnë zbatim, dispozitat e ligjit për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe të enteve publike.
17. Ministria e Drejtësisë siguron mbështetjen e nevojshme organizative dhe administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të komisionit. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, cakton një sekretar nga nëpunësit e strukturës përgjegjëse për veprimtarinë e përkthimit zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë, i cili mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.
18. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Në rastet kur një anëtar i komisionit nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, pa një shkak të ligjshëm, konsiderohet që ka hequr dorë si anëtar i komisionit. Në këtë rast, kryetari ose, në rastin kur kryetari nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, anëtari i zgjedhur nga radhët e përkthyesve/interpretëve, njofton menjëherë organin e emërtesës dhe Ministrinë e Drejtësisë.
19. Komisioni, gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë të përkthyesit apo të interpretit, të familjes e të pronës së tij, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera. Institucionet publike janë të detyruara të përmbushin kërkesat e komisionit për informacion, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj, brenda afatit të përcaktuar nga komisioni në kërkesën e tyre.
20. Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet në bazë të fakteve dhe të rrethanave, që çojnë në dyshimin e arsyeshëm për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për përkthyesit dhe interpretët e gjuhës së shenjave, miraton me vendim mbrojtjen e veçantë. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
21. Komisioni zbaton, për aq sa është e mundur, rregullat e Kodit të Procedurave Administrative për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtjen e veçantë të përkthyesit apo të interpretit.
22. Vendimi i komisionit u njoftohet përkthyesit apo interpretit, sipas rastit, nga Ministria e Drejtësisë, dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
23. Komisioni, me kërkesë të subjekteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se përkthyesit apo interpretit të gjuhës së shenjave i rrezikohet jeta, familja ose prona, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati.
24. Në rast se rreziku ndaj jetës, familjes ose pronës së përkthyesit apo të interpretit të shenjave nën mbrojtje pushon së ekzistuari përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, sipas përcaktimit në vendimin e komisionit, me kërkesën e çdo subjekti të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, komisioni mund të vendosë të ndërpresë mbrojtjen e veçantë.
25. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.